Kokat e shtetit te lindura ne Tetor nga Ismail Qemali Zogu deri tek Berisha

Kokat e shtetit te lindura ne Tetor, nga Ismail Qemali, Zogu deri tek Berisha
Një postulat amerikan thotë se supersticioziteti më i madh është besimi te faktet. Jeni supersticiozë apo jo, në tetor kanë lindur njerëzit më të pushtetshëm në historinë e Shqipërisë: katër kryetarë shtetesh, 5 kryeministra dhe 3 nga penat më të shquara të vendit tonë. Duket se Ismail Qemali, lindur më 16 tetor 1846, ka qenë "fatsjellësi" i nëntë personaliteteve të tjera shqiptare të ardhur në jetë ne këtë muaj. Në të njëjtën datë, por 62 vjet më pas, ka ardhur në jetë Enver Hoxha. Por këta, janë dy nga dhjetë personalitetet e lindura në tetor, në muajin më pjellor të politikanëve dhe shkrimtarëve të vendit tonë. Kështu, në kalendarin historik shënohen emra të tillë si: Sulejman Delvina, kryeministër i qeverisë në vitin 1920, Ahmet Zogu, president e mbret i Shqipërisë në vitin 1928, Ramiz Alia, president Sali Berisha, president e tani e kryeministër, Bashkim Fino, kryeministër në qeverinë e Pajtimit Kombëtar në vitin 1997, si dhe tre shkrimtarët Gjergj Fishta, Migjeni dhe Dritëro Agolli.

Politikanët që sollën një Shqipëri ndryshe

Tetori ka sjellë në jetë politikanë që i kanë sjellë faqe të ndryshme Shqipërisë. Njëri e ka bërë të pavarur, tjetri mbretëri, tjetri diktaturë, tjetri demokraci...Secili është kapitull më vete në librat shkollorë të historisë. Ismail Qemali, është politikani më i hershëm lindur në tetor. Studiuesi turk, Nexhip P. Alpan, e ka datuar lindjen e debatuar gjatë, më datë 16 tetor të vitit 1846. Megjithëse, Turqia i dha postet më të larta, ai ishte një nga organizatorët e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912 që çoi në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Pas kësaj, u bë kryetari i qeverisë së përkohshme, e cila u rrëzua në vitin 1914. Pas Ismail Qemalit, politikani tjetër i lindur në tetor është Sulejman Delvina. I shpallur kryeministër i qeverisë në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920, Delvina mbështeti luftën kundër bandave të Esat Pashë Toptanit. Mori pjesë në revolucionin e qershorit të vitit 1924 dhe në qeverinë e Nolit, u emërua ministër i Punëve të Jashtme. Pas dështimit të revolucionit, ai u largua nga Shqipëria.

Pas tij, personaliteti më në zë në historinë e Shqipërisë është Ahmet Zogu. Mbreti i parë i shqiptarëve, ka lindur më 8 tetor të vitit 1895 në Burgajet të Matit. Po ashtu, si Sulejman Delvina, ai mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u caktua ministër i Punëve të Brendshme. Në vitin 1922 u emërua kryeministër. Tre vjet më vonë, president e po aq kohë iu desh për t'u shpallur më 1 shtator të vitit 1928 Mbret i Shqipërisë. U largua nga Shqipëria në prag të pushtimit italian në vitin 1939. Pas tij, Enver Hoxha, njeriu shqiptar më i njohur nga të huajt sipas studimeve, shfaqet në arenën politike. Komandanti i Ushtrisë Nacionalçlirimtare e kryetar i PK-së, Hoxha më pas u bë sekretari i përgjithshëm i KQ të PKSH-së dhe mbajti këtë post deri sa vdiq. Më tej, këtë detyrë e çoi përpara Ramiz Alia, i lindur po në muajin tetor, deri në vitin 1992. Lëvizja e Dhjetorit e vitit 1990, përmbysi një sistem që kishte zgjatur 50 vjet. Në vitin 1992, presidenti Alia dha dorëheqjen. Një tjetër tetorlindës, vjen në vend të tij, Sali Berisha. Presidenti i demokracisë, qëndron në krye të shtetit deri në vitin 1997, ku jep dorëheqjen pas trazirave nga përmbysja e firmave piramidale. Kjo valë sjell në krye të qeverisë, Bashkim Finon, të lindur po në tetor. Por pjesa më e madhe e këtyre politikanëve të lindur në "muajin me fat", nuk e kanë gëzuar atë për shumë kohë. Rënia e tyre nga maja e politikës, ka qenë po aq e zhurmshme sa ngjitja e tyre në të.

Të lindur në të njëjtin muaj, fund të njëjtë në politikë

Ismail Qemali qëndroi në krye të qeverisë vetëm 2 vjet. Në vitin 1914, qeveria e tij u rrëzua nga forcat antishqiptare. Ai u detyrua të arratisej dhe të vdiste në dhe të huaj.

Edhe Sulejman Delvina, pati pak a shumë pati fatin e Ismail Qemalit. Përveç faktit, se ai vdiq në atdhe, vetëm pak muaj pasi u kthye.

Monarku i Shqipërisë, Ahmet Zogu, si dy kryeministrat e tjerë të lindur në këtë muaj u detyrua të largohet nga vendi i tij dhe të vdesë në mërgim. Ndryshimi i vetëm me dy të parët, është se ai nuk u rrëzua nga froni nga shqiptarët, por u largua nga forcat pushtuese italiane.
Ramiz Alia, pas qeverisjes së tij, u burgos dy herë derisa në vitin 1997 u lirua dhe çështja e tij u pushua.

Po në këtë vit, Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha, u detyrua të japë dorëheqjen pas trazirave që u shkaktuan me përmbysjen e firmave piramidale. Por ndryshe nga të gjithë të tjerët, ai arriti të kthehej përsëri në pushtet dhe aktualisht është kryeministër i vendit.

Por tetori nuk ka sjellë në jetë vetëm politikanë që kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë. Në këtë muaj kanë ardhur në jetë edhe tri nga penat më të shquara të historisë së letërsisë shqipe.

Shkrimtarët e lindur në tetor Kësaj radhe "fatsjellësi" është Gjergj Fishta. Françeskani që kryesoi Komisionin e Alfabetit në Kongresin e Manastirit, mori famë me "Lahutën e Malcisë". I lindur në Shkodër, ai studioi për teologji në Bosnjë. I cilësuar si Homeri i Shqipërisë, Fishta, bashkë me Lugigj Gurakuqin dhe Ndre Mjedën, themelon "Komisinë Letrare në Shkodër", e cila luajti rol mjaft të madh në lëvrimin e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e letërsisë. Po në Shkodër dhe po në tetor ka lindur edhe Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla). Shkrimtari që la pas "Poemën e Mjerimit", si dhe tregime e lirika të shumta, u shua në moshën 27-vjeçare. Pas vdekjes, iu akordua edhe titulli "Mësues i Popullit". Në një kohë tjetër, por po aq i njohur është edhe Dritëro Agolli. I lindur në të njëjtën datë me Migjenin, shkrimtari-politikan, cilësohet si një nga poetët më të mëdhenj të letërsisë moderne shqiptare.

Sulejman Delvina
Datëlindja: 5 tetor 1884
Vendlindja: Delvinë
Arsimi: Të mesmen e kreu në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, ndërsa të lartën në Stamboll
Aktiviteti:
Nëntor 1912- Ishte një prej nënshkruesve të thirrjes së dorëzuar përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, ku kërkoheshin të drejtat kombëtare të popullit shqiptar
Prill 1919- Ishte përfaqësuesi i kolonisë shqiptare në Turqi, në Konferencën e Paqes në Paris
Janar 1920- Në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, u zgjodh kryetar i qeverisë shqiptare. Mbështeti luftën kundër bandave esatiste në vitin 1920 dhe dha ndihmesë në përfundimin me sukses të luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë dhe nënshkrimin e protokollit italo-shqiptar më 2 gusht 1920
Qershor 1924- Mori pjesë në revolucionin e qershorit dhe në qeverinë e Nolit, ishte ministër i Punëve të Jashtme. Pas dështimit të revolucionit, emigroi në Itali dhe në vitin 1932 u kthye në Vlorë.
Viti i vdekjes: Vdiq në Vlorë, në vitin 1932

Ahmet Zogu
Datëlindja: 8 tetor 1895
Vendlindja: Burgajet, Mat
Arsimi: Ndoqi në Stamboll Liceun e Shtetit dhe pastaj Akademinë Ushtarake të Oficerëve
Aktiviteti:
1912- Mori pjesë në luftën ballkanike dhe më pas në shpalljen e pavarësisë në Vlorë
1916- Së bashku me forcat e tij, u rreshtua përkrah forcave pushtuese austriake, për të kundërshtuar forcat pushtuese serbe 1920- Mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u caktua ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e dalë nga ky kongres
1922- Emërohet kryeministër
31 janar 1925- Shpallet President i Republikës së Shqipërisë
1 shtator 1928- Vetëshpallet mbret i Shqipërisë
1939- Në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, u largua me gjithë familjen në Greqi, e që andej në mërgim
Viti i vdekjes: Vdiq në Sureshes të Francës, më 6 prill 1961

Bashkim Fino
Datëlindja: 12 tetor 1962
Vendlindja: Gjirokastër
Arsimi: Shkollën fillore e të mesme i kreu në Gjirokastër. Kreu Universitetin e Tiranës, Fakultetin Ekonomik në vitin 1986
Aktiviteti: 1986-1992 Emërohet ekonomist e më pas drejtor në Qendrën Informatike të Gjirokastrës
1992-1996 Zgjidhet kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës. Gjatë kësaj kohe ka kryer specializimin për pushtetin lokal në SHBA. Është bërë qytetar nderi në dy qytete në SHBA, Lewisville dhe Pyora
13 mars 1997 Emërohet kryeministër i qeverisë së pajtimit kombëtar
1997-1998 Zëvendëskryeministër i Shqipërisë
Prill 1998 - tetor 1998 Zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave dhe Ministër i Pushtetit Lokal
Tetor 1999 - Shtator 2001 Ministër i Pushtetit Vendor
Shtator 2001 - Shkurt 2002 Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit. Fino është deputet që nga viti 1997 e në vazhdim

Migjeni
Datëlindja: 13 tetor 1911
Vendlindja: Shkodër
Arsimi: Filloren dhe të mesmen e kreu në Shkodër, të mesmen e kreu në gjimnazin shtetëror serb të seminarit të Shën Theologut në Manastir
Aktiviteti:
1933 - 1934 Emërohet mësues i shkollës fillore në Vrakë, Shkodër dhe Pukë. Nga Puka shkoi për t’u mjekuar në sanatoriumin e Torre Feliçes afër Torinos. Migjeni shkroi tregime, por më tepër vjersha lirike, në fletoret e revistat si “Bota e Re”, “Përpjekja Shqiptare”, “Iliria”, “Jeta dhe kultura”, “Shqypnia e re” dhe “Kuvendi Kombëtar”
1933-1935 Ishte kulmi i krijimtarisë poetike të Migjenit. Gjatë kësaj kohe ai krijoi rreth 35 vjersha
1936- Krijimet e tij poetike i përmblodhi në librin “Vargje të lira”, të cilin censura nuk e la të qarkullojë. Pas çlirimit, vepra e plotë e Migjenit u botua në vitin 1954, 1957 dhe
1961 1958- Merr titullin Mësues i Popullit (pas vdekjes)
Viti i vdekjes: Vdiq në Torre Feliçe, Itali, më 26 gusht të vitit 1938

Dritëro Agolli
Datëlindja: 13 tetor 1931
Vendlindja: Menkulas, Korçë Arsimi: Të mesmen e kreu në gjimnazin e Gjirokastrës, ndërsa studimet e larta në Institutin e Letërsisë “Gorki” në Moskë
Aktiviteti: Pas kthimit në atdhe, punoi për 15 vjet në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”. Krijimtarinë letrare e nisi që kur ishte nxënës në gjimnaz me botimin e vjershave të para dhe më pas e zhvilloi pandërprerje.
1973- Emërohet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Përveçse kontributit në letërsi, Agolli ka dhënë kontribut edhe në politikë. Duke qenë anëtar në Kuvendin Popullor që në kohën e Partisë së Punës, Dritëro Agolli ka dhënë kontribut në reformimin e Parisë Socialiste, pas viteve ‘90. Ai ka qenë deputet i kësaj partie, që nga viti 1992 deri në vitin 2001. Njëkohësisht ai ka qenë edhe anëtar i kryesisë së saj.
Vepra: Në prozë bëri emër, sidomos romani “Komisari Memo” (1969, “Njeriu me top” (1975), “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973) etj., “Hapat e mi në asfalt”, “Arka e Djallit”, “Kalorësi lakuriq”, “Pelegrini i vonuar” etj.

Sali Berisha
Datëlindja: 15 tetor 1944
Vendlindja: Vuçidol, Tropojë
Arsimi: Ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 1967. Është specializuar në Francë si kardiolog. Mori titullin Doktor i Shkencave më 1988-ën dhe Profesor më 1989-ën
Aktiviteti:
1967- Caktohet pedagog pranë atij fakulteti dhe njëkohësisht mjek në klinikën kardiologjike të spitalit të Tiranës
1991- Zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike. Në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, u zgjodh deputet në Kuvendin Popullor
8 prill 1992- Zgjidhet President i Republikës së Shqipërisë. Më 3 mars 1997 u rizgjodh President i Republikës
23 korrik 1997- Jep dorëheqjen nga posti i presidentit, ndërsa në tetor 1997, u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike. Është zgjedhur deputet i Parlamentit shqiptar në vitet 1991, 1992, 1997 dhe 2001
2005- Shpallet kryeministër i Shqipërisë

Ramiz Alia
Datëlindja: 18 tetor 1925
Vendlindja: Shkodër
Arsimi: Ndoqi mësimet në gjimnazin e Tiranës. Pas luftës ndjek studimet në Rusi për Filozofi Politike
Aktiviteti: Që në moshën 20-vjeçare përqafoi idetë komuniste dhe mori pjesë aktive në lëvizjen ANÇ. Në vitin 1941 bëhet anëtar i rinisë komuniste dhe në ‘43-shin, anëtar i PKSH-së. Në vitin 1944 drejton Brigadën VII Sulmuese
Gusht 1944- Zgjidhet anëtar i sekretariatit të rinisë, ndërsa në Kongresin e Unifikimit të Rinisë (1944), sekretar i parë i KQ të BRPSH.
1948- Anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë
1955- Emërohet ministër i Arsimit dhe Kulturës
1961- Zgjidhet anëtar i Byrosë Politike në Kongresin VI. Për disa kohë punon si instruktor në Institutin e Marksizëm-Leninizmit
1982- Zgjidhet kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor
1985-1992 President i Shqipërisë
3 prill 1992- Jep dorëheqjen si president i Shqipërisë. Më pas Alia u arrestua dhe u burgos dy herë
Mars 1997 del nga burgu, ndërsa çështja ndaj tij pushohet

