Minstrja Kodheli merr pjesë në punimet e forumit ndërkombëtar të Sigurisë
TIRANË, 21 Nëntor/ATSH-Gjergji Mima/ -Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli po merr pjesë në punimet e Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë Halifax në Kanada. Ky Forum në fokus të tij ka çështje të sigurisë me të cilat po përballet sot aleanca dhe shtetet e tjera të cilat kanë përqafuar vlerat e përbashkëta të saj.
Ministrja e Mbrojtjes Kodheli zhvilloi një takim me zv.sekretarin Amerikan të Mbrojtjes Robert O. Work.
Zyrtari Amerikan falenderoi Shqipërinë dhe ministrinë e Mbrojtjes për angazhimin e dhënë në Afganistan si dhe kontributet me materiale ushtarake në luftën kundër terrorizmit në Irak dhe Siri.
Ministrja Kodheli e siguroi zv.sekretarin Amerikan të Mbrojtjes për vendosmërinë e palëkundur të Shqiperisë për të vazhduar në luftën kundër armiqve të vlerave Euro-Atlantike.
Ministrja mori pjesë gjithashtu në një takim të veçantë të organizuar me ministrat e vendeve NATO dhe atyre partnere. Në praninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kandasë, Hollandës, Polonisë, Lituanisë, por dhe Kosovës, Gjeorgjisë dhe Maqedonisë, u diskutua për sfidat me të cilat po përballet sot siguria globale.
Pjesëmarrësit në këtë forum diskutuan për rreziqet e sotme që vijnë nga Lindja dhe Jugu si dhe nevojën për të unifikuar qëndrimet. Ministrja Kodheli e vuri theksin tek domosdoshmëria për bashkëpunim mes të gjithë aktorëve. Kodheli theksoi se angazhimi nuk duhet të jetë i unifikuar vetëm në planin ushtarak por dhe në atë politik dhe ekonomik. Sipas saj rreziqet duhen trajtuar njësoj nga të gjithë.
/f.n/