Kokaina ne banane biznesmeni E verteta e kontejnereve nga Ekuadori

Kokaina ne banane, biznesmeni: E verteta e kontejnereve nga Ekuadori

Hetimet paraprake të policisë dhe prokurorisë shqiptare rreth aktivitetit të administratorëve të kompanisë “Rrapo”, për të cilën ishin adresuar tre kontejnerë me banane që u kapën në Portin e Barit në Malin e Zi, pasi në njërin prej tyre u gjetën 250 kilogramë kokainë, nuk kanë nxjerrë në dritë ndonjë provë që t’i implikojë ata. Madje, Dritan Rrapaj, i cili figuron të jetë bashkëpronar me të ëmën te kjo kompani, ka dhënë i qetë para hetuesve shpjegimet e tij, duke u çuditur se në ngarkesën me banane që ai kishte porositur në Ekuador, janë gjetur e sekuestruar 250 kilogramët e kokainës. Ai ka pohuar se gjithçka në biznesin e tij e ka ushtruar në përputhje me ligjin dhe se është i gatshëm të vërë në dispozicion të drejtësisë gjithë dokumentacionin përkatës për të vërtetuar se nuk ka pasur asnjë lidhje me drogën që është gjetur në një prej kontejnerëve me banane. Ndonëse fillimisht u dyshua se ai mund të kishte dijeni mbi ngarkesën e drogës, nga hetimet paraprake është rrëzuar një gjë e tillë, pasi nuk janë siguruar prova apo të dhëna që e implikojnë.

Dëshmia

Gazeta “Shqip” ka siguruar të dhëna rreth dëshmisë së 40-vjeçarit Rrapaj, i lindur në lagjen “Kastrioti” të Fierit, dhe aktualisht banues në Tiranë, i cili ka sqaruar para hetuesve të policisë së antidrogës së Fierit të gjitha detajet e tregtisë së tij të bananeve. Ai ka shpjeguar se fillimisht ka ndërtuar objektin ku do të magazinonte dhe përpunonte bananet, të cilat më pas do t’i tregtonte me shumicë, kryesisht në Rrethin e Fierit. Rrapaj ka shpjeguar se pak muaj më parë, pasi kishte siguruar gjithë bazën materiale që i nevojitej për të zhvilluar biznesin e tij, ka nisur të kërkojë vendin ku do të blinte bananet dhe ka përzgjedhur për këtë gjë Ekuadorin, ku kompania e këtij vendi i siguronte edhe transportin deri në portet shqiptare. Nga burime të policisë mësohet se 40-vjeçari Rrapaj ka deklaruar se i kishte kërkuar kompanisë ekuadoriane në fjalë që t’i siguronte 10 kontejnerë me banane, të cilat do t’i blinte në faza të ndryshme. “Fillimisht bëra pagesën për dy kontejnerë, të cilët mbërritën në Portin e Durrësit. Me këtë sasi nisa punën dhe pasi më pëlqeu cilësia e frutave të blera, vendosa që të porosis edhe tre kontejnerë të tjerë. Kështu bëra një pjesë të pagesës edhe për tre kontejnerët e tjerë, ashtu siç kishim rënë dakord me kompaninë ekuadoriane dhe pasi të mbërrinte ngarkesa me banane do të bëja likuidimin. Nëse edhe ngarkesa e tre kontejnerëve me banane do të kishte pasur cilësi të mirë, do të porosisja edhe pjesën tjetër që u kisha kërkuar në fillim siguruesve dhe transportuesve të këtyre frutave. Unë nuk kam asnjë dijeni lidhur me drogën që mësova nga mediat se ishte kapur në një prej kontejnerëve me banane që kisha porositur për llogari të kompanisë sime. Nuk kam as dijeni dhe as lidhje me drogën, pasi transportimi i bananeve është marrë përsipër nga firma ekuadoriane dhe unë nuk kam si të jem i përzier me këtë gjë. Për gjithçka që po ju sqaroj disponoj dokumentacionin përkatës. Gjithë biznesi im është i ligjshëm dhe i dokumentuar”, mësohet të jetë shprehur 40-vjeçari Rrapaj. Nga burimet e bluve mësohet se ai ka qenë bashkëpunues me hetuesit dhe u ka mundësuar që të kryejnë të gjitha verifikimet përkatëse. Ndërkohë, të njëjtat burime shprehen se edhe familjarët e Dritanit dhe nëna e tij, Nezikja, e cila figuron si bashkëpronare, janë shprehur se janë çuditur nga ajo që kanë dëgjuar lidhur me drogën e kapur në Mal të Zi në një prej kontejnerëve me banane të porositur prej tyre.

Dyshimet

Menjëherë pas njoftimit nga mediat malazeze për ngarkesën e drogës të kapur në një prej kontejnerëve me banane që ishin blerë në Ekuador prej kompanisë “Rrapo” me seli në qytetin e Fierit, u ngritën dyshimet ndaj administratorëve të saj, se mund të ishin të implikuar në këtë megatrafik të kokainës. Por, verifikimet paraprake duket se i kanë zbehur këto dyshime dhe po hetohet edhe pista se organizatorët e trafikut mund ta kenë futur drogën në kontejnerët me banane pa dijeninë e administratorëve të kompanisë “Rrapo” dhe të shoqërisë që i ka shitur ato. “Dyshohet se droga mund të jetë futur në kontejner, pasi është ngarkuar në anije”, përfundojnë burimet e grupit hetimor.

 


Verifikimi
Biznesi i familjes Rrapaj, i rregullt


Menjëherë pas mbërritjes së materialeve të policisë, lidhur me verifikimet paraprake të kryera ndaj administratorëve të kompanisë së import-eksporteve të fruta-perimeve “Rrapo”, Prokuroria e Fierit ka nisur hetimin për të konstatuar në ligjshmërinë e kësaj shoqërie private. Kjo, pasi policia kishte siguruar informacione operative se kompania në fjalë mund të ishte fantazmë dhe pa një aktivitet ligjor të përcaktuar. Por, nga verifikimet paraprake të kryera prej prokurorisë, në bashkëpunim me zyrën e tatimeve Fier, është konstatuar se kompania “Rrapo” ishte e ligjshme dhe se gjithçka që ishte pasqyruar në deklarimet e administratorëve të saj ishte e vërtetë. Edhe aktiviteti i kryer deri tanimë mësohet se ka rezultuar të ishte zhvilluar në përputhje me qëllimin e ngritjes së subjektit, atë të import-eksportit të fruta-perimeve. Këto të dhëna të siguruara prej hetuesve duket se i kanë përforcuar deklarimet e administratorëve të kompanisë “Rrapo”, të cilët kanë mohuar çdo lidhje të mundshme me trafikun.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama