Klajdi ishte një ndër fëmijët më të zgjuar, gati gati më dinaku, që mund të hasje ato kohë në çdo bar të Tiranës, ku turma fëmijësh si ai vërsuleshin për të të shitur jo kaushët e bajameve, por mbi të gjitha pafajësinë e fytyrës së tyre… (Se, a të shijojnë ndonjëherë ato bajame që sapo ia ke blerë një fëmije që të është lutur t’ia blesh duke përdorur si armë të vetme jo tamaqarllëkun tend, por fytyrën e vet të pafajshme që nuk arrin ndonjëherë as edhe te mbështetësja e tavolinës së një bari…?!).
Ishte dinak Klajdi, sepse sapo ia kishe blerë për 50 lek ato tre kausha me bajame, e pasi të kishte thënë me të njëjtën buzëqeshje në fytyrë “FALEMINDERIT”, i fuste ato lek në xhep dhe të këpuste pas kësaj ndonjë të sharrë apo ndonjë batutë “të rriturish” dhe zhdukej sa hap e mbyll sytë!
Po pikërisht për këtë arsye, ishte ndoshta fëmija më interesant në gjithë “USHTRINE” e fëmijëve të cilët prindërit i detyrojnë edhe sot që të shesin lloj lloj “erëzash”, në lloj lloj ambientesh… Prindërit e tyre, apo të rritur të tjerë, janë gjithmonë “aty rrotull”. Fëmijët e tyre “shitësa”, ndërkohë, janë sot kontigjenti kryesor i atyre që trafikohen jashtë Shqipërisë, për të lypyr, apo për të plotësuar çdo lloj kërkese tjetër për para, për epsh seksual, apo për qëllime të tjera, të grupeve më të sofistikuara të krimit të organizuar…
M’u kujtua Klajdi kur konstatuam këto ditë se një prej ndryshimeve thelbësore që duhet të ndodhte me Kodin Penal të Shqipërisë, në atë mënyrë që fëmijët që na shesin bajame, cigare, stilolapsa apo që fëmijët të cilët na sigurojnë parkingun në qendër të Tiranës, apo ata të cilët na lustrojnë këpucët, apo ata të cilët na lajnë makinat në dhjetëra e dhjetëra lavazhe, të ndihen të mbrojtur nga shfrytëzimi, pra ai ndryshim në kod që do i mbronte këta mijëra e mijëra fëmijë nga shfrytëzimi, nuk ndodhi!
Që nga viti 2009, një grup organizatash të shoqërisë civile dhe aktivistë në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve kanë lobuar që neni 124, pika b e Kodit Penal të ndryshohej në atë mënyrë që fjala “detyrimi i fëmijëve” fjalë që i referohet fëmijëve të cilët detyrohen të punojnë në moshë minore, në atë periudhë të jetës që duhet të lexojnë, të shkojnë në shkollë e të zhvillohen, pra kjo fjalë, të shndërrohej nga “detyrim” në “shfrytëzim”. Argumentat e shoqërisë civile janë të shumta. Ata besojnë se një fëmijë i vogël shfrytëzohet edhe pa qenë i detyruar të punojë dhe se ky shfrytëzim, për fat të keq, vjen nga prindërit e tij. Ekspertë të shumtë ligjorë konfirmuan për “Shekullin” se është shumë më e vështirë të vesh para akuzës prindërit që shfrytëzojnë fëmijët e tyre, apo të afërm të tjerë, në rast se në Kodin Penal përmendet fjala “detyrim” dhe jo “shfrytëzim”.
Aktualisht, edhe pse për vite të tëra shoqëria civile luftoi që të ndryshonte Kodi Penal në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të fëmijës, thuhet, konkretisht në Nenin 124, pika b të tij, se “Detyrimi i të miturit për të punuar, për të siguruar të ardhura, për të lypur apo për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij dënohet me burgim deri në katër vjet dhe me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në një milion lekë”. Në rast se fjala detyrim, argumentojnë edhe aktivistët edhe eskpertët ligjorë, do të shndërrohej në fjalën “shfrytëzim”, atëherë me siguri fëmijët që janë qindra vetëm në Tiranë duke punuar ndërkohë që duhet të ishin duke mësuar në shkollë, me siguri nuk do t’i shikonim, pikërisht në pozicionin e punëtorit. Një prej aktivistëve të të drejtave të fëmijëve, tregon se kur ky ndryshim ligjor u propozua së fundmi, “të dyja krahët politikë nuk ishin shumë të qartë se çfarë kërkohej. Plus është çështje koncepti fëmijë-prind dhe kush ka më shumë të drejtë”.
E thënë troç: a duhet t-ia heqim prindërimin e fëmijës dy prindërve fatkëqinj pa punë e pa të ardhme, të cilët përdorin pafajësinë e fëmijëve të tyre për të siguruar të ardhura, apo jo?!
Znj. Vasilika Hysi, deputete e PS dhe anëtare e Komisionit të Ligjeve, thotë se, “propozimi im ishte që të ëprdorej fjala shfrytëzim, me argumentin se garanton më mirë mbrojtjen e fëmijëve që detyrohen të kryejnë punë dhe nuk kuptojnë për shkak të moshës se po shfrytëzohen”. Sipas saj, “termi shfrytëzim është më i përshtatshëm dhe më i plotë se termi detyrim. Shfrytëzimi përfshin detyrimin”.
Po ja që, ky debat kaloi dhe, për fatin e keq të qindra fëmijëve që shfrytëzohen sot në emër të mirëqënies së të gjithë familjes, Kodi Penal akoma nuk u siguron atyre mbrojtje të plotë…
Klajdi është tashmë shumë i “rritur” për të shokuar të rriturit…
Ka të paktën disa qindra fëmijë që lypin sot nëpër rrugët e qyteteve kryesore të Shqipërisë. “Këta fëmijë”, thotë një specialiste, “nuk janë as fëmijë jetimë dhe as të braktisur! Përkundrazi, shumë prej tyre inkurajohen të lypin, nga vetë prindërit, të cilët shndërrohen kështu në ‘tutorë’ të fëmijëve të vet”.
Teksa je ulur në një tavolinë bari dhe po shijon pijen tënde, mund të gjendesh papritur përballë syve të një fëmije të zgjuar që të lutet t’i japësh ndonjë lek, ose që tenton me të gjitha mënyrat e pafajshme fëminore që të të shesë ndonjë produkt, tip bajamesh në kaaush! Dhe shumë prej nesh, të gjendur në këtë situatë, kanë menduar se këta fëmijë, janë produkt i varfërisë e se duhen ndihmuar… Në të vërtetë, ata janë pjesa e dukshme e përllogaritjeve të mendjes së prindërve të tyre, të cilët, në paamundësi për të gjetur ata vetë një zgjidhje për jetesën e familjes, detyrojnë fëmijët e tyre që të lypin, ose të shesin bajame.
Këta fëmijë lypin, ose shesin bajame, deri në 12 orë në ditë! Orari i punës për këta fëmijë, pjesa më e madhe e të cilëve nuk e kap moshën 12 vjeçare, zgjatet deri në orët e vona të mbrëmjes. Të pambrojtur dhe në mes të katër rrugëve, këta fëmijë janë të ekspozuar ndaj keqtrajtimeve dhe abuzimeve të të gjitha llojeve (përfshirë dhe ato seksuale).
Orët e gjata i pengojnë totalisht këta fëmijë që të frekuentojnë shkollat dhe i privojnë ata nga kënaqësitë normale të moshës së tyre.
