Koleksioni Zengo Antoniu as nuk shitet as nuk dhurohet

'Koleksioni Zengo Antoniu, as nuk shitet, as nuk dhurohet'
Enis, koleksioni i ekspozuar i përket një periudhe 200 vjeçare. Në çfarë gjendje janë këto punime artistike?

Nuk mund të them se janë në gjendje të keqe. Por vlerat artistike të punëve të një artisti janë në gjendje më të mirë kur janë të ekspozuara se sa kur janë të mbyllura në shtëpi. Prandaj gjithmonë duhet të ekspozohen në një vend të rregullt. Kam përshtypjen se kjo ka qenë dëshira e të gjithë artistëve që janë pjesë e familjes sime. Prandaj ndihem i nderuar dhe falënderoj vizitorët që kanë qenë pjesë e kësaj ekspozite, pavarësisht se ftesa duhet tu ishte dërguar më parë nga ana ime.

Kemi mësuar që nëntorin e kaluar ju është dashur të largoheshit nga shtëpia ku ruhen këto koleksione..

Nuk është se do të doja ta diskutoja në këtë moment mbi këtë pikë, pasi qëllimi i kësaj ekspozite është që unë të realizoja dëshirën e dajës tim, Gjergj Antoniut. Por të gjitha këto punë si pikturat, fotografitë apo të tjerat gjenden në një shtëpi me qira. Në të ardhmen do të mundohem të krijoj që galeri për to. Pse jo të organizoj dhe ekspozita të tjera. Çdo lëvizje për punët artistike është e dëmshme.

Në çfarë kushtesh ruhen këto tablo?  

Ato duhet të jenë të sigurta dhe në kushte optimale, lagështie apo teknike, kushte që specialistët i dinë shumë mirë. Unë jam përpjekur t’ua krijoj këto kushte.  

Ndalemi pak tek katragjyshi juaj, fotografi Jani Zengo, çfarë punësh ruhen prej tij?

Janë disa fotografi me portrete të Jani Zengos, të cilat me përafërsi i përkasin vitit 1900. Unë nuk kam vënë data nëpër këto fotografi sepse nuk kam qenë i sigurt për to. Jam i bindur që studiuesit e fotografisë mund ta kenë më të lehtë për ta kuptuar se cilit vit i përkasin, pasi mund t’i analizojnë nga veshja apo elemente të tjerë.

Jani Ndoni Zengo ka punuar dhe si mësues dhe ka bërë përpjekje për realizimin e një fjalori të gjuhës shqipe. Deri në çfarë pike arritën përpjekjet e tij?

Fjalori është i ekspozuar në këtë sallë. Por mbi të nuk është vendosur asnjë shënim se çfarë është konkretisht, kjo me pak hile nga ana ime sepse ka dhe publik që nuk e kupton. Nuk është se janë sekrete. Por është një fjalor që ka dashur ta përkthejë nga osmanishtja. Pavarësisht se në Shqipëri ekzistojnë studiues që e njohin osmanishten apo turqishten e vjetër dhe ky material mund të ketë akoma interes për ta. Më pas filloi të përkthej ungjillin, por nuk arriti, pasi në moshën 60 vjeçare nuk mundi të punonte më dhe u bë prift. Në shtëpi ruaj dhe materiale të tjera në greqishten e vjetër.

Ju vetë a e dini përmbajtjen e tyre?

Unë di diçka. Për shembull është një kopje me pjesë nga Ungjlli që ka filluar t’i përkthejë, por janë dhe disa dokumente të tjera që nuk di se çfarë përmbajtje kanë. Prandaj këto materiale janë të hapura për çdo studiues që mendon se këto shënime kanë vlera.

Ruani ende negativët e fotografive të Vangjel Zangos. Në çfarë gjendje janë?

Shumica e negativëve të ekspozuara janë të Vangjel Zengos, të stërgjyshit tim. Disa prej tyre janë fotografi të pikturave që ka bërë. Pasi çdo pikturë që bënte e fotografonte, për kishat apo për porositë që merrte në Odesë, në Greqi në Malin e Shenjtë etj.

Pak më lart thatë se do të punoni që të hapni një galeri për këto koleksione. A i jeni drejtuar për ndihmë ndonjë institucioni?

Unë jam njeri që nuk bëj kërkesa, por që punoj për të realizuar vepra. Ndonëse për realizimin e kësaj ekspozite kisha menduar që në nëntor, por u desh më shumë kohë prandaj e kam çelur në këtë datë.

Po për t’i nxjerrë në një ankand a keni menduar?

As për t’i bërë dhuratë dhe as për t’i shitur nuk e diskutoj të paktën për 50 vite sa të jem gjallë. Unë jam i hapur për qëllime studimi apo ekspozime për këdo që ka këtë dëshirë.

BIO

Jani Ndoni Zengo  (1832-1932)


U lind në dardhë të Korçës. Ksilograf (drugdhendës), fotograf, mësues. Punoi për shumë vjet edhe në Greqi. Që ne vitet ’60 të shek. XX filloi të punonte për të krijuar një alfabet të gjuhës shqipe. U dorëzua prift kur ishte 60 vjeç dhe që të ungjillëzonte shqip në kishë, u përpoq të përkthejë ungjillin. Fotografitë e tij janë shumë të hershme, por e para e dokumentuar i takon vitit 1876. I ati i Papa Janit, Papa Ndoni, mësues i gjuhës greke në shkollën e Dardhës, ishte ikonograf i njohur jo vetëm në zonën pranë vendlindjes. Rrugëtimi si ikonograf e kishte çuar deri në Moskë dhe në Petërburg. Ai i dërgoi të birin në Malin e Shenjtë, në Greqi, por Janit nuk i pëlqeu jeta e mbyllur e murgjve dhe u kthye në Dardhë. Papa Ndoni e largoi për së dyti nga shtëpia, kësaj radhe në Korfuz, ku Jani mësoi gdhendjen e drurit. Gjatë punës në qytete të ndryshme të Greqisë mësoi dhe fotografinë. Këtë profesion e ushtroi më pas kudo që vinte. Një foto e vitit 1878 tregon midis arsimtarëve të shkollës fillore greke të Dardhës edhe të atin, Papa Ndonin.

Dinastia Zengo në 200 vite art

Ekspozita “Zengo dhe Antoniu 200 vite art”, ikonografi, fotografi, pikturë, kinematografi dhe muzikë, prezantohet për publikun deri në mbrëmje, ora 18.00 në Hotel Sheraton. Një udhëtim artistik nga Zengot te Antoniu, kuruar nga një trashëgimtar i tyre, Enis Pekmezi. Fotografitë bardhezi të ekspozuara në të majtë të ekspozitës nuk mbajnë asnjë shënim, por i përkasin fotografit të parë Jani Ndoni Zengos. Në njërën prej tyre shikon një burrë të ulur në karrige që mban në prehër një fëmijë të vogël, në të majtë dhe në të djathtë të tij dy vajza me flokët e mbledhura, të veshura me fustan. Janë dhe portrete të tjera burrash dhe grash që nuk mbajnë asnjë shënim. Jani Zengo ka qenë dhe mësues. Në vitin 1860 ka punuar për realizimin e një alfabeti të gjuhës shqipe.

Në materialet e ekspozuara Enis Pekmezi na tregon nga katragjyshi i tij, një fjalor në osmanishte apo disa pjesë të përkthyera nga ungjilli. “Ruaj dhe materiale të tjera që nuk i kam ekspozuar sepse mendoj që publiku i thjeshtë nuk do të kishte interes për to. Nuk është se janë sekrete, por edhe unë di vetëm përmbajtjen e disa pjesëve të përkthyera nga ungjilli apo fjalori në osmanishte”, thotë Enisi. Të ekspozuara ka dhe negativë fotografish të bëra nga Vangjel Zengo rreth viteve 1900, të cilat me sy të lirë është shumë e vështirë t’i shquash, por në krah kanë shënime si: “Një fëmijë që e mban gjyshja në duar”, “Një mësues apo një mësuese në Dardhë”, “Një ushtar me pushkë” etj.

Në faqen tjetër të murit gjen portrete në vaj që tregojnë një djalë të vogël duke i rënë violinës, një gjyshe që mban një fëmijë në duar, portrete fëmijësh, grash dhe burrash nudo në ngjyra. Nuk mungojnë as vazot me lule shumëngjyrëshe. Me laps janë rreth 20 vizatime të vendosura nëpër korniza me përmasa të vogla. Në to shikon burra nudo me shpinë të kthyer, por dhe disa portrete në profil apo ballorë të piktores Androniqi Zengo Antoniut. Në një intervistë për “Shekullin” Enis Pekmezi thotë se këto koleksione mund t’i shfrytëzojë çdo studiues, apo institucion për qëllime ekspozimi, por ato nuk mund të dhurohen dhe nuk mund të shiten. Enis Pekmezi ekspozitën e ka ndarë në pesë periudha.

 Ato fillojnë me punët e Jani Ndoni Zengos, për të vijuar me të birin Vangjel Zengo, të bijën e Vangjelit, Androniqi Zengo Antoniu, e para piktore shqiptare, me punë të vlerësuara jo vetëm si një relativitet femëror, e më pas ekspozita vazhdon me dy personazhe të fushës së muzikës, Artistin e Popullit, tenorin Kristaq Antoniu, për t’u mbyllur me violonçelistin virtuoz Gjergj Antoniu. Derisa trashëgimtari të siguroj një galeri, këto koleksione do të ruhen në një shtëpi me qira.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama