Kodheli e akuzon Ke frike nga zullumet Imami Edi Rama te bertiste nga WC-ja

Kodheli e akuzon: Ke frike nga zullumet, Imami: Edi Rama te bertiste nga WC-ja

Replikat mes ministres së Mbrojtjes dhe ish-ministrit në Kuvend.
Kodheli: Imami ka frikë se e di çfarë zullumesh ka bërë.
Imami: Rama ju bërtiste nga WC: Mimi, mbaroi letra higjienike.

Debati për padinë ndaj ish-ministrit Arben Imami është transferuar dje edhe në Parlament. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka shfrytëzuar kohën e një projektligji për të folur rreth padisë së depozituar në Prokurori ndaj paraardhësit të saj, Arben Imami. Kodheli deklaroi se gjatë kohës që PS ishte në opozitë mendonin se në Ministrinë e Mbrojtjes kishte abuzime, por sipas saj, me marrjen e pushtetit u zbuluan ato që ajo i quajti “shpellat e korrupsionit”. Ajo iu drejtua ish-ministrit të Mbrojtjes, duke i thënë se bën mirë të ketë frikë për denoncimin e depozituar në organin e akuzës. “Nuk ka nevojë të jesh psikolog për të parë frikën në çdo rresht të deklaratave kërcënuese të ish-ministrit dhe për mua është mëse e qartë, si për çdo njeri në këtë sallë, që ka frikë. Cilido do të ishte shumë i frikur në fakt po të ishte në pozicionin e tij sot, sepse më mirë se kushdo ai e di se çfarë zullumi apo zullumesh mund të ketë bërë, pavarësisht luftës imagjinare politike që mendohet se është kundër tij”, u shpreh Kodheli. Por, kësaj akuze Imami iu përgjigj me kundërakuza duke thënë se: “Mos kujtoni se ka frikë nga Prokuroria dikush, sikurse ti që ke ikur për 24 orë në vitin 1992 nga Posta Shqiptare, për të mos u ballafaquar me Drejtësinë. Mos kujto se e di vetëm ti dhe nuk e dimë dhe ne të tjerët se si ke ikur nga Banka Amerikane”, tha ai.

Replika


Por, gjatë replikës, ish-ministri Arben Imami tha se kontrolli është i shëndetshëm dhe normal, por ai tha se kjo lëvizje motivohet politikisht nga Kryeministri Edi Rama për të bërë pis imazhin e tij. Imami tha se shkelja në këtë rast është me grupet e ekspertëve që nuk janë punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes.  “Qëllimi edhe i këtij sulmi të fundit është sulmi ndaj reputacionit dhe personalitetit të njeriut. Veproni gabim”, u shpreh Imami. Ndërkaq, ministrja e Mbrojtjes hodhi poshtë akuzuat e Imamit se kërkesa bëhet për qëllime politike. “Marrëdhënia jonë me liderin e partisë, sot Kryeministër i vendit, as ka qenë, as është dhe as nuk do të jetë një marrëdhënie pronar-çirak, siç e ka të tillë në fakt jo vetëm zotëria, por edhe kryetari i partisë së tij me liderin real të të dyve. Ndërkaq, zotëri, edhe mua, edhe Edi Ramën, na urdhëron vetëm ligji”, u shpreh ajo. Por, Imami ironizoi me ministren e Mbrojtjes duke thënë se: “Sa u përket marrëdhënieve tuaja me ish-kryetarin e Bashkisë, sot është Kryeministër, janë marrëdhënie të njohura nga të gjith; e dimë që ju bërtiste nga VC-ja: Mimi mbaroi letra higjienike!”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama