Me titullin “Kërkesa interesante nga Shqipëria”, mediat turke kanë bërë të ditur se kryeministri Berisha ka zyrtarizuar premtimin e tij, dhënë pak kohë më parë në një mbledhje të komitetit, për kthimin e kokës së Ali Pashës dhe eshtrave të Sami Frashërit në atdhe. Po sipas mediave turke, bëhet e ditur se ministri i Mbrojtjes i Turqisë e ka marrë në konsideratë kërkesën e Berishës.
Megjithatë, përpos njoftimeve mediatike që iu referohen burimeve, nga qeveria turke nuk ka ende një qëndrim zyrtar për dy kërkesa në fjalë. Më shumë sesa kërkesa për kthimin e kokës së Ali Pashë Tepelenës, mund të sjellë reagime nga autoritetet zyrtare turke kërkesa tjetër e Berishës për kthimin e eshtrave të Sami Frashërit në Shqipëri, duke qenë se ai është gjithashtu edhe një personalitet në historinë e këtij vendi. Në fund të muajit dhjetor, në një nga mbledhjet e komitetit të qeverisë kryeministri Berisha deklaroi në mënyrë të beftë se do t’i kërkojë Turqisë kthimin në Shqipëri të kokës së Ali Pashë Tepelenës. “Mund t’u duket pak si e veçantë dhe është e tillë, por duhet të bëjmë çdo gjë që të kthejmë nga Stambolli kokën e Ali Pashë Tepelenës. Është një nga figurat dhe personalitetet me karakter dhe peshë më të veçantë.
Në qoftë se marrim historinë tonë pas vdekjes së Skënderbeut, historia jonë u transferua në tërësinë e saj në banesën e harresës si komb. Ali Pasha me të gjithë veprimtarinë e tij i dëshmoi botës se shqiptarët nuk kanë vdekur, se janë një komb i pamposhtur. Jo rastësisht më i fuqishmi i asaj kohe dhe asaj bote, Napolon Bonaparti do të tregonte interes shumë të madh për Pashain e Janinës, që në fakt filluan edhe ta shpallin si Bonaparti i Ballkanit. Pra, me të gjitha përpjekjet e tij, luftërat, ky strateg i madh i tha botës se ky komb është i pamposhtur”, – është shprehur Berisha në mbledhjen e komitetit të fundvitit.