Fatos Klosi ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit Pandeli Majko, i cili u shpreh se, fakti që Rugova ka qenë tradhtar i Kosovës është po aq i vërtetë, sa që Klosi ka luftuar me armë në dorë. Majko tha dje se: “Lexova në media që “veterani” i Luftës së Kosovës, Fatos Klosi ka fyer jo vetëm Presidentin e nderuar Rugova. Që Ibrahim Rugova të ketë qenë “tradhtar” i Kosovës, kjo është po aq e vërtete sa Klosi të ketë luftuar me armë në dorë”, shprehet Majko. Por deklarata e Pandeli Majkos nuk është pritur mirë nga ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar. Në një reagim për Vizion Plus, ai u shpreh se ndihet i “lënduar nga Pandeliu”, dhe i cilësoi deklaratat e tij si tallëse. Sipas Klosit, e gjithë deklarata e Majkos është e gabuar.
- A ka dosje për çdo politikan shqiptar?
Fatos Klosi: Ka s’ka dosje, është e ndaluar me ligj. Nuk duhet pyetur për këtë gjë. Kanë imunitet ata!
- Po pse ekziston gjithnjë ideja që ka dosje?
F. Klosi: Atë e dini ju, e thoni ju!
- Cili Kryeministër ka qeverisur më keq?
F. Klosi: Unë këtë nuk mund ta them. Kam një mendim timin sigurisht, por nuk mund ta them publikisht. Mund të them me kë kam komunikuar më mirë, dhe me kë kam hasur më shumë vështirësi në bashkëpunim!
- T: Hyska: A ka qenë zoti Majko paranojak, me idenë që e përgjonin?
F. Klosi: Jo jo! Nuk kam pasur probleme të tilla. Problemet kanë qenë vetëm këto; me Majkon humbëm komunikimin që mbas ndoshta datës 15 nëntor. Po bëhej analiza e masave të marra për mbarëvajtjen e Referendumit, një analizë shumë e gjërë, ku më tha hapur fare përpara të gjithë ministrave: “Nuk dua të dëgjoj prej teje opinione për këtë gjë.” Se une i thashë që kemi folur me ministrin, gjithë ditën para dite kam qenë me atë… por jo, Majko më tha: “S’ke ç’thua, ti merresh me trafik armësh!”
- Trafik armësh me kë?
F. Klosi: Ishin armët që shkonin në Kosovë! Armët që shkonin për luftë! Unë s’e kam thënë ndonjëherë, por ky ishte skandal!
- Pra zoti Majko, ju ka quajtur ‘trafikant armësh’, për armët që shkonin në Kosovë për të ndihmuar UÇK-në?
F. Klosi: Ishin armët e UÇK-së mor, nuk ishin armët tona!
- Ju ishit thjesht ‘tranzit’ domethënë.
F. Klosi: Ne thjesht ndihmonim për atë proceurë.
- Pra zoti Majko ka qenë kundër këtij kalimi?
F. Klosi: E ka bllokuar, zyrtarisht e ka bllokuar!
- Pra, mund të themi që zoti Majko nuk ka dashur që ato armë t’i shkonin UÇK-së?
F. Klosi: Jo, ai kishte idenë që ishte Embargoja… ai notonte në të tjera ujëra! Domethënë që ndaj lkuftës në Kosovë kishte embargo, ne nuk duhej të kontribuonim. E quante si një luftë që po zhvillohej në një kontinent tjetër! Pra, qeveria duhet të ishte e kujdesshme për detyrimet ndaj ndërkombëtarëve etj.
Majko del kundër Klosit
Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko ka reaguar dje ndaj deklaratës së ish-kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi i cili në një emision kosovar u shpreh se, Kosova nuk mund të çlirohej me politikën e Ibrahim Rugovës.
Majko shprehet në Facebook, se Klosi e ka fyer Presidentin e nderuar Rugova, dhe se, deklarata që Rugova ka qenë tradhtar i Kosovës është po aq e vërtetë, sa ajo që Klosi ka luftuar me armë në dorë.
“Lexova në media që “veterani” i Luftës së Kosovës, Fatos Klosi ka fyer jo vetëm Presidentin e nderuar Rugova. Që Ibrahim Rugova të ketë qenë “tradhtar” i Kosovës, kjo është po aq e vërtete sa Klosi të ketë luftuar me armë në dorë”, shprehet Majko.
Deputeti e quan "shterpë" debatin për luftën e Kosovës, që po bëhet në momentin e gabuar, pasi për Majkon, Kosova duhet të përgatitet për Gjykatën Speciale Ndërkombëtare.
"Sot Kosova dhe publiku shqiptar duhet të përgatiten për Gjykatën Speciale Ndërkombëtare. Ajo do të gjykojë protagonistët e luftës së shqiptarëve. Kjo është padyshim një ngjarje e rëndë. Të gjithë duhet të jemi në krah të UCK, drejtuesve të saj dhe pastërtisë së kauzës së lirisë së Kosovës për të cilën u flijuan heronjtë e vërtetë të Kosovës. Sa më i përçarë që të jetë faktori shqiptar aq më e rëndë do të jetë goditja. Kjo dhe te tjera, janë arsyeja që mendoj se debatet shterpë me “heronj" dhe “tradhtarë” për Luftën e Kosovës janë në kohën dhe vendin më të keq për momentin që kalon Kosova dhe shqiptarët ne rajon. Shpresoj të jetë rastësi", përfundon Majko.