“Kush i mëson ata që të thonë faleminderit?!”, mund të pyesim ne vazhdimisht! Në fakt, edhe ky artikulim i sjellshëm vjen si pasojë e orëve të gjata që ata kalojnë në rrugë. Jo pak herë, vetë “blerësit e bajamave”, guxojnë dhe u tregojnë atyre: “Thuaj faleminderit tani!”. E pas një shkëmbimi buzëqeshjesh reciproke, fëmijët, që për nga mosha janë jashtëzakonisht të hapur ndaj çdo lloj informacioni apo situate që i mëson të mbijetojnë, kuptojnë se po të thuash “faleminderit” i impresionon më shumë njerëzit, e kësisoj shet më shumë bajame…
Në një fushatë të titulluar “Lypja gjymton të ardhmen time”, rrjeti i organizatave në mbrojtje të fëmijëve informoi dikur qytetarët se çdo monedhë që ata u japin fëmijëve të vegjël në rrugë, në fakt, nuk i shpëton ata nga abuzimi apo trafikimi. Këto organizata synojnë të ndërgjegjësojnë përmes kësaj fushate, nevojën e ngritjes së një sistemi kombëtar, brenda strukturave shtetërore që e pengon që në rrënjë këtë fenomen.
“USHTRIA” e këtyre fëmijëve që botën e njohin jo përmes lodrave apo shkollës, por mespërmes tavolinave të bareve “trendy”, në të vërtetë është potencialisht edhe kontigjenti kryesor i qindra të trafikuarve minorenë sot. Shqipëria është një vend që ka ngritur në Ministrinë e Brendshme një Njësi Antitrafik, të varur nga zëvendësministrja Iva Zajmi, por që institucionet në terren janë të paafta për të identifikuar viktimat.
Edhe në raportet e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria paraqitet në një pozicion më pak të favorshëm përsa I përket luftës kundër trafikimit të fëmijëve, në krahasim me raportin paraardhës. Ka 3 nivele se si ky department klasifikon çdo vend në luftën kundër trafikimit. Niveli 1 tregon që shteti po bën të gjitha përpjekjet për ta luftuar fenomenin, dhe ka sukses. Niveli 2 tregon se shteti po përpiqet por ka akoma shumë punë për të bërë, ndërsa niveli 3 tregon se shteti nuk po përpiqet dhe niveli I trafikimit është i lartë. Shqipëria ishte në nivelin 2, dy vjet më parë, ndërsa aktualisht ka rënë në nivelin 2.5, dhe është futur në listën e vendeve “nën vëzhgim”…
Nuk është e vështirë të kuptosh një rast trafikimi, por këtu mungon sistemi!
Ku ta denoncosh në Shqipëri një rast dyshimi se fëmija që ke përballë me një kaush me bajame po abuzohet e mund të trafikohet? Ku të drejtohet një mjek, të cilit i ka ardhur në pavion një fëmijë i rrahur që kërkon t’i qepen plagët?
Trafikimi apo abuzimi mund të kuptohet menjëherë!
Ne të “Shekullit” tentuam për ditë të tëra të gjenim se ku ndodhet Klajdi. Që nga dita kur ai, fare i vogël, pa shkuar ende në bankat e shkollës, nisi të shesë bajame, me siguri kanë kaluar mjaftueshëm vite sa sot ai të ngjajë me një djalosh të ri në moshën e pubertetit. Një fëmijë në atë moshë, sipas perceptimit të prindërve shfrytëzues (nga halli) nuk bind dot më me pafajësinë e fytyrës klientët e rehatuar nëpër bare dhe kësisoj, nuk shet dot më bajame… Ka mësuar gjë Klajdi gjatë këtyre viteve të lexojë e të shkruajë? A shkon në shkollë ai? Cila është ëndrra që ka për jetën? A ka mjaftueshëm ushqim në shtëpi? A ka kushtet më të zakonshme dhe primare që një fëmijë i moshës së tij duhet të ketë në Europë? Ne nuk e dime… Klajdin, nuk e shikojmë më në rrugët e Tiranës. Në vend të tij, shikojmë dhjetëra e dhjetëra fëmijë të tjerë të moshës nga 5 në 11 vjeç…