Kodiku i rralle i Korces del nga Arkivi

Kodiku i rralle i Korces 'del' nga Arkivi
Kodiku i Korçës 93 tashmë është edhe botim. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, kanë organizuar mbrëmë promovimin e botimit faksimile të këtij kodiku. Një seri prej 1300 kopjesh, të cilat AQSH i konsideron të limituara. Sokol Çunga, arkivist/paleograf në Arkivin e Shtetit dhe Andi Rëmbeci, lektor i Paleografisë dhe Historisë së Bizantit në Universitetin e Tiranës, janë autorët që kanë punuar për botimin.

Kodiku i Korçës 93 ndodhet sot në Arkivin Qendror Shtetëror dhe është një nga 100 dorëshkrimet bizantine dhe pasbizantine që u rizbuluan nga mosdukja pas ndryshimit të regjimit ateist në vend. Kodiku i përket shek. X dhe përmban tekstin e katër Ungjijve. Për nga periudha historike, kodiku është i vendosur në mes të epokës maqedonase, gjatë së cilës Bizanti njohu fuqinë dhe lavdinë më të madhe të tij. I prodhuar në Kostandinopojë, ai është përdorur në Mitropolinë e Korçës, thesar i çmuar i së cilës pati qenë për shumë shekuj. Kodiku paraqet interes të përveçëm artistik dhe historik.

Nga njëra anë, na jep një pamje interesante të prirjeve artistike që kishin punishtet libërshkruese të Kostandinopojës gjatë periudhës së quajtur si Rilindja Maqedonase dhe, nga ana tjetër, dëshmon për lidhjen në përgjithësi të mjedisit të Shqipërisë së sotshme me kryeqendrën kulturore të Bizantit. Prandaj dhe zë vend të përveçëm mes atyre dorëshkrimeve që për shumë shekuj u përdorën dhe u ruajtën në mjedisin shqiptar.

Përbëhet nga 308 fletë pergamene me përmasa 153 x 120 mm. Teksti i katër ungjijve është i shkruar në pergamenë të hollë, të punuar mirë, me ngjyrë të bardhë qumësht. Sipërfaqja e shkruar e tekstit të katër ungjijve paraqitet në formë kryqi, një dukuri veçanërisht e rrallë në historinë e dorëshkrimeve bizantine. Ia vlen të shënohet fakti se, Kodiku i Korçës 93 përbën një nga dorëshkrimet më të vjetër të kategorisë së kodikëve me të gjithë tekstin në formë kryqi.

Kodiku i Korçës 93 është shkruar me shkrim germëvogël të tipit Bouletée, një shkrim i rrumbullakët, i një mjeshtërie të shkëlqyer kaligrafike. Për shkrimin e tekstit është përdorur bojë me ngjyrë kafe, ndërsa për titujt e kapitujve dhe germat nistore është përdorur ar dhe e kuqja. Kodiku i Korçës 93 paraqet elementë dekorativë të çmuar të kohës dhe përbën pjesë të pashkëputur të historisë së artit bizantin.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama