TIRANË, 28 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, inspektoi sot stërvitjen fushore të Batalionit të Tretë të Këmbësorisë të Forcës Tokësore që po zhvillohet në rajonin e Rreth-Grethit në Kavajë.
Kodheli shoqërohej nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo.
Ministrja Kodheli në fjalën e saj u shpreh se "Operacionet në mbështetje të paqes, tashmë janë pjesë e traditës së angazhimeve ndërkombëtare të FA të Republikës së Shqipërisë. Që kur ushtarakët e parë shqiptarë u nisën drejt Bosnje-Hercegovinës 19 vjet më parë, kemi qenë të pranishëm në gjithë sfidat e mëdha botërore në Afganistan, Irak, Kosovë e Çad. Dhe kemi treguar, përmes më shumë se 6500 ushtarakëve, se jemi në gjendje të tregojmë vlerat më të mira të një force ushtarake profesioniste e profesionale, njerëzish të zotë e trima".
"Po stërviteni për të vazhduar angazhimin tonë të hershëm në Afganistan në nivel toge. Jemi të pranishëm atje, fillimisht në formatin ISAF e që prej një viti si pjesë e Misionit Resolute Support, që nga viti 2002, duke iu bashkuar që në fillim koalicionit ndërkombëtar në luftë kundër terrorizmit. "Në Afganistan humbi jetën dhe kapiten Feti Vogli, dëshmori i atdheut. Akti i tij heroik na kujton çdo ditë se sakrificën që ju të nderuar ushtarakë bëni, e bën kombin shqiptar të përkulet me respekt para jush. Ne do të jemi në Afganistan, do të ruajmë të njëjtin angazhim edhe për vitin e ardhshëm dhe do të ndjekim me vëmendje kërkesat dhe nevojat e Aleancës për ekspertizën tonë. Në unison të plotë me aleatët amerikanë, turq, gjermanë si dhe në kuadër të Kartës së Adriatikut, ne do të plotësojmë detyrimet e marra vite më parë", tha Kodheli.
Zhvillimi i kësaj stërvitje është konceptuar në 5 faza, që nga planizimi dhe deri në demonstrimin përfundimtar të trupave në operacionet e mbështetjes së paqes (OMP). /a.ke/