Klubi 27 vdekje ne rrethana misterioze e te pazbardhura

Klubi 27, vdekje në rrethana misterioze e të pazbardhura

Vdekje në rrethana misterioze dhe disa prej tyre ende të pazbardhura. Mosha 27 vjeç, është pikërisht ajo në të cilën kanë humbur jetën shumë artistë. E fundit…Amy Winehouse.

Hyrjet e shpeshta në klinikat e rehabilitimit nga droga, kishin paralajmëruar një fund të hidhur për këngëtaren britanike Amy Winehouse. 14 shtator 1983 – 23 korrik 2011. Vetëm kaq zgjati jeta e saj plot adrenalinë, dhe me shumë ulje ngritje, të cilave iu vu kapaku tragjik fundjavën e kaluar. Por vdekja e saj në moshën 27 vjeçare, nuk është disi surprizë për ata që besojnë te miti i „Klubit 27“.

Çfarë është „Klubi 27“?

Ky është klub i legjendave të artit të cilët kanë humbur jetën pikërisht në moshën 27 vjeç, për shkaqe nga më të ndryshmet dhe më enigmatiket. Klubi që quhet edhe ndryshe „Forever 27“(Përgjithmonë 27), është emri për personazhet influencues të muzikës që janë ndarë në këtë periudhë kohore të jetës. Spuntoja për krijimin e grupit të „vdekjes“ erdhi nga humbjet e jetës së emrave të tillë si Jones, Hendrix, Joplin dhe Morrison. Edhe rockeri Kurt Cobain, që vdiq në 1994, u shtua më pas në këtë grup. Me përjashtim të Joplin, vdekjet e tjera, ende mbeten shumë enigmatike.

Sipas librit “Më rëndë se parajsa”, kur Cobaini vdiq, motra e tij foli sesi muzikanti kishte folur edhe më parë, për dëshirën e rockerit, që t’i bashkohej “Klubit 27”. Në përvjetorin e 15 të vdekjes së Kurt Cobain, gazetari i njohur Robert Smith tha: “Vdekjet e këtyre yjeve në moshën 27 vjeç, kanë ndryshuar totalisht mënyrën se si e shohim muzikën rock”.

Brian Jones. Vdekur më 3 Korrik, 1969. Zyrtarisht thuhet se u mbyt në pishinë pas një “aventure të keqe”, dhe grupi Roling Stones humbi një prej themmeluesve në moshën 27 vjeç e 125 ditë.

Janis Joplin humbi jetën në 4 tetor të 1970. Sipas të dhënave kryesore duket se një mbidozë heroine i mori jetën vokalistes dhe autores së kolonës zanore të Big Brother dhe Holding Company.

Kitaristi Jim Morrison vdiq në 3 Korrik të vitit 1971.  Shkaku i vdekjes u regjistrua si “ndalim i zemrës” por sidoqoftë asnjëherë nuk u bë autopsia. Ai ishte krijuesi dhe autori i teksteve të këngëve të “The Doors”.

Kurt Cobain vrau veten më 5 prill 1994. Edhe pse për mënyrën se si Cobaini vdiq ka shumë spekulime, zyrtarisht shkak mbetet goditja me armë “Shotgun” në kokë me dorën e tij. Ishte lindur më 20 shkurt 1967 në Sietll. Janë të pavdekshme këngët e tij “Smells Like Teen Spirit” apo “Heart Shaped Box”. Ai vdiq në moshën 27 vjeç e 44 ditë.

Të tjerë emra në “klubin 27” janë Louis Chauvin që vdiq prej “sklerozës neuro sifilitike”,

Robert Johnson që vdiq prej helmimit me strikninë. Të njëjtin fat pati edhe muzikanti i “blues, Nat Jaffe prej tensionit të lartë. Jesse Belvin, edhe ky muzikant, vdiq në aksident me makinë.

Por lista është akoma më e gjatë. Rudy Lewis vdekur nga mbidoza, Malcolm Hale vdekur nga helmimi nga një ngrohës, Linda Jones vdekur nga “koma diabetike”…

Les Harvey vdiq në 3 Maj të vitit 1972 pasi ra në kontakt me rrymën elektrike në kitarën e tij, gjatë një koncerti. E fundit që i bashkohet “Klubit 27” është Amy…(DW)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama