Klosi ne Gjermani takon Asmussen bashkepunim konkret per arsimin profesional dhe punesimin

klosi asmusen 2TIRANË, 3 Nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, zhvilloi një vizitë dyditore pune në Gjermani, me fokus të veçantë forcimin e bashkëpunimit për mbështetjen e arsimit profesional dhe punësimit.

Gjate qëndrimit në Gjermani, ministri Klosi zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Punës dhe Çështjeve Sociale, Jörg Asmussen, me të cilin diskutoi mbi mundësitë që ekzistojnë për të çuar më përpara ndihmën gjermane në fushën e arsimit profesional për shkollat tona. Ministri Klosi parashtroi nevojën për një rritje efektive dhe cilësore të sistemit dual të trajnimit, duke reduktuar kështu disbalancën që ekziston mes shifrave të papunësisë dhe vendeve vakante në tregun e punës. Kjo disbalancë ka si shkak mungesën reale të punonjësve të mirëkualifikuar në profesione specifike.

klosi AsmussenDuke falënderuar Asmussen në emër të qeverisë shqiptare për mbështetjen që RFGJ dhe kancelarja Merkel i kanë ofruar Shqipërisë, në veçanti sa i takon idesë së implementimit të sistemit dual të formimit në vendin tonë, ai theksoi se tashmë është shumë e rëndësishme që të kalohet në veprime dhe rezultate konkrete për krijimin e "German brand schools". Ministri paraqiti të dhëna konkrete, duke informuar se aktualisht ka rreth 1500 punëkërkues gati për t'u trajnuar dhe rreth 50 shkolla, 15 prej së cilave në gjendje mjaft të mirë si godina, por me një nevojë të madhe për një "know - how", e cila do të bënte të mundur që në 3-5 vjet të krijohej një brez i kualifikuar profesionistësh. Ai theksoi se koha është një element i rëndësishëm për të filluar sa më parë implementimin e planeve afatshkurtra të trajnimit. Më tej ministri Klosi përmendi dhe historitë konkrete të bashkëpunimit të suksesshëm me Gjermaninë, siç është rasti i trajnimit të 250 infermierëve nga DEKRA, të cilët pas nëntë muajsh trajnim do të kenë një kontratë të garantuar pune dyvjeçare në Gjermani. Një tjetër trajnim i DEKRA-s është i fokusuar në drejtim të turizmit, fushë qe betet ende për t'u eksploruar në Shqipëri.

Ndërsa Asmussen, në fjalën e tij bashkëndau idenë e ministrit Klosi se, trajnimi dhe krijimi i një klase të mesme të popullsisë është një element i rëndësishëm për çdo sistem demokratik. Ai theksoi se sistemi gjerman në nivel federal ka një qendër për bashkëpunimin ndërkombëtar, me seli në Bon, e quajtur GOVET, e cila mund të ofrojë një asistencë dhe ekspertizë të vlefshme për Shqipërinë. Asmussen u angazhua për t'i drejtuar një letër Institutit GOVET në Bon, me kërkesën për vendosjen e kontakteve dhe fillimit të bashkëpunimit me qeverinë shqiptare. Gjithashtu, Sekretari Federal i Shtetit sugjeroi një bashkëpunim më të ngushtë me landet e veçanta, sidomos ato që janë më pak të "lakmuara" nga të gjitha shtetet. Z. Asmussen informoi se GIZ (GTZ) dhe KfW, të cilat janë tashmë të pranishme në Shqipëri, mund të jenë aktive sa i takon sistemit të arsimit profesional, bazuar në një ndarje të mirëfilltë pune. Për këtë, të dy bashkëbiseduesit ranë dakord të përcaktohet në marrëveshjen bilaterale të bashkëpunimit Shqipëri - Gjermani, nevoja për asistencë teknike dhe financiare, për të përfshirë, sipas procedurave të rregullta GIZ dhe KfW.

Në ditën e dytë të kësaj vizite, ministri Klosi pati një takim edhe me parlamentarin Peter Weiss, kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë për Evropën Juglindore dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit parlamentar për Punën dhe Çështjet Sociale. Marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimi rajonal, mbështetja e biznesit dhe çështja e azilkërkuesve ishin në qendër të bisedës së zhvilluar me parlamentarin Weiss. Sa u përket azilkërkuesve, parlamentari gjerman theksoi nevojën për të informuar popullsinë se azili nuk është mënyra e duhur ligjore për zgjidhjen e problemeve. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama