Mjaft të përmendësh angazhimin e një numri të madh aktorësh, rreth 20, mes të cilëve Fatos Sela në rolin e Frankut, Luiza Xhuvani në rolin e bashkëshortes së tij, Neritan Liçaj në rolin e kryeprokurorit, Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Roland Trebicka, Saimir Braho, Holta Daku, Sokol Angjeli, etj. Ndryshe nga herët e tjera jo vetëm aktruan, por edhe u përpoqën të këndonin. Disa shfaqën edhe dhuntinë e fshehur të të kënduarit madje. Pjesët muzikore të krijuara nga kompozitori Endri Sina u sollën live nga një bandë instrumentistësh të drejtuar nga Mario Deda. Duhet veçuar skenografia e Genc Shkodranit. E lëvizshme, praktike, që herë i ngjante një banke, herë një kishe me xhama tipikë shumëngjyrësh, ku celebrohen meshat funebre të të vdekurve. Po nuk mund të mos përmenden veshjet, të stiluara enkas për këtë vepër nga Anila Zajmi. Të menduara deri në detaj, ku spikasnin dorezat dhe këpucët e kuqe, si për të paralajmëruar që kemi të bëjmë me një bandë gjakatare. Skenografia dhe kostumografia (shtuar këtu edhe grimi i aktorëve) i mëshonin edhe më tepër karakterit groteskt dhe simbolik të veprës.
Që përpara shfaqjes regjisori Kumbaro paralajmëroi karakterin politiko-social të veprës. Gjë që ishte fare e dukshme. Në fund të shfaqjes, spektatorët nuk mund të mos përmendnin rezonimin që vepra ka me të sotshmen tonë. "Banditizmi është kudo, gangsterizmi është i pranishëm në të gjitha shoqëritë. Pastaj me ngjarjet aktuale, fjalët janë të tepërta. Paralelen e bën menjëherë spektatori", - thotë gjuhëtari Ardian Klosi. "Mashtrimi na ndjek në çdo hap", - thotë një spektatore. Një pjesë e mirë e publikut (kryesisht spektator i thjeshtë) e përkufizoi shfaqjen si "shumë të mirë", "të mrekullueshme", "që i kishte munguar skenës". Por kishte edhe të tjerë që përpos mesazhit të fortë që përcillte vepra e quajtën disi "të lodhshme", apo "të ftohtë". "Kishte pjesë ku binte pak ritmi. Por e gjithë vepra fliste me një gjuhë simbolike, që është e rrallë në skenat tona", - tha Klosi. "Franku V" është një vepër e trajtuar ndryshe nga çdo shfaqje tjetër e ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar. Shfaqet edhe sot në orën 19.00 në TK, për të vijuar javën që vjen në fundjavë.
Alma Mile Gazeta Shekulli