Ismail Qemali
Datëlindja: 16 tetor 1846 (sipas studiuesit turk Nexhip P. Alpan)
Vendlindja: Kaninë, Vlorë
Arsimi: Ndoqi gjimnazin grek “Zosimea” në Janinë
Aktiviteti:
1860- Përkthyes në Ministrinë e Jashtme në Stamboll. Në këto vite bashkëpunon me osmanllinjtë e rinj dhe merr pjesë në mbledhje patriotike
1876- Emërohet zëvendësministër i jashtëm i Turqisë. Jep dorëheqjen pas shkarkimit të Mit’hat Pashës
1877-1884 Internohet në Anadoll. Në vitin 1884 u emërua vali në Bollu e më pas në Siri
1908-1912 Zgjidhet deputet i Parlamentit turk, ku dhe përfaqësonte sanxhakun e Beratit. U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjeve antiosmane të viteve 1910-
1912. Organizon kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912
28 Nëntor 1912- Kryesoi në Vlorë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. U caktua kryetar i qeverisë së përkohshme deri më janar të 1914-ës, ku qeveria e tij rrëzohet
Viti i vdekjes: Vdiq në Itali në vitin 1919

Enver Hoxha
Datëlindja: 16 tetor 1908
Vendlindja: Gjirokastër Arsimi: Ndoqi studimet në Liceun e Gjirokastrës. Në vitin 1930 filloi studimet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Monpelje të Francës, të cilat i ndërpreu. Pas një viti në Fakultetin e Biologjisë, ai shkon në Paris, ku vazhdon studimet në Fakultetin e Filozofisë
Aktiviteti:
1934-1936 Sekretar në konsullatën shqiptare në Bruksel
1936-1939 Punon si profesor në Liceun Francez të Korçës. Në këtë kohë ai hyn në grupin komunist të Korçës. Më 7 prill 1939 pushohet për shkak të veprimtarisë së tij komuniste. Nga Korça shkon në Tiranë, ku fillon të punojë si profesor në gjimnazin shtetëror, nga ku pas një kohe të shkurtë përjashtohet nga puna. Me ndihmën e disa shokëve punësohet në një dyqan duhani, në të cilin bëheshin mbledhje për krijimin e Partisë Komuniste
Nëntor 1941- Zgjidhet kryetar i Partisë Komuniste. Ai vihet në krye të Ushtrisë Nacionalçlirimtare
16 shtator 1942- Merr pjesë në Konferencën e Pezës
1943- Në konferencën e parë të Partisë Komuniste zgjidhet si sekretar i përgjithshëm i Partisë, post të cilin e mbajti deri në ditën e vdekjes
Viti i vdekjes: Vdiq në Tiranë nga iskemia cerebrale, më 11 prill 1985

Gjergj Fishta
Datëlindja: 23 tetor 1871
Vendlindja: Fishtë, Shkodër
Arsimi: Kreu të mesmen në Kolegjin Françeskan në Troshan. Më 1886 vazhdoi në Bosnjë studimet për Filozofi dhe Teologji
Aktiviteti:
1893- Kthehet në Shqipëri dhe një vit më vonë emërohet profesor i gjuhës shqipe në seminarin e Troshanit
1899- Themelon shoqërinë letrare “Bashkimi”
1908- Delegat i Shkodrës dhe kryetar i Komisionit të Alfabetit në Kongresin e Manastirit
1916- Bashkë me Luigj Gurakuqin dhe Ndre Mjedën etj., themelon “Komisinë Letrare në Shkodër”, e cila luajti rol mjaft të madh në lëvrimin e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e letërsisë.
Veprat: “Lahuta e Malcisë”, 1937; “Vjersha të përshpirtshme” 1096; “Arzat e Parnasit” 1907, “Pika veset” 1909, “Mrizi i Zanave” 1913, “Juda Makabe” 1920, “Ifgjenia n’Aulide” 1931, “Jerina ose Mbretëresha e luleve”, 1940 etj.
Viti i vdekjes: Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor të viti 1940

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama