Kokaina si u shnderruan magazinat e Enverit ne laborator droge

Kokaina, si u shnderruan magazinat e Enverit ne laborator droge

Kompleksi i magazinave të fshatit Xibrakë, Elbasan, të cilat deri në 25 vite më parë shërbenim për mbajtjen e rezervave të shtetit, prej vitesh ishin dhënë me qira. E ndërsa në magazinat e tjera dihej nga banorët e zonës që kishte dru zjarri, dërrasa apo skrap, në njërën prej tyre nuk dihej asgjë. Ajo ishte marrë me qira, por nuk dihej se për çfarë do të shfrytëzohej nga qiramarrësit. Megjithëse kjo magazinë ndodhej vetëm 100 metra larg rrugës nacionale, ku në çdo moment qëndron edhe një postbllok i policisë rrugore, aktiviteti që kryhej brenda saj nuk kishte rënë në sy. Gjatë ditës në magazinë nuk kishte pothuajse asnjë lëvizje, ndërsa në orët e mbrëmjes banorët tregojnë se shihnin të hynin makina.

 

Për të hyrë në magazinë, e cila ishte shndërruar në laborator për përpunimin e kokainës, fillimisht duhet të kaloje një portë, në anën e djathtë të së cilës qëndronte një qen. Fill pas portës kryesore, e cila lidhte oborrin e të gjitha magazinave, ishte improvizuar një banesë, ku banonin prindërit e njërit prej të arrestuarve si i implikuar në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të kokainës. Në fund të oborrit, ndodhej magazina e drogës. Sapo hyn në ndërtesa, ndihej aroma e fortë e açetonit. Në sipërfaqen e madhe të magazinës ishin vendosur në rreth nga të katërta anët të gjitha pajisjet dhe elementët e përpunimit të kokainës, sipas radhës së procesit.

 

Në krah të majtë të derës kryesore të magazinës, ndodheshin një grumbull i madh me fuçi që, sipas specialistëve të antidrogës, ishin me açeton, i cili shërbente si element kimik që kryente pastrimin e kokainës kur ajo është e bashkuar me substanca të tjera me qëllim që të mos dallohet gjatë kontrolleve në kalimin e pikave kufitare. “Çdo pajisje e cila është vendosur në rresht në këtë magazinë shërben për përpunimin e kokainës. Kokaina kalon në një sërë sitash të imta deri sa të mbërrijë procesi final”- u shpreh një prej specialistëve të Policisë së Shtetit, i cili shpjegoi procesin e përpunimit të kokainës që në momentin që ajo hynte në magazinë dhe kur ajo dilte prej andej e paketuar dhe ishte gati për shitje. Për policinë, këto pajisje ishin moderne dhe viheshin në punë nga ekspertë të përpunimit të kokainës. Megjithëse në radhët e pajisjeve komplekse kishte edhe kova, bidonë disa litërsh, hinka, legenë, dorashka, etj, dhe sipas specialistëve të gjitha kishin funksionin e tyre për procesin e ekstraktit të kokainës.

 

Hapësira e një pjesë të ndërtesës prej rreth 500 metra katrorë shërbente për fazën e parë të përpunimit të kokainës. Për pjekjen e lëndës narkotike dhe paketimin e saj shërbente një tjetër hapësirë. Trafikantët kishin mundur të bashkonin dy hapësirat e magazinës duke krijuar një të çarë në murin ndarës. Në dhomën tjetër ishin vendosur në radhë pajisjet e fazës së fundit, ajo e pjekjes dhe paketimit të kokainës. Mbi një tavolinë ishin vendosur dy mikrovalë, të cilat shërbenin për ngrohjen e lëndës narkotike dhe më pas një tjetër pajisje, e cila shërbente për pjekjen përfundimtare të saj. Në dysheme ndodheshin të shpërndara letra të shumta alumini të cilat nevojiteshin për paketimin e kokainës, si dhe peshore. Në të dyja dhomat, po punohej për përpunimin e kokainës në momentin që policia ka ndërhyrë, duke kryer arrestimin e trafikantëve. Në hapësirën e parë të magazinës kishte ende kova të mbushura me lëndë narkotike, të cilat ishin të përziera me lëndë kimike për kryerjen e procesit të përpunimit. Ndërsa në dhomën e dytë ishin shpërndarë në dysheme lëndë narkotike të cilët ishin bërë gati për paketim. Forcat e policisë bënë të ditur në vendngjarje se gjithçka që ndodhej në magazinë ishte e fiksuar si provë materiale. Një karrocë fëmijësh, një pajisje palestre apo edhe një lavatriçe të vendosura shkujdesur në hapësirën e dytë të magazinën u shpjeguan nga policia se ndodheshin aty për mos u hedhur, pasi trafikantët e përdornin magazinën edhe për të lënë ndonjë pajisje personale e cila nuk u nevojitej në banesë.

 

Dje rreth orës 13:00 në magazinën e shndërruar në laborator të përpunimit të kokainës, mbërriti Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili, pasi pa nga afër provat, dha edhe një konferencë për shtyp. Tahiri mbërriti në vendngjarje së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit si dhe me drejtuesit e këtij hetimit. Ndërkohë që në magazinë ndodheshin efektivë policie të maskuar dhe me armë në ruajtje të provave të cilat ende nuk janë larguar prej magazinës. Gjithashtu edhe porta kryesore që lidh të gjitha objektet, ruhet me efektiv policie të cilët nuk lejojnë kapërcimin e saj. Policia bëri të ditur se magazina do të ruhet derisa prej sa të largohej edhe pajisja e fundit.

 

Laboratori i drogës, i fshehur mes bizneseve të tjera të ligjshme

Të privatizuara pas viteve 90”, kompleksi i magazinave në fshatin Xibrakë, Elbasan ishin marrë me qira nga persona të ndryshëm të cilët ushtronin aktivitetet e tyre. Magazina e parë, e cila mbulonte disa të tjera, shërbente për mbajtjen e druve të zjarrit. Para objektit ndodheshin dhjetëra stiva me dru, të cilat janë në shitje. Pak metra më tej ndodhej një magazinë me skrap. Me qindra pjesë makine ishin vendosur në oborrin e ndërtesës për t’u shitur si skrap. Mes këtyre bizneseve të njohura për zonën, fshihej aktiviteti kriminal. Hyrje-daljet e makinave dhe personave të ndryshëm kamufloheshin pikërisht nga bizneset e tjera përreth. Megjithëse ka dyshime se në njërën prej magazinave përpunohej kokainë prej më shumë se një vit, asnjëri prej personave që janë punësuar aty pranë nuk pranon se kishte dijeni për ekzistencën e laboratorit. “Unë punoj me ditë si roje tek biznesi i shitjes së druve të zjarrit. Dëgjova në televizor për zbulimin që ka bërë policia tek një nga magazinat, por unë nuk dija gjë më parë. Unë punoj si roje tre ditë këtu më pas bëj disa ditë pushim dhe vij sërish. Nuk kam pasur asnjëherë dijeni se çfarë ndodhte tek ndërtesat e tjera. Kam parë në mbrëmje të hynte ndonjë makinë, por nuk kam dyshuar asnjëherë” shprehet Nikoll H., i cili nuk nguron të tregojë për funksionin e magazinave në kohën kur u ndërtuan dhe deri në vitit 1990. Me përmbysjen e regjimit komunist, Nikolla tregon se këto objekte u privatizuan me letër me vlerë dhe më pas janë dhënë me qira, por asnjëherë nuk ka mësuar se cilët kanë qenë qiramarrësit dhe për çfarë i kanë shfrytëzuar magazinat. Ndërkohë që edhe punonjësit e biznesit të skrapit tregojnë se nuk kanë pasur dijeni për laboratorin e kokainës. Megjithëse punonin çdo ditë ngjitur me këtë të fundit, ata shprehen se gjithçka e kanë mësuar nga televizori dhe gazetat, duke qenë se edhe operacioni i policisë është zhvilluar në mbrëmje, kur ata nuk ndodheshin në punë.

Tahiri: Kolumbianët erdhën në Shqipëri si futbollistë

Dy kolumbianët e arrestuar nga policia dy net më parë në magazinën e konvertuar në laborator për përpunimin e kokainës janë paraqitur në Shqipëri si futbollistë. Ata janë prezantuar si futbollistë kur kërkuan lejen e qëndrimit. Lajmin e dha dje në mesditë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pas deklaratës për shtyp dhënë në ambientet e magazinës. I pyetur se cila ishte arsyeja zyrtare e qëndrimit të dy kolumbianëve në Shqipëri, Tahiri iu përgjigj: “Futbollistë”. Dy kolumbianët punonin në laborator për përpunimin dhe nxjerrjen e ekstraktit të kokainës, që vinte në forma të ndryshme nga vendet e huaja.

 

Në laborator, ata nxirrnin ekstraktin e kokainës, të cilën e përpunonin, e thanin dhe e përzienin me përbërës të tjerë kimike para se të nxirrej në treg. Mësohet se hetimi i prokurorisë dhe policisë nisi në fund të muajit nëntor, kur autoritetet gjermane kishin zbuluar një person i cili kishte udhëtuar nga Gjermania drejt Shqipërisë dhe mendohej se merrej me trafik droge. Pas informacioneve nga autoritetet gjermane, hetuesit shqiptarë nisën menjëherë verifikimet, duke vënë në përgjim të dyshuarin. Për rreth dy muaj prokuroria dhe policia zbuluan nëpërmjet vëzhgimeve e përgjimeve, laboratorin e madh të kokainës. Burime nga policia thanë droga vinte me kontenierë dhe pasi përpunohej në Xibrakë Elbasanit, nisej sërish jashtë vendit ku do të tregtohej. Policia dhe prokuroria përgjuan të gjithë personat që kontaktonte personi i ardhur nga Gjermania. Hetimet kanë provuar se kur hynin në laborator, personat e arrestuar fiknin të gjithë numrat telefonike, për t’ju shmangur lokalizimit të vendndodhjes së tyre nëse përgjoheshin nga policia. Mësohet se ndërhyrja për arrestimin e tyre, u krye pasi njëri nga të arrestuarit doli nga laboratori me rreth 19 kg kokainë të përpunuar dhe u nis në drejtim të Tiranës.

 

Ishte pikërisht Saimir Batku, i cili u kap në Tiranë teksa transportonte 19 kg kokainë ndërsa në makinë u gjetën edhe 300 mijë euro. Sipas hetimeve, të dyshuarit kishin role të ndryshme në këtë rrjet, si sigurimin e mallit, përpunimin e tij, përzierjen, gjetjen e transportuesve, shitjen si dhe sigurimin e mjeteve financiare. Dy kolumbianët të cilësuar si ekspertë në përpunimin e kokainës, kishin ardhur prej disa kohësh në Shqipëri për kryerjen e këtij procesi. Ndërkohë Ministri i Brendshëm e cilësoi këtë operacion të antidrogës si më të suksesshmin në historinë e Shqipërisë. Tahiri tha se nga hetimet e kryera rezulton se kokaina vinte nga vende të ndryshme, kryesisht nga Kolumbia e Bolivia. Ai tha se do të sekuestrohen të gjitha pasuritë e personave të përfshirë në këtë rrjet të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Ministri nuk bëri të ditur për pasuritë që posedojnë 11 të arrestuarit, duke shtuar se janë në fazë verifikimi nga hetuesit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama