TIRANË, 15 Tetor/ATSH/.- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zhvilloi një takim me zëvendëskomandantin e Forcës Tokësore të NATO-s, gjeneral lejtënant Ed Devis, i cili ndodhet për një vizitë në vendin tonë.
Gjatë këtij takimi, ministrja Kodheli e njohu ushtarakun e lartë të NATO-s me reformën e bërë në Forcat tona të Armatosura, si dhe me angazhimet e marra në këtë kuadër.
Ministrja Kodheli theksoi se "Shqipëria është përgjigjur dhe do të vazhdojë të jetë gjithnjë në linjën e parë të përgjigjes pozitive në raport me aleatët tanë. Ndërkaq, nga viti 2016 deri në vitin 2018, Shqipëria do të ketë gati dhe do të përgatisë një kompani "deployable", pra të lëvizshme, dhe brenda 4-5 ditëve nga momenti kur mund të ketë nevojë do të jetë gati për t'iu përgjigjur pozitivisht të gjitha thirrjeve të Aleancës".
Nga ana e tij, zv.komandanti i Forcës Tokësore të NATO-s, gjeneral lejtënant Ed Devis, vlerësoi kontributin që Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura kanë dhënë në operacionet në kuadër të Aleancës, si dhe vlerësoi maksimalisht sidomos kontributin që do japë vendi ynë në Task Forcën e përbashkët të NATO-s.
Sipas gjeneral lejtënant Devis, ky angazhim është shumë i rëndësishëm për NATO-n, krahasuar me një vend të vogël siç është Shqipëria.
Gjithashtu, po sot zëvëndëskomandanti i Forcës Tokësore të NATO-s, gjeneral lejtënant Ed Devis, është pritur në takim nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ë, gjeneralmajor Jeronim Bazo./k.s/