Protagonist i këtij dokumentari nuk do të jetë vetëm Kledi Kadiu, por të gjithë balerinët shqiptarë që kanë dalë nga shkolla e baletit shqiptar, që tashmë interpretojnë në skenat më prestigjioze të Europës. Por, edhe pse qëllimi i vizitës këtë radhë është realizimi i një dokumentari, Kledi Kadiu shprehet se një nga projektet e ardhshme të tij është dhe rikthimi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Në fakt kishte premtuar rikthimin në këtë skenë me një nga turnetë më të suksesshme të balerinit, që nisi një vit më parë, “Bolero”, ku një nga ndalesat e tij do të ishte edhe kryeqyteti shqiptar Tirana, por për shkak të axhendës së ngjeshur të turneut “Bolero” ai nuk mundi të vinte në Tiranë në fillim të këtij viti ashtu siç dhe kishte premtuar.
Prandaj duket se balerini i ka një “borxh” skenës dhe publikut shqiptar, ku premton se shumë shpejt do ta shlyejë. Ky dokumentar dedikuar shkollës shqiptare të baletit dhe disa balerinëve të njohur dhe shumë të talentuar shqiptarë, si Eno Peçi, Gentjan Doda, Evis Nezha etj., të cilët performojnë në skenat e teatrove më të shquara, jo vetëm në Itali por në të gjithë Europën. Dokumentari televiziv prej 30 minutash pritet të shfaqet në kanalin prestigjioz italian RAI 5.
Premiera në “Step Passi di Danza”
Kledi Kadiu është ura lidhëse mes baletit italian dhe atij shqiptar. Ai është balerini që u formua si i tillë në Shqipëri, por që ndriti në skenat italiane. Ka qenë ndoshta kjo arsyeja që pas edicionit të parë të emisionit “Step Passi di Danza” që iu kushtua tërësisht baletit italian, që nga fillesat e tij e deri sot të projektohej edhe realizimi i një dokumentari edhe për baletin shqiptar. Kjo ka qenë shtysa e realizuesve të programit që kanë sjellë në Shqipëri Kledi Kadiun dhe një grup xhirimi të Rai 5. Siç thotë dhe balerini, edicioni i dytë i programit të tij nis në shtator dhe ai do t’i dedikohet baletit shqiptar. Dokumentari televiziv po realizohet edhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, që do të shfaqet në kanalin prestigjioz italian Rai 5, ai synon gjithashtu të përcjellë një imazh pozitiv për Shqipërinë, akademinë e shkollës artistike shqiptare dhe artistëve të saj kudo ku ndodhen, jo vetëm në Itali por në të gjithë Europën.
Në mbështetje të kësaj, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, priti në një takim zyrtar balerinin shqiptar Kledi Kadiu dhe grupin e xhirimit të Rai 5, ku hodhi dhe idenë e krijimit të “Shtëpisë së Shqiptarëve”, në Romë, e cila do të ketë rolin e një qendre kulturore për të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali. Qendra gjithashtu mund të shërbejë si pikë referimi për qytetarët italianë, të cilët kërkojnë të informohen mbi kulturën, historinë, artin, arkeologjinë dhe turizmin shqiptar.