Kodi Shengen rastet kur te kthejne dhe kushtet e levizjes

Kodi Shengen, rastet kur te kthejne dhe kushtet e levizjes
Një vendim (CE - nr. 562 / 2006 i Parlamentit Europian dhe i Këshillit të Europës në 14 mars 2006), vendos një kod komunitar rregullash mbi regjimin e kalimit të njerëzve në kufi. Ky njihet si kodi i kufijve Shengen. Ky vendim aplikohet për këdo që kalon kufijtë e brendshëm, (d.m.th., ato mes vendeve të BE-së) apo të jashtëm (pra, nga një vend i tretë jo anëtar i BE-së drejt një vendi të Bashkimit Europian).

Kufijtë e Jashtëm

Kufijtë e jashtëm mund të kalohen vetëm në pikat doganore dhe gjatë orareve që këto pika doganore janë hapur. Kur kalojnë një kufi të jashtëm, qytetarët e Bashkimit Europian i nënshtrohen një verifikimi minimal. Objektivi është të saktësohet identiteti i personit që udhëton, nëpërmjet verifikimit të shpejtë dhe të thjeshtë të vlefshmërisë së dokumentit (pasaportës) nëse ka të dhëna për falsifikim. Kurse qytetarët e vendeve jashtë BE-së duhet t'u nënshtrohen verifikimeve më të thelluara për kushtet e pranimit. Këtu përfshihet viza (në rastet kur ka regjim vizash), dhe në raste të veçanta dokumentet që autorizojnë qëndrimin dhe ushtrimin e një aktiviteti profesional.

Kur regjimi i vizave nuk është i pranishëm, por vendi nuk është anëtar i BE-së (si rasti i Shqipërisë) për një qëndrim jo më të gjatë se tre muaj në harkun kohor të 1 viti, qytetarët e këtyre vendeve duhet:

- të kenë një dokument udhëtimi
- të justifikojnë qëllimin e qëndrimit të parashikuar
- të kenë mundësi ekonomike të mjaftueshme
- të mos jenë shpallur persona non grata në zonën Shengen
- të mos konsiderohen si një kërcënim për rendin publik, për sigurinë e brendshme, për shëndetin publik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të vendeve të BE-së.

Pra, megjithëse viza nuk do të ketë, mund të përjashtohen nga hyrja në territorin e Bashkimit Europian udhëtarët (jo shtetas të BE-së) të cilët nuk plotësojnë të gjitha këto kushte të mësipërme. Rregullorja, gjithsesi, bën përjashtime të veçanta, për shembull arsye humanitare.
Në dokumentet e udhëtimit të vendeve jashtë BE-së sistematikisht shënohet një vulë në momentin e hyrjes dhe në momentin e daljes. Nëse dokumenti i udhëtimit nuk mban vulën e hyrjes, udhëtari nuk i gëzon më të drejtat e qëndrimit. Gjithsesi, në rast debate me autoritetet kufitare, ai mund të ofrojë elementë prove të besueshëm, si bileta e udhëtimit etj.

Mos u habisni nëse në një aeroport ju ndalin dhe ju thonë: Sa lekë ke me vete?

Ideja është që megjithëse mund të udhëtohet pa viza, autoritetet kufitare kanë të drejta të plotë që të të kthejnë mbrapsht ose të të kërkojnë dokumente shtesë dhe mjetet financiare. Por, rregullorja e BE-së, i detyron kufitarët të respektojnë dinjitetin njerëzor në ushtrimin e funksioneve të tyre dhe nuk mund të bëjnë diskriminime në bazë të seksit, racës apo origjinës etnike, të fesë apo të bindjeve, të paaftësisë, të moshës apo të orientimit seksual. BE garanton që rojet e kufirit të jenë profesionistë të specializuar dhe të formuar. Bashkëpunimi operativ koordinohet nga Agjencia Europiane për Drejtimin e Bashkëpunimit Operativ në Kufijtë e Jashtëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian (FRONTEX).

Kufijtë e brendshëm

Kushdo në BE, pavarësisht shtetësisë, mund të kalojë kufijtë e brendshëm në çdo pikë kufitare, pa qenë nevoja të bëhen verifikime. Policia mund të kryejë kontrolle në zonat kufitare si në të gjithë pjesën tjetër të territorit, por këto kontrolle nuk kanë efekt të njëjtë me verifikimet e bëra në kufi.

Në rastet e kërcënimit të fortë të rregullit publik, apo sigurisë së brendshme, një vend i BE-së mund të shtyjë kontrollin në kufi për një periudhë të caktuar. Kur ka ndërmend të kryejë këtë veprim, vendi duhet ta komunikojë fillimisht vendimin tek vendet e tjera të BE-së.

Pse Anglia dhe Irlanda s'bëjnë pjesë në Shengen

Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda nuk kanë aderuar në Traktatin Shengen për disa arsye. Zyrtarisht në dokumentet mbi BE-në, mund të gjenden këto motivime:

- Kanë ligje migrimi (veçanërisht Mbretëria e Bashkuar) të ndryshme nga pjesa tjetër e Evropës.
- Organizmat e kontrollit të pasaportave nuk janë forca policie, por janë personel civil me fuqi të limituara, ndërkohë që kufijtë Shengen duhet të menaxhohen nga policia e rendit ose ajo ushtarake.
- Dy vendet në fjalë aplikojnë një "Common Travel Area" që heq kufijtë mes tyre. Pra, nëse njëra do të aderonte në Shengen, duhet të rinegocionte marrëveshjen dypalëshe;
- Sovraniteti i ishujve normanë dhe ishullit Man (nuk bëjnë pjesë në Mbretërinë e Bashkuar, por janë të varura nga Familja Mbretërore Britanike)
- Në të dyja vendet ka pasur mosaprovim të lartë parlamentar lidhur me marrëveshjen Shengen.

Cilat vende ndodhen në "Hapësirën Schengen"

Hapësira Schengen, e cila përfshin "shtetet anëtare" dhe "shtete të asociuar që zbatojnë plotësisht Acqui-në Schengen".

Kjo hapësirë përbëhet nga këto vende: Austria, Belgjika, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Islanda, Italia, Lituania, Letonia, Luksemburgu, Malta, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Zvicra. (nga ky grup vendesh, Islanda dhe Norvegjia kanë ende një "pjesëmarrje të limituar" në Shengen).

Këtij grupi i shtohen edhe tri shtete të tjerë Qipro, Rumania dhe Bullgaria, të cilat, megjithëse të përfshirë në zonën Shengen, kanë ende kontrolle në kufi. Dy vende të tjerë, Anglia dhe Irlanda, nuk e njohin marrëveshjen Shengen. Aty nuk mund të shkohet edhe nëse vizat hiqen. Siç është theksuar disa herë, heqja e vizave është mundësi për udhëtim të lirë dhe qëndrim maksimum prej 90 ditësh në vendet e BE-së në afat prej gjashtë muajsh, por jo dhe mundësi për qëndrim të përhershëm ose më të gjatë apo për punë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama