Ministri i Mjedisit Lefter Koka, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në rajonin e Lombardisë në Itali, ku ka ftuar investitorët italianë të investojnë në vendin tonë. Në fokus të takimit dypalësh është bashkëpunimi dhe shtrirja e investimeve në fushën e mjedisit, ku përfshihen menaxhim i integruar i mbetjeve, administrimi i ujërave, rehabilitime të sipërfaqeve të dëmtuara dhe zhvillimi i sistemit të IT për menaxhimin e mjedisit.
Ministri Koka, duke e cilësuar rajonin e Lombardisë si një nga më të zhvilluarit në Itali, kërkoi bashkëpunim mes dy vendeve dhe tha se qeveria shqiptare i mirëpret në “klimë të re besimi dhe serioziteti”. Në emër të qeverisë italiane, Koka është pritur nga prefektja e rajonit të Lombardisë dhe u shoqërua nga presidenti i Qendrës Kërkimore Roçagioia, Roberto Mura.
Të pranishëm gjatë takimit kanë qenë përfaqësues të rajonit të Lombardisë, presidenti i provincës Pavia, këshilltarë të Bujqësisë dhe Mjedisit të Rajonit dhe Provincave, autoritete lokale dhe një grup sipërmarrësish e përfaqësuesish të sindikatave të zonës.