Klosi Skema e re e pensioneve solli 160 mije kontribues te rinj

TIRANË, 15 Tetor/ATSH/.- Pas debateve të zgjatura për çështjen CEZ, Kuvendi po vijon rendin e ditës së seancës së sotme me diskutimin e disa ndryshimeve në ligjin "Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve dhe institucioneve të tjera kërkimore".

Kjo nismë e qeverisë synon përshtatjen e ligjit ekzistues me ndryshimet e reja, si rezultat i reformës së pensioneve, e ndërmarrë nga qeveria.

Përmirësimi i skemës së pensioneve shtetërore të kësaj kategorie punonjësish, ka qëllim rritjen e normës së kontributit për të punësuarit në sektorin publik nga 3.5% të pagës referuese në 5% dhe për personat e punësuar në institucione private në masën 7% të pagës referuese.

Ministri i Mirënqënis Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë fjalës së tij sqaroi skemën e pensionit social si dhe avantazhet që kjo skemë sjell.

Klosi tha se "pensioni social behet për persana që nuk kanë patur mundësi të ishin pjesë e skemave të kontributeve, të bëjnë një pagesë sociale për të bërë shumë më tepër. Ne kemi patur një pension fiks me kontributetit e gjithësecilit në skemë, ndersa në skemen e re kontributet varen nga qytetarët, të cilët duan të përkujdesen për jetën e tyre, për të pasur një pension tanimë jo fiks, por në bazë të kontributeve që secili ka dhënë", tha Klosi.

Me tej ai shtoi se ndryshimi i kësaj skemë solli 160 mijë kontribues të rinj në skemën e pensioneve, duke shtuar në mënyrë të paimagjinueshme kontributin e njerëzve në pensione. Klosi nuk hezitoi të fliste edhe për informalitetin, duke nënvizuar rëndësinë e secilit qytetar për të vepruar dhe ushtruar biznesin e tyre në pëputhje me ligjin.

Opozita nga ana e saj e konteston këtë pr/ligj, i cili, sipas saj, i godet akademikët e institucioneve të tjera kërkimore, me tituj shkencorë, pasi rrit masën e kontributit suplementar që paguhet nga të punësuarit e përfshirë në këtë skemë, duke mos pasur asnjë rritje të pagës së tyre që prej dy vitesh dhe kur pagat e kësaj kategorie janë larg pagave të homologëve të tyre, madje edhe në Kosovë. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama