Klosi Skandal pergjimet ne bllok ndaj policeve te jashteligjshme

Klosi: Skandal, pergjimet ne bllok ndaj policeve, te jashteligjshme

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, e cilëson si skandal dhe rast të paprecedentë shkresën e nxjerrë nga drejtuesit e SHISH-it për të kryer hetime ndaj drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit. I pyetur nga gazeta “Shqip” lidhur me lajmin e bërë publik dje nga “Top Channel”, që SHISH-i ka kryer hetime ndaj efektivëve të rinj të uniformave blu, në një prononcim dhënë pasditen e djeshme, Klosi thekson se kjo shkresë-urdhër është e jashtëligjshme në përmbajtjen e saj dhe është një tregues i qartë i mungesës së profesionalizmit dhe i gjendjes së rëndë ku ky institucion është katandisur gjatë këtyre viteve.

 

Shkresa e SHISH-it

 

Edhe pse shprehet disi dyshues lidhur me vërtetësinë e kësaj shkrese, ish-kreu i SHISH-it thekson se duhet të merren masa urgjente për të riparuar funksionalizimin e këtij institucioni tepër jetik për vetë shtetin shqiptar. “Kjo që po më thoni më duket absurde, pasi nëse do të ekzistonte një urdhër i tillë, ai nuk do të bëhej me shkresa. Por, edhe nëse është i vërtetë ky lajm, ky përgjim i urdhëruar, në shkresë, SHISH duhet të ketë një informacion paraprak mbi efektivat që do të përgjohen dhe arsyet pse duhet të përgjohen. Ndaj sërish them se kjo shkresë është absurde në vetvete. Por, nga ana tjetër, është një rast i paprecedentë sa i përket mungesës së profesionalizmit”, shprehet Klosi. Duke vijuar më tej në argumentimin e tij, ish-kreu i shërbimit të inteligjencës shqiptare, deklaron se nëse vërtetohet ekzistenca e kësaj shkrese, atëherë kemi të bëjmë me shkelje të rëndë të ligjit dhe autorët e këtij hetimi duhet të japin llogari para drejtësisë për urdhrin e lëshuar. “Është absolutisht absurde ta mendosh një gjë të tillë, por nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë të ligjit dhe mungesë të plotë të profesionalizmit në këtë shërbim. Nëse do të kishim të bënim me një përgjim operativ, atëherë ai duhet të kishte një plan konkret të hetimit, indiciet e tij të para lidhur me personat që do të përgjohen, veprimtaria dhe oraret e lëvizjeve të tyre jashtë detyrës shtetërore. Dhe, pastaj, nëse mund të flasim për profesionalizëm në këtë shkresë, mund të kishim të bënim me një hetim lidhur me persona të veçantë, por asnjëherë ky përgjim nuk mund të kryhet në masivitet të tillë. Kjo është shkelje e hapur flagrante e ligjit, ndaj përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë, nëse vërtetohet kjo çështje”, deklaroi Klosi. Duke shprehur keqardhjen e tij për degradimin e institucionit nga viti në vit, ish-drejtuesi i SHISH-it bën apel që të ndërhyhet për të riparuar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet ky institucion.

 

“Kjo është shumë e rëndë dhe nëse ekziston një shkresë e tillë, atëherë kjo tregon gjendjen e rëndë ku është katandisur ky institucion gjatë këtyre viteve. Ky është një tregues që duhet të merren masa dhe të bëhen ndërhyrje urgjente në përmirësimin e SHISH-it”, theksoi Fatos Klosi. Sa i përket reformimit të SHISH-it, ish-kreu i këtij institucioni, në një intervistë dhënë pak kohë më parë, ka shprehur domosdoshmërinë e vendosjes së prioriteteve nga ana e qeverisë, dhe më pas zbatimin e tyre. “Kur forcat e reja drejtuese duan të bëjnë reforma të gjithanshme për europianizimin dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve dhe SHISH-i, si pjesë e këtyre institucioneve, duhet të bëjë përpjekjet e tij. Se për ç’ndryshime ka nevojë, kjo përcaktohet nga detyrat që i përcakton ligji dhe nga prioritetet që përcaktojnë ‘punëdhënësit e tij’, pra kryeministri dhe qeveria. Nëse situatat e reja të sigurisë dhe detyrat përkatëse do të kërkojnë, sipas meje e kërkojnë, dhe SHISH-i duhet të bëjë reformat e tij, më parë në koncepte e pastaj dhe në struktura”, është shprehur Klosi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama