Koka e Asklepit me e vogel se e propagandes
- Botuar: 16 vite më parë
- Shkruar nga:
Koka e Zeusit, një vlerë e kulturës shqiptare, mbas 18 vjetësh rikthehet në atdhe. Mallëngjyese po të besosh që është vërtet kokë Zeusi, po ta quash shqiptare kulturën e miteve fqinje të mbjella në koloni, dhe t\'i kesh të zënë të dy sytë kur e sheh të ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, në sfondin e një imitacioni.
Koka e Asklepit, si të ishte një gur i çmuar, i varur në gjalm, ekspozohej para një kopjeje të fragmentit të zmadhuar të paftës së brezit nga varri monumental i Selcës, shek. III para erës sonë dhe që t\'i merrte sytë sikur para ceremonisë ta kishin fërkuar me triko leshi. Aq shumë shkëlqente ajo "dëshmi" e kulturës së lashtë shqiptare të para Krishtit.
Deklaratat për këtë arritje të madhe të institucioneve shqiptare ia linin vendin sa njërës tjetrës, sipas hierarkisë së autoritetit, nga ministri i Kulturës, tek drejtori më i thjeshtë i muzeut, ku koka e Asklepit-Zeus ndoshta nuk do të kthehet më, në Butrinit.
"Çështja mbetet për t\'u diskutuar", - tha asaj dite ministri Turku. "Do të rrijë këtu apo do të kthehet në Sarandë, do ta bisedojmë", - si për të ngritur sërish peshën e entuziazmit të fillimit, ndërkohë që kamerat kishin shterur së filmuari para e pas, majtas e djathtas, vlerën e kulturës shqiptare që, mbas 18 vjetësh, ishte kthyer në atdhe.
Para asaj arke qelqi ku ishte futur koka me krela mermeri, mjekër dhe pa hundë, ministri kishte thënë: "Shqipërisë i kthehet një nga objektet më të rralla arkeologjike, Koka e Zeusit-Asklepius, grabitur nga Muzeu Arkeologjik i Butrintit në vitin 1991. Ky objekt është rikthyer në Shqipëri pas një kohe të gjatë përpjekjesh të autoriteteve të MTKRS-së, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe institucioneve të tjera shqiptare e të huaja...
Koka e Zeusit, që sot i përket shtetit shqiptar si poseduesi ligjor i tij, është një nga shembujt më të spikatur të këtij trafiku të paligjshëm, por që sot e tutje do të jetë edhe një nga shembujt e spikatur të angazhimit serioz dhe përkushtimit të një shteti palë të Konventës së UNESCO-s, siç është Italia dhe Shqipëria".
Aty, ministri Turku, krah për krah drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Kasem Biçoku, u pyet për gjendjen kritike dy kate më sipër të trashëgimisë së artit bizantin.
Ministri pa nga drejtori, të dy panë njëri-tjetrin. Gjendja është shumë e mirë, u përgjigj drejtori dhe shihte me cep të syrit eprorin e radhës, i cili po me cepin e vetë të syrit kishte konfirmuar fjalët e drejtorit.
A mund të shohim gjendjen e ikonave të shekullit XII-XIX, ishte pyetja. "Jemi institucion varësie", - tha drejtori, tani me njëfarë sigurie se vërtet fjala e fundit i takonte ministrit, dhe ky edhe për respekt të moshës nuk kishte për t\'ia prishur.
Atëherë ministri nuk pa më me bisht të syrit - të dy nuk panë më me bishtat e syve - dhe tha se në asnjë muze të botës nuk ndodh që gazetari të lejohet të shohë "arshivat". Dhe e mbylli me një, "ju paragjykoni".
Po të ishte ndonjë nga paraardhësit e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do kish thënë: ju gënjeni, ju shpifës, faktet, ku i keni faktet ju shkarrashkrues, ju zemërhudhër, ju mosmirënjohës, ju mohues të djersës së qeverisë së filanit dhe fistëkut.
Ose mund të thoshte hajdeni dhe ngjitemi bashkë tek ikonat, por tek shkallët do t\'i vinte një zile nga shefi i qeverisë, që i kërkon urgjent të organizojë ekspozitën "Rruga e kombit", kushtuar ndërtimit të rrugës më të rëndësishme kombëtare Durrës -Morinë dhe i duhet të ftojë të rinjtë - këto quhen politika rinore - të shprehin veten brenda datës 3 qershor, jo më vonë se populli fillon të zgjedhë të besuarit.
Plakja e problemit
"Shqiptarët nuk janë të ndërgjegjshëm për pasurinë që kanë. Këto probleme janë shprehje e injorancës që nuk tregon interes ndaj vlerave", - thotë Mustafa Arapi, alarmet e të cilit, në këto tre vjet, për gjendjen e ikonave e mallëngjejnë opinionin aq sa i mallëngjen autoritetet problemi real.
Bëhet fjalë për 500 ikona dhe për 200 objekte liturgjike që ndodhen në fondet e katit të tretë të Muzeut Historik Kombëtar. Aty ndodhet edhe Pavijoni i Ikonave. Pavijon i thonë! Ai që duhej ta fuste vizitorin në magjinë e artit ikonografik dhe misteret e shpirtit, më shumë se gjysma është në errësirë. Një poç ndezur, katër djegur.
Për të njëzetën herë, Arapi, si specialist me përvojë 30-vjeçare për veprat e artit mesjetar kishtar, si ish-shef i Departamentit të Artit në Institutin e Monumenteve të Kulturës, thotë se në kushtet e mungesës së sistemit të mikroklimës, parametrat që duhet të jenë konstantë, lagështia 40% dhe temperatura 18 gradë, është e pamundur për kushtet e këtij muzeu, ku gratë e shërbimit i bëjnë ballë vapës që sa ka nisur me freskun e ventilatorit.
Në dimër temperatura në Muzeun Historik Kombëtar shkon edhe -2 gradë, ndërsa në verë tek Pavijoni i Ikonave, një pjesë e të cilit është shumë i ekspozuar ndaj temperaturave, sepse ndahet me peçikllas, shkon mbi 40 gradë.
Në këto kushte, ikona nis e bëhet si tjegull dhe shtresat piktorike shkërmoqen si petë byreku. Këto janë krahasimet që gjen Arapi dhe që ilustrohen nga këto dy fragmente "Krishti dhe Shën Mëria" nga ikona "Deisis" (Lutja - qendra e baldakinit të ikonostasit) realizuar nga Onufër Qiprioti, rreth vitit 1604.
Në laboratorin e Restaurimit të Shkollës, që është ngritur brenda Institutit të Monumenteve të Kulturës, Edlira Çaushi na tregoi rastin e "efektit tjegull", mbi të cilin specialistët po punonin. Është një nga ikonat e fondit të muzeut. Për këtë dhe për dy tjera ka shtatë muaj që po punohet.
Pa llogaritur kohën që ka ngrënë burokracia e autoritetit të Muzeut Historik Kombëtar, i cili nuk e lejon kollaj daljen e objekteve për tek laboratori i institutit. Ideja për një laborator në muze është po aq e vjetër sa problemi i ikonave.
Edlira thotë se specialistët restauratorë janë Qendra e Konservimit dhe e Restaurimit, që lindi si projekt i UNESCO-s, vazhdon të krijojë kontigjentë, "por po të jetë dëshira, bën gjëra shumë të mira.
Para pak ditësh kam vizituar Pavijonin e Ikonave dhe nuk mund të thuash që gjendja me ikonat është shumë e mirë. Gjendja është kritike" dhe përfundon: "Një drejtor ka shumë në dorë".
Ndërkaq, Mustafa Arapi ka hedhur idenë e muzeut të artit bizantin, e një qendre të artit bizantin. "Ikonat s\'kanë pse të rrinë në atë muze, ai është muze historik, nuk është muze arti. Them se muzetë e ikonave që kemi në Berat apo në Korçë, me një pasuri të tillë të shpërndarë, duhen rikonceptuar.
Por e keqja e madhe është se drejtorët ndërrohen çdo vit dhe një iniciativë nuk çohet asnjëherë deri në fund. Është e nevojshme që ministri i Kulturës, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dhe Instituti i Monumenteve të bëhen njëherë bashkë dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje".
Po të bëhej një klasifikim për gjithë ikonat e fondit, të cilat Arapi i ka kataloguar, patjetër që nga ajo mori, 200 janë vërtet të çmuara. Janë shkollat e Onufrit, të Onufër Qipriotit, Kostandin Shpatarakut, Johan Athanasit, janë Çetirët, të cilët kanë së paku 30 punë, gjen aty Zoograf.
"Krishti më i bukur që kam parë në jetën time ndodhet në ato fonde. Është i shekullit XII, dru i punuar në ar, autor anonim. Ka ikona ruse të shekullit të 17-të me shumë vlera. Dhe ta dinë shqiptarët që aty ka ikona nga shek. XII deri në shek. XIX. Brezat që do të vijnë do të na shajnë".
Koka në tepsi Bota Shqiptare
Tani që të gjithë ia rrahën çaçkën me krrela të mermerta, e ngritën si trofe, e mbajtën në duar për të bërë foton e radhës e nga Roma në Tiranë ia bënë pas ministrit me valixhe diplomatike që të kryente edhe ai ritualin e fotos, por kësaj radhe brenda një sarkofagu të qelqtë, Asklepi do të gjejë prehje. Perëndi e shërimit siç është, do të dijë ajo kokë guri e dërrmuar nga njerëzit dhe mijëvjeçarët, të tërhiqet në hyjësinë e vet.
Veç po e lanë të qetë. Pasi vetia shëruese që i mvishet hyut nga lashtësia, adhuruesit e rinj që po i rreshtohen përbri për një foto a video, fort po shpresojnë që ta ushtrojë për t\'u dhënë edhe atyre pak nga rrezatimi i tij amëshues.
E ndoshta për këtë arsye, mes pezullisë së arkeologëve që ende s\'e kanë ndarë mendjen se kujt i përket ajo kokë pa trup, këtyre anëve, në Ambasadën Shqiptare të Romës, e quajnë veç Zeus, kryeperëndi.
Asklep apo Zeus, tashmë është kthyer në Shqipëri. Aty ku 2400 vjet më parë e patën ngritur e adhuruar, 80 vjet më parë e patën nxjerrë nga varri i kohës, 18 vjet më parë e patën grabitur.
Ajo kokë që, për më se 24 shekuj nuk kishte lëvizur nga Butrinti, në pak kohë ka bredhur kushedi sa vende për të përfunduar udhëtimin e vet në një ankand anglez, e nga aty, më 1996-ën, në Romë, në piedestalin e shtëpisë së një koleksionisti italian, i dashuruar pas asaj koke që nuk e njihte as si Asklep e as si Zeus, por i dukej i bukur.
Ndaj e pat blerë në ankandin anglez, si "kokë burri" për 40 milionë lireta, deklaron. Porse për t\'ia kthyer të zotit, domethënë Shqipërisë, pronari-blerës me të drejtë ka kërkuar një shifër blerjeje. Simbolike, e quan ambasadori Kola. Janë 20.000 euro, ose 40 milionë lireta. E këtu zë fill edhe shpërdorimi i Asklepit.
Që një vepër arkeologjike e vjedhur t\'i kthehet vendit që i përket, është tashmë prerogativë e vendeve demokratike. E veprat arkeologjike, më shumë se çdo gjë tjetër kanë qenë, të paktën në 70 vitet e fundit, protagoniste të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë e Italisë.
Lista më e gjatë që Shqipëria i vë përpara Italisë në Konferencën e Paqes të Parisit, përbëhet nga poçe balte e koka mermeri të sjella në Itali nga arkeologët italianë, të njëjtë që i kanë zbuluar.
Njëra prej tyre, kokë burri, Apolloni ndoshta, e mbiquajtur edhe ajo si Dea, Perëndeshë e përgjithshme, do të shndërrohej përveçse në simbol të bukurive arkeologjike shqiptare, edhe në temë të çdo bisede diplomatike për gati 40 vjet rresht, deri më 1982-shin, kur qeveria italiane ia kthen Shqipërisë, duke sjellë jo pak trazim mes senatorëve nacionalistë.
Njëri prej tyre, përçmues ndaj shqiptarëve, "90% analfabetë" sipas tij edhe më 1984-ën, citon Papa Piun për mënyrën pse iu dha kaq lehtë shqiptarëve "E il modo ancor ci offende".
Edhe ne sot, jo më analfabetë për italianët, nuk parafrazojmë Papën, por Danten: "è il modo ancor m\'offende". Por duke iu drejtuar përfaqësuesve tanë.
Pikërisht, mënyra na fyen. Mënyra se si kthimi i një vepre që i takon shtetit shqiptar, një vepër që na takon të gjithëve si pasuri kombëtare, blihet me para nga vetë shteti shqiptar. Dhe lajmi i paradokohshëm gati turpëron shtetin shqiptar për mënyrën dhe shpejtësinë me të cilën mbylli këtë operacion triumfant për kamerat.
Lajmi ishte se kokën e patën blerë dy privatë, Igli Tare dhe Lorik Cana, dy futbollistë të kombëtares, të cilëve xhepi dhe dinjiteti ua lejon të blejnë me paratë e tyre, e më pas t\'ia dhurojnë vendit të vet një vepër arti grabitur nga Shqipëria.
Do t\'ia blinin koleksionistit, patën madje depozituar çekun, si një operacion mes privatësh, një vepër dinjitoze.
Por janë kopertinat e gazetave shqiptare e italiane që nderuan këtë gjest dinjitoz të Tares e Canës që nuk u gëlltitën lehtë nga qeveritarët shqiptarë, të cilëve iu duk se u iku për duarsh një rast i mirë reklame përdëllimi për veprat e artit.
E aq i lartë qe ky përdëllim, sa nxorën krejtësisht jashtë loje dy sulmuesit, e u hodhën vetë të paguajnë privatin. Shteti pra, bleu veprën që i takon, duke paguar një koleksionist që ka blerë një vepër të vjedhur, duke mos pritur mbarimin e hetimeve ndaj Christie\'s .
Edhe pa mbaruar hetimet, nëpërmjet ligjit që u sekuestron privatëve veprat e vjedhura të blera edhe me mirëbesim, do të ishte koleksionisti italian që do të trokiste dyerve të Christie\'s për të kërkuar paratë dhe madje dëmshpërblimin e vet.
Por u zgjodh rruga e pagesës. Shpejt e shpejt.
Duke nxjerrë jashtë dy privatët, Tare e Canaj. Për një arsye mjaft të thjeshtë: jemi në fushatë zgjedhore. Një gjest dinjitoz, ai i Tares dhe Canës shkelet me këmbë për hir të dy flasheve fotografikë në albumin qesharak të ballëlartëve faqe gazetash e reportazhesh televizive. Një arritje e madhe, gjetja e një vepre arti që i takon Shqipërisë, blihet me para nga vetë shteti.
Është fyes, ky teatër i trishtë i ballëlartëve që i shtrijnë kamerave tepsinë me kokën e Asklepit të vjedhur dhe të blerë me para.
Gazeta e shqiptarëve të Italisë