Nesër në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vjen shfaqja “Vërtitu kokë e prerë”, teatër poetik sipas baladës me të njëjtin titull të Petrit Rukës, kushtuar Ali Pashë Tepelenës nën interpretimin e aktorit Bujar Asqeriu dhe polifonisë labe... Një natë poetit i del në ëndërr i famshmi Ali Pashë Tepelena. “Dëgjo bir, u bënë 200 vjet që jam pa varr. Nisu dhe ma bjer kokën në atdhe. Rrëmbeje se është e jotja. Nëse ke frikë zgjo nga gjumi Thanas Vajën dhe Marko Boçarin…Ky është një amanet!”.
Misioni duket i pamundur…por jo për një baladë, për një poet, për teatrin…
Burra me fustanella që ia marrin isos, një balerinë që trupëzon tingujt me lëvizjet në ajër, një vajtojcë që gjëmon kobin dhe një zë kumbues që jehon “Janinë e zeza Janinë, ç’e bërë Pasha Alinë” është kjo atmosfera sjell teatri poetik “Vërtitu kokë e prerë”, e cila rivjen në skenë, kësaj herë duke e transformuar teatrin eksperimental Kujtim Spahivogli” në frymën e Shqipërisë Mesjetare. Kjo shfaqje shënon edhe aktivitetin e parë të kalendarit artistik për këtë teatër.
Nën regjinë e Naun Shundit, ky teatër poetik është një dramatizim i baladës me të njëjtin titull të autorit tepelenas Petrit Ruka në vëllimin e poezisë së botuar në vitin 2000, kushtuar Ali Pashë Tepelenës, figura ndoshta më e debatuar dhe e mistifikuar në historinë e Shqipërisë, ku hijet e krimeve të tij dhe vdekja e tmerrshme jehojnë fort deri në ditët tona.
Regjisori sjell një ndërthurje të poezisë, e cila vjen e interpretuar nga aktori Bujar Asqeriu, polifoninë labe nga grupi polifonik “ANTEA”, elementë koreografikë nga Arian Sukniqi të interpretuar nga balerina Isida Mollaymeri, vajtimet nga Mimoza Kosturi dhe projeksionin nga Skënder Jançe. Skenografia mban emrin e Bashkim Zahaj. Dhe koka e Ali Pashait që i është kënduar dhe shkruar aq shumë duke e kthyer në legjendë, në fund të shfaqjes arrin në Tepelenë…Teatri do të shfaqet për publikun nga data 7 deri më 10 janar.