Deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur sërish akuza ndaj deputetit socialist Koço Kokëdhima. Gjatë seancës së djeshme plenare, ai iu drejtua Kokëdhimës duke i thënë, “mos vidh”. Berisha ka akuzuar deputetin socialist se ka vjedhur prona në Fier dhe për këtë e akuzojnë vetë banorët e kësaj zone. Deputeti Kokëdhima, i është kundërpërgjigjur akuzave të Berishës, duke i thënë se është ai që ka futur vendin në katastrofë. Më tej Kokëdhima tha se, Berisha është kthyer në një personazh komik për popullin dhe askush nuk e beson. Sipas tij, njerëzit që qëndrojnë para televizorit dhe shikojnë Berishën tallen me mashtrimet e tij të paskrupullta dhe të shpifura. Përgjigjja e deputetit socialist erdhi pas një ndërprerje të seancës, pasi opozita bllokoi foltoren e Kuvendit.
Replikat në Kuvend
Sali Berisha: Ja ç’më shkruajnë për Koçon, i cili më përmalloi kur tha se, “nëna ime, kur të sheh ty në televizor trembet”. Pavarësisht se kam shumë respekt për çdo nënë, por një gjë të them, që të mos e mërzitësh nënën, mos vidh. Se s’ka nënë që i thotë djalit vidh. Ja ku e kam faktin (tregon letrën). “Jam një fshatar dhe dua të shpreh një shqetësim të cilin dua ta lexoni në Kuvend. Koço Kokëdhima, me anë të mashtrimit, se gjoja do të punësonte shumë punëtorë të komunës Frakull, i rrëmbeu fshatit gjënë më të bukur që kishte. Ky fshat m’u në mes kishte fushën e futbollit dhe qendrën sportive, gjënë më të bukur ndërtuar në kohën e të parëve, me afërsi 4000 metra, dhe e ka kthyer atë nga park dhe qendër sportive, ku argëtohej gjithë fshati, në punishte inertesh në mes të fshatit. E nga të mos tmerrohen, pastaj, kur sheh në televizor këto? Kjo tokë e fshatit Bunac, tani është shndërruar në helm për fshatarët e Bunacit, nga punishtet e ndërtuara në fushën e futbollit. Tjetër denoncim kam për Koço Kokëdhimën. Siç thotë informacioni tjetër, në objektin 16/1 të naftës bëri një vjedhje spektakolare me “Alpetrol” duke regjistruar bote bosh. Mirë thotë populli se, muri ka sy, fusha ka sy, çdo gjë ka sy e ju ndjekin në çdo hap që bëni.
Koço Kokëdhima: E ndoqa me vëmendje zotin Berisha. Besoj se edhe ai është dakord se, këtu nuk bisedohet, nuk ka dëgjim dhe komunikim të sinqertë. Ai këtu nuk ndihet si në një sallë. Ai këtu është si në miting. Thelbi i të gjithë sjelljes së Saliut është që ta kthejë Parlamentin në një “gjyq publik” për kundërshtarët. Saliu është 70 vjeç dhe me një përvojë të gjatë në punët e shtetit. Ai e di se e udhës për një vend dhe parlament normal do të ishte që politikanët të mos e kthejnë parlamentin në miting dhe komedi ku bëhet gjyqi i kundërshtarëve, “gjyqi publik” përmes akuzave dhe shpifjeve të pafundme. Saliu e çdo politikan tjetër do të duhej që të ndiqnin rrugët ligjore dhe të vinin në lëvizje mekanizmat ligjorë për çdo fakt që mund të jetë komprometues, si për zyrtarët e shtetit dhe për politikanët e tjerë. Kjo që bën Saliu nuk është një ngatërresë e vogël. Me këtë strategji dhe në këtë mënyrë Parlamenti arratiset nga përgjegjësitë e vërteta të politikanëve dhe zyrtarëve që e çuan Shqipërinë në këtë situatë katastrofike ku ndodhet sot, pa punë, pa para, pa ekonomi konkurruese, pa shëndetësi publike dinjitoze, pa bujqësi, pa arsim, pa bregdet, pa pyje, pa shëndet.
Në të gjithë debatin parlamentar mungojnë qytetarët, nevojat reale të njerëzve, diskutimi i ideve se si mund dilet nga këto katastrofa ku e zhyti Saliu këtë popull. Drejtuesit e Parlamentit ju kanë lejuar juve Sali që të bëni gjithë këtë devijim të madh, duke u bazuar kryesisht në faktin se sjelljet, mashtrimet dhe shpifjet tuaja janë aq të pabaza, të ekzagjeruara e të paskrupullta, saqë ju bëjnë juve të jeni shumë argëtues për qindra mijëra të papunë kronikë të këtij vendi që prodhove ti në këto 25 vite që drejtove Shqipërinë, së bashku me shokun Fatos. Këta mijëra viktima të shkatërrimit që solle ti shikojnë televizor dhe argëtohen me ty. Nuk jam i shqetësuar se mos zënë vend shpifjet e tua të panumërta për mua apo për kolegët e tjerë. Ty të njeh çdo shqiptar, të njohin edhe pemët, edhe gurët dhe nuk mashtron dot më asnjë nga njerëzit normalë të këtij vendi. Unë jam një njeri biznesi që kam kaluar nëpër duart e mia qindra miliarda lekë dhe kam bërë transaksione me mijëra e mijëra klientë e partnerë në Shqipëri e jashtë saj. Në kulturën time është i shenjtë parimi për të respektuar gjënë e tjetrit njësoj si gjënë tënde dhe kurrë nuk jam përpjekur të cenoj gjënë e tjetrit apo pasuritë publike. Kam punuar gjithmonë në pasuritë e mia, në ndërmarrjet e mia dhe në punët e mia dhe kurrë nuk kam punuar në punët e shtetit. Asnjë ditë nuk kam punuar unë në shtet dhe asnjëherë nuk kam pasur asnjë kompetencë për të mbrojtur apo shpërdoruar pasuri shtetërore apo publike dhe këtë e di shumë mirë edhe ky gënjeshtar i ulët që është këtu përballë meje (Saliu).
Në kulturën time kurrë s’kam pasur ndikime e sindroma si të Saliut, i cili kujton se duke ulur të tjerët, lartëson veten, se duke bërë pis të tjerët, pastron veten, se duke turpëruar të tjerët, nderon veten! Saliu kërkon të më akuzojë mua për vjedhje të naftës në mënyrën më të ulët e më të papërgjegjshme, në një kohë që ai është përgjegjës për shumë vjedhje dhe abuzime që janë bërë me pasuritë e popullit dhe të shtetit, në naftë dhe jo vetëm në naftë. Dua t’i kujtoj sot vetëm një fakt nga industria e naftës. Nga viti 2009 deri në vitin 2013 i ashtuquajturi hollues që është importuar nga koncesionarët e vendburimeve të naftës zinte 15.5 % të sasisë së naftës së nxjerrë, ndërkohë që kjo ka qenë një gjë krejtësisht fiktive. Nga vendosja e kontrollit të qeverisë sonë në industrinë e naftës, kjo shifër nga 15.5% zbriti në 5 %. Vetëm akciza dhe taksa të fshehura nga ky mashtrim janë 80 milionë dollarë në vit mungesë në buxhetin e shtetit shqiptar që do të thotë se 80 milionë dollarë në vit kanë vjedhur njerëzit me të cilët ndante interesa Sali Berisha dhe ai duhet të përgjigjet dhe duhet të japë shpjegim për këtë çështje. Sali, ju thoni që tek ndërmarrja e inerteve që kam investuar unë në zonën e Kafarajt të Fierit paskam prishur një fushë sportive.
Edhe kjo është një gënjeshtër e ulët e këtij kokërr gënjeshtari. Ndërmarrja në fjalë është ngritur në fshatin Adë në vitin 1993, me leje të rregullta të autoriteteve shtetërore, me miratime të rregullta dhe me një tokë të blerë nga shteti, konform ligjeve të kohës, në një kohë që në krye të atij shteti ishte pikërisht ky zotëria këtu që shpif sot përpara të gjithëve. Saliu është megafon i gjithë këtyre shpifjeve, jo sepse s’ka mundësi të vërtetojë informacionin, jo se është viktimë e informacioneve të gabuara! Ai i prodhon dhe shpërndan vetë shpifjet dhe mashtrimet. Ai e la popullin tonë në këtë derexhe e shkatërrim që nuk mund të shpjegohet. Në 25 vite që drejtoi Shqipërinë së bashku me shokun Fatos fituan këta të dy me një grusht njerëzish rreth tyre dhe humbën gjithë shqiptarët. Të gjitha këto krime e mëkate të rënda i ke bërë vetëm e vetëm sepse ti Sali je një i mallkuar dhe unë, si i mallkuar që je, të kam lënë në duart e Perëndisë të të çlirojë nga mallkimi kur të shkosh në botën tjetër, sepse vetë nuk kam ndër mend të merrem me ty. Unë do të merrem me punët që më ka ngarkuar populli dhe zgjedhësit e zonës sime elektorale.