Zëdhënësi i FSHF-së Tritan Kokona ka zbuluar të tjera detaje nga festa e futbollistëve të Kombëtares pas fitores ndaj Rumanisë.
Një ditë pas ndeshjes Kokona tha se festa që nisi pas vërshëllimës së fundit të arbitrit vazhdoi në dhomat e zhveshjes dhe në udhëtimin me autobus për në hotelin ku ishte akomoduar më parë Kombëtarja. Ndërsa shtoi se në mënunë e kuqezinjve u shtua edhe birrat.
"Skuadra ka festuar në dhomat e zhveshjes. Më pas kemi kaluar në hotel. Ka qenë një festë, kemi vënë pak muzike, kemi shtuar një gotë birrë në menu. Në autobus ka pasur një festë shumë të veçantë. Është vendi ku vetëm skuadra mund të shkojë. Kjo ka qenë festa jonë, e thjeshtë. Shpresojmë që të vazhdojmë më pas",-tha Kokona në një intervistë telefonike për televizionin "News24".
Zëdhënësi i FSHF-s konfirmoi se Kombëtarja do të vazhdojë regjimin stërvitor që ka pasur deri në përfundimin e ndeshjeve të fundit në grupe.
"Do të ketë regjim të zakonshëm stërvitor deri më datë 22, kur do të mësojmë nëse do të vazhdojmë apo do të kthehemi pas. Ka shumë optimizëm nga djektë. Ndeshje pas ndeshje... ka shumë optimizëm dhe atmosferë. Të gjithë jemi duke pritur me ankth këtë aventurë. De Biazi e tha edhe dje që nëse kualifikohemi do të jemi rrezik për këto. Është thyer tashmë ajo pjesa e fillimit, e mungesës së eksperiencës. Tashmë do të vazhdojë regjimi dhe do të presim deri në përfundim të ndeshjeve në grup",-tha ai.
Ndërsa konfirmoi edhe uljen e detyruar të avionit të Kombëtares për në Brest për shkak të kushteve të motit të keq.