Qasja e qeverisë së re ndaj biznesit dhe sfida e përfaqësimit: “kush është kush?” dhe “kush bën çfarë?”. Historia e errët e përfaqësimit të partnerëve socialë në dy dekadat e fundit. Punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe nevoja për një fokus të ri të rolit të tyre në raport me qeverisjen
Nuk është e vështirë të vihet re një qasje e ndryshme e qeverisë së re ndaj biznesit. Më saktë, jo vetëm ndaj biznesit, por ndaj partnerëve socialë në tërësi. Një qasje e munguar prej vitesh, e pangjashme deri më sot, me asnjë prej praktikave e përvojave të mira perëndimore apo rajonale. Një qasje ndaj një stanjacioni, që disa herë e bënte të turpshëm dhe të padenjë përfaqësimin e kategorive të biznesit dhe të sindikalizmit në raport me peshën e rolin e tyre në jetën ekonomike e sociale të vendit. Një peshë e një rol që nuk shfaqej me tërë forcën e tij në raportet me qeverisjet dhe që nuk dukej se kontribuonte, jo më për vendin, por as për veten…
Duket se diçka do të ndryshojë. Dhe thirrja është për një ndryshim rrënjësor e të shpejtë. Në tërë këto vite, biznesi nuk arriti të ngrinte nivelin e përfaqësimit dhe, as të dëgjohej për çështje të rëndësishme. Politika e përdori sipërmarrjen në mënyrë fyese, në raste të veçanta, duke e “mjelë” si të ishte lopë, sa herë që afrohej sezoni i zgjedhjeve lokale apo të përgjithshme, bëri sikur e dëgjoi dhe nuk e dëgjoi asnjëherë plotësisht, bëri sikur i plotësoi kërkesat e ligjshme dhe asnjëherë nuk i lejoi të ishte në avangardë dhe të diktonte mbi politikën, sikundër ndodh kudo, në të gjitha vendet e qytetëruara. Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim të dukshëm edhe përsa i përket rolit dhe vendit të sindikalizmit shqiptar. Ose të paktën ky është pikëvështrimi që gjykoj nga një analizë e plotë e asaj që ka ndodhur e ndodh në jetën sindikale shqiptare.
Qeveria e re dhe raporti me partnerët socialë
Shpejt të thuash se çfarë konfigurimi do të këtë kjo marrëdhënie e re. Por ama, nuk mund të mos vesh re se ka një qasje tjetër. Jo vetëm programore, por edhe konkrete. Ka një kërkesë për të ndryshuar raportet e marrëdhënieve me sipërmarrjen, e nisur që para votimit të kësaj force politike, kur ekspertët e saj ndanë me ekspertët, (e maturur tashmë) të biznesit, opinione, këndvështrime dhe analiza të përbashkëta për ekonominë e biznesin, për modelet e qeverisjes dhe politikat, qofshin ato ekonomike apo edhe fiskale. Nuk kishte ndodhur më parë një gjë e tillë. Kjo i dha një fizionomi tjetër tërë praktikës të deritanishme të komunikimit të qeverisjeve me biznesin. Ajo duket se u finalizua dhe po finalizohet me programimin që qeveria “Rama” ka vendosur të realizojë e që fokusohet në Këshillin Ekonomik Kombëtar, një njësi pranë Këshillit të Ministrave, që duket se do të jetë një faqe e re e perspektivës së marrëdhënieve të sipërmarrjes, punëmarrësve dhe shtetit në dekadën që vjen.
Një ndërmarrje e tillë institucionale kishte kohë që ishte bërë e nevojshme. Modeli nuk mungonte. 28 shtete të Europës Perëndimore e kishin realizuar tashmë një gjë të tillë. Kosova ishte shteti i fundit i rajonit që e materializoi këtë ide në fund të vitit 2010, kur, pas shumë debatesh, arriti të krijojë Këshillin Ekonomiko-Social, një komunitet partnerësh socialë, që konsultonte qeverinë për të gjitha hapat që ajo do të ndërmerrte. Një model i tillë i është ofruar edhe qeverisë së shkuar shqiptare, por ajo asnjëherë nuk e mori parasysh, aq sa arriti në një vendim banal të Këshillit të Ministrave në ditët e fundit të tij (para zgjedhjeve të 23 qershorit) sipas të cilit dy ministra, i Punës dhe i Ekonomisë, do të vendosnin të caktonin mbledhje të përbashkëta të Këshillit Kombëtar të Punës (KKP) dhe të Këshillit Konsultativ të Biznesit KKB), gjoja në emër të Këshillit Ekonomik e Social (KES), që nuk u arrit të krijohej. Dy entet butake, pa kocka, të KKB dhe KKP, që nuk u arrit asnjëherë të merrnin fizionominë e plotë që iu paracaktonte ligji dhe aktet e tjerë ligjorë, nuk mund të ishin dhe të mbeteshin në “orekset” e dy ministrave, cilëtdo qofshin ata dhe sado të dëshiruar të ishin për të siguruar këtë partneritet social. Asgjë nuk ndodhi me këtë VKM, ndërkohë që qeverisë së sotme i duhet ta anulojë pa hezitim!
Tani ka ardhur koha për të mos humbur kohë
Kohët e fundit Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë ka ideuar nevojën e negociatave për të ringritur Këshillin Kombëtar të Punës. Nuk e di se cili është qëllimi i ministrit të ri Veliaj, apo se kush e këshillon atë për një ndërmarrje të tillë, por përpara kësaj nisme do të duhet të lexohet nëpër rreshta kërkesa e kryeministrit për ngritjen e Komitetit Ekonomik Kombëtar. Modele ka, madje shumë, edhe për këtë të fundit, sikundër janë ato që po i ofrojnë këshilltarë të njohur kryeministrit aktual. Po nuk gjykoj se ringritja e KKP, apo mbase edhe e KKB, duhet bërë sipas modelit të tyre ekzistues. Atij modeli që tregoi dështimin e plotë jo vetëm të dialogut social, por edhe të vlerës së shtuar që mund të sillnin entitete të tilla të sindikalizmit dhe sipërmarrjes në oponencën pozitive të qeverisjeve, në ofrimin e praktikave që ndihmonin ekonominë e rritjen ekonomike, punësimin e paqen sociale etj, etj.
Le t’i marrim me rradhë. KKP, megjithë tentativat pozitive të vitit të fundit, nuk arriti asnjëhere të sigurojë përfaqësimin real të sindikatave dhe shoqatave të biznesit. Aq të “çimentuar” ishin “partnerët socialë” në tryezën e këtij këshilli, sa askush nuk mori guximin t’i përpiqej ministrisë së Punës së atëhershme, lidhur me kriteret e përfaqësimit që ajo kërkoi të implementonte. Sindikatat kishin përfaqësim të krerëve të tyre që kishin më shumë se një dekadë si anëtare të KKP. Ata nuk i lëviz dot askush nga ai pozicion! Mbase kështu ndodh ngaqë votohen. OK!. Por në terren nuk vërtetohej kjo asnjëherë. Arrita të identifikoj këtë gjatë një tentative për të nëshkruar një marrëveshje kolektive mes sindikatave të konfeksioneve dhe shoqatës përkatëse të punëdhënësve të këtij sektori. Kishte dy sindikata të tilla, në të dy grupimet e mëdha sindikale, BSPSH dhe KSSH. Por nuk kishte sindikatë në terren, në ndërmarrje. E vetmja alternativë që na u ofrua ishte që të pranonte sipërmarrësi të paguante koutizacionin e punonjësve që sindikata të quhej ekzistente (?!). Dhe kuotizacioni ishte qesharak 50 lekë/vit për sindikalist! Mahnitesh kur gjykon se si sindikata të tillë mbajnë veten me paga e honorare. Por kjo është një çështje që meriton një analizë të veçantë dhe që lidhet medoemos me pasuritë që këto grupime sindikale përfituan nga ish pasuritë e dikurshme të shtëpive të pushimit e hoteleve pasuri shtetërore, që i morën në përdorim njëzet vite më parë… E njëjta pamje është edhe me biznesin. Mjaft që të shohësh përbërjen e KKB dhe “vjetërsinë” e anëtarëve që përfaqësojnë organizatat e sipërmarrësve. Prej vitesh të njëjtët njerëz, të njëjtin qëndrim, të njëjtën paaftësi për të përfaqësuar mandatorët, që i kishin mandatuar në këtë ofiq. Madje edhe organizata që nuk figuronin as të rregjistruara, ose që kishin përfunduar mandatin e tyre prej shumë kohësh…
Këtu nuk është fjala për të bërë nihilistin dhe për të shumëzuar me zero gjithçka që ka qënë për t’u shënuar. Por mosfunksionimi i këtij enti përfaqësues, i njohur ligjërisht si konsulent i qeverisë dhe ofrues i opinioneve të sipërmarrjes, shkonte deri aty sa anëtarët nuk denjonin të paguanin as kuotizacionin, duke e bërë qesharak deri në fyrje këtë organizëm, ku përfaqësohej biznesi elitar. Nuk ka shumë nevojë për analizë personale në këtë drejtim, sepse disa institucione prestigjioze si CIPE (Qendra Ndërkombëtare e Sipërmarrjeve Private, me qendër në Uashington) e analizuan gjendjen e këtij këshilli dhe i ofruan rekomandime të vlefshme më shumë se tre ministrave rradhazi, që drejtuan ministrinë e ekonomisë në vitet e fundit, rekomandime që as që u morën parasysh ndonjëherë. I vetmi reagim i këtij këshilli dhe kryetarit të fundit të tij ishte një amendim i ligjit të KKB, që kërkonte vendosjen nën kërcënimin e ligjit të pagesës së kuotizacionit vjetor të anëtarëve (?!) Deri këtu kishte arritur përfaqësimi i sipërmarrjes elitare shqiptare që duhet të paguante më pak se 1500 USD/vit për anëtarësimin e shoqatës së tij në këtë këshill.
Po nuk ishte vetëm kjo. Numëroheshin me gishtat e njërës dorë, anëtarët e KKB, që mund t’i përgjigjeshin kërkesave të dobishme të sekretaritatit të këtij këshilli, për të komentuar, analizuar, debatuar e përmirësuar ndryshimet ligjore që qeveria kërkonte dhe për të cilat duhet të shprehej sipërmarrja. Edhe kur interesat e saj dëmtoheshin hapur nga veprime klienteliste ligjore të qeverisë, askush nuk reagonte! Në fakt pakkush aty përfaqësonte interesa komuniteti, përveçse interesa biznesi privat. Kjo ishte edhe një nga arsyet e mosfunksionimit, arsyet e mos thirrjes rregullisht (jo më pak se katër herë në vit-thotë ligji respektiv) i këtij këshilli. Dhe madje edhe abandonimi që i bënte qeveria e rradhës, kur nuk dërgonte fare për diskutim e konsultim dhjetra e qindra akte ligjore e nënligjore që preknin drejpërdrejt interesat e sipërmarrjes. Kjo e kishte bërë edhe këtë ent të kthehej në një ent qesharak, kur ministri i rradhës i ftonte mediat vetëm sa për të filmuar fjalën e tij dhe, sapo ai të mbaronte ligjëratën, ato duhet të nxirreshin përjashta.
Pse nevojitet një QASJE e re?
Për shumë arsye, por për më shumë për të treguar vlerat e vërteta të këtyre aktorëve socialë, pra të sindikatave dhe të shoqatave të sipërmarrjes. Ka ardhur koha për një analizë të tyre, që nuk i bën mirë vetëm qeverisë, por sidomos këtyre grupimeve që demokracia i kërkon të jenë në nivelin e vetë komuniteteve që përfaqësojnë. Ka ardhur koha që të aplikohen, me një vendim të posaçëm të qeverisë, kriteret e përfaqësueshmërisë, pra “kush është kush” dhe “kush bën çfarë”. Për të parë se cilët janë përfaqësuesit realë të sindikalizmit dhe të sipërmarrjes. Mbase janë këta që janë dhe atëherë “bujrum”, le të vijojnë të jenë në përfaqësim të anëtarësisë së tyre. Por nuk e gjykoj të tillë kur konstatoj se sindikatat nuk kanë asnjë transparencë minimale që të tregojnë burimet e tyre të financimit që vijnë edhe nga kuotizacioni, kur shoqatat e biznesit nuk përfaqësojnë realisht anëtarësinë e tyre, sepse prej vitesh nuk realizojnë dot as një mbledhje të zakonshme të asamblesë së anëtarëve, kur “liderët” e të dy këtyre partnerëve, nuk arrijnë të sjellin asn jë vlerë të shtuar në tërë këtë arenë të nevojës për kontribut të të gjitha palëve. A iu kujtohet që biznesi apo sindikatat të kenë ushtruar të drejtën kushtetuese të propozimeve legjislative? Sa herë e kanë bërë këtë gjë? Pse nuk e kanë bërë? Sepse nuk kanë asnjë lidhje (me përjashtime të rralla) me ato shqetësime që ka biznesi apo sindikalizmi. Më e pakta!
Prandaj nevojitet një qasje e re. Jo klienteliste, për të ricikluar të njëjtat “figura” edhe në entet e reja të propozuara. Jo të gënjeshtërt, për t’u perifrazuar me shprehen e njohur: “Ku ishe? Hiç gjëkundi! Çfarë bërë? Hiç asgjë!”
Organizimi i biznesit (sidomos), në tërë këto vite, nuk iu afrua asnjë prej standardeve të njohura perëndimore. Një prej organizatave tona përfaqësuese në IOE - Organizatën Ndërkombëtare të Punëdhënësve- u largua me ceremoni me një vendim të Bordit Drejtues të kësaj organizate prestigjioze që përfshin 143 vende anëtare. Pse? Sepse për tre vjet rresht nuk kishte paguar kuotizacionin?! Por kjo organizatë, si edhe të tjerat, pa anëtarësi, nuk kishte se si ta bënte këtë, sepse nuk kishte asnjë organizim të brendshëm.
Ka një tentative të re, nëpërmjet krijimit të një organizate të re umbrellë, siç është BiznesAlbania, regjistrimi i të cilës në gjykatën e Tiranës u bë me para holandeze, a thua se sipërmarrësit shqiptare nuk dispononin 1000 Euro për një gjë të tillë. Por edhe kjo organizatë, sikundër KOP, KOPSH, BOBSH (një sërë organizatësh të tjera pararendëse të saj me emra bashkëtingëlloresh të pazëshme) duket se po shkon në të njëjtën rrugë. As nuk ndiet, as nuk flet dhe as nuk përfaqësohet prej shumë kohësh. Një organizatë serioze, sikundër pretendon të jetë BiznesAlbania, anëtarja e re e IOE-së, nuk mund të mos zbatojë statutin e saj, nuk mund të mos arrijë dot të mbledhë Bordin e saj dhe nuk mund të mos mbledhë dot Asamblenë e saj të përgjithshme! Në të kundërt…
Sëmundja vazhdon! Dëmi është i sipërmarrjes, qari është i qeverive! Por unë gjykoj se, të paktën kjo qeveri, nuk e dëshiron këtë “qar”!