Komuniteti ndërkombëtar do të mblidhet në përpjekje për të rënë dakord mbi një marrëveshje të re globale në lidhje me reduktimin e emetimeve të gazeve të dëmshëm, mbetjeve gazike nga industria dhe transporti, kryesisht dioksidi i karbonit, që kanë shkaktuar edhe rritjen e madhe të temperaturave në planet. Por nëse një marrëveshje e përbashkët nuk do të arrihet në Danimarkë, atëherë, sipas shumë vëzhguesve, do të jetë shumë vonë për të ndryshuar zhvillimet e vrullshme klimatike që do të sjellin dhe do të shkaktojnë probleme të mëdha për botën në përgjithësi dhe shoqërinë njerëzore në veçanti. Ndikimi i pasojave do të ndihet sidomos në klimë, bujqësi dhe dorë pas dore në të gjitha shkallët e jetës sonë. Këtë javë në qytetin industrial polak të Poznanit do të zhvillohet një takim paraprak i atij të dhjetorit të ardhshëm në Kopenhagen të Danimarkës.
Diplomatë dhe zyrtarë nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara janë bërë bashkë për të përcaktuar pikat kryesore të marrëveshjes që do të synohet të arrihet në Danimarkë. Sigurisht që parashikohet të jetë shumë e vështirë të bësh bashkë mendjet, presionet dhe politikat e ndryshme të 150 vendeve të ndryshme në lidhje me masat që duhen marrë njëzëri. Ndoshta kjo do të jetë edhe marrëveshja më e vështirë që ka parë bota deri më tani dhe rënia në ujdi për të është gjithashtu një ndërmarrje shumë e vështirë jo vetëm diplomatike. Cila do të jetë detyra e palëve të përfshira në marrëveshje? Kjo është pyetja e thjeshtë e njëherazi e vështirë që ndodhet në thelb të gjithçkaje. Pjesa më e madhe e tepricës së gazeve të dëmshëm për atmosferën emetohet nga vendet industrialiste të zhvilluara të planetit, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Japonia.
Kjo gjatë dy shekujve të fundit, që nga nisja e periudhës së industrializimit e veçanërisht gjatë viteve pas Luftës II Botërore, kur rritja ekonomike shënoi rritje të jashtëzakonshme. Por vende në zhvillim, si Kina, India, Indonezia dhe Brazili, po përjetojnë gjithashtu një rritje të madhe ekonomike e një industrializim me hapa gjigandë, çka sjell si pasojë edhe rritjen e shkallës së ndotjes së ambientit. Në këto rrethana, sidomos Kina, mund të shndërrohet shumë shpejt si emetuesja më e madhe e dioksidit të karbonit në botë, duke ia kaluar edhe vetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, kush duhet fajësuar për situatën? Si do të ndahen detyrat dhe angazhimet që duhet të merren urgjentisht, pasi ulje e emetimit të gazeve të dëmshëm do të thotë kosto për ekonominë e një vendi që më pas përkthehet me ulje të rritjes ekonomike?
A do të mundet Kina të ulë emetimin e gazeve të dëmshëm edhe sikur kjo të nënkuptojë uljen e ritmit të zhvillimit ekonomik? Po Shtetet e Bashkuara a do ta ndërmarrin një hap të tillë, sidomos në një moment të tillë financiar, në të cilin ndodhet vendi? Marrëveshja e parë botërore klimatike, Protokolli i Kiotos, i nënshkruar në vitin 1997, njohu faktin se vende të ndryshme kanë përgjegjësi të përbashkëta, por në shkallë të ndryshme ndaj ambientit dhe sipas kësaj marrëveshjeje disa vende të industrializuara, si Britania e Madhe dhe një pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia, duhet të nisnin të reduktonin emetimin e CO2 deri në vitin 2010, ndërkohë që vendet në zhvillim, si Kina, duhet të nisnin monitorimin e emetimeve të tyre. Administrata e Bushit, pavarësisht se vendi ishte pjesë e marrëveshjes, vendosi që të dilte prej saj në vitin 2001, duke mos e konsideruar si të rëndësishme.
Por si mund të kishte vlerë kjo marrëveshje e për më tepër zbatimi i saj pa bashkëpunimin e vendit që shkakton ndotjen më të madhe në botë? Që nga momenti kur Shtetet e Bashkuara i kthyen shpinën Kiotos, kjo marrëveshje pati shumë pak vlerë. Ajo çka pritet të negociohet në Kopenhagen është një vazhdim i marrëveshjes së Kiotos dhe tashmë është shumë e qartë se çfarë mund të ndodhë për të gjithë nëse kjo marrëveshje nuk do të konkludohet. Së pari, vendet kryesore industriale, përfshi Amerikën, duhet që të bien dakord në lidhje me një program uljesh drastike të emetimit të gazeve të dëmshëm. Duhet të jenë pikërisht këto vende të industrializuara udhërrëfyeset dhe nismëmarrëset e masave të tilla, pasi ato janë shkaktaret më të mëdha të ndotjes. Së dyti, vendet në zhvillim, nën drejtimin e Kinës, duhet të bëjnë diçka në lidhje me reduktimin e emetimeve.
Ato nuk mund të vazhdojnë në të ardhme me metodat e vjetra. Së treti, vendet e industrializuara duhet të ndihmojnë financiarisht ato më pak të zhvilluara për të kompensuar dëmet që do t‘i vijnë industrisë e si pasojë ekonomisë, pra shkallës së rritjes ekonomike nga ulja e emetimit të gazeve. Së katërti, ndoshta duhet të arrihet një marrëveshje e veçantë për mbrojtjen e pyjeve të planetit, të cilat thithin një pjesë të madhe të dioksidit të karbonit, duke qenë kështu me plot gojë mushkëritë e mjedisit. Një marrëveshje e tillë do të shqyrtohet pas dyerve të mbyllura në Danimarkë mes njerëzve më të fuqishëm dhe pragmatistë të planetit. Edhe protokolli i famshëm i Kiotos u arrit në të njëjtën mënyrë, në orët e para të mëngjesit të një takimi të stërzgjatur pune, sigurisht me dyer të mbyllura në qytetin japonez, prej nga marrëveshja merr edhe emrin.
Një nga faktorët e rëndësishëm të arritjes së marrëveshjes së Kiotos ishte zëvendëspresidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Al Gore, që vazhdon të përfshihet vrullshëm në çështjet e ambientit dhe të jetë një zë shumë i rëndësishëm në mbrojtje të mjedisit. Një tjetër aktor shumë i rëndësishëm ishte britaniku Xhon Preskot, zëvendëskryeministër dhe sekretar mjedisi, por ndoshta personi më me influencë ishte argjentinasi Raul Estrada, kryetari i komitetit negociues që i shpëtoi bisedimet në momentin kur ato dukeshin se do të dështonin pa arritjen e një marrëveshjeje. Figura të tilla të rëndësishme dhe me zë të fuqishëm do të duhen sërish në Kopenhagen dhe njëra prej tyre duhet të jetë patjetër kineze, por mbi të gjitha pritet që të dalë në krye të punëve Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama.
Edhe pse ende jo në detyrë, ai e ka bërë të qartë tashmë se i konsideron çështjet e mjedisit dhe veçanërisht atë të ngrohjes globale si një prioritet të politikës së administratës së tij në 4 vitet e ardhshme, dhe kjo politikë do t‘i japë fund njëherë e mirë politikës së vjetër të Bushit në lidhje me klimën. Zgjedhja e Obamës ishte si një goditje e fuqishme rrufeje: ajo ndryshoi dinamikën e gjërave dhe zgjoi shpresën e realizimit të gjërave, çka do të thotë se edhe mundësia e arritjes së një marrëveshjeje në Kopenhagen është shumë më e madhe tani se në kohën e Bushit.
Nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosin që të marrin një rol udhëheqësi, atëherë shanset për firmosjen do të jenë shumë-shumë më të mëdha. Po këtë javë, vendet e Bashkimit Evropian po përpiqen që të përfundojnë paketën e tyre të energjisë dhe klimës, edhe nëse kjo përpjekje shoqërohet me disa vështirësi. Paketa është shumë ambicioze dhe kërkon nga vendet anëtare të BE-së që 20% të energjisë, deri në vitin 2020, ta sigurojnë nga burime që nuk e rrisin ndotjen e ambientit dhe po deri në vitin 2020 këto vende duhet t‘i kenë reduktuar deri në 20% emetimet e gazeve të dëmshëm të industrisë.