Më të mirat
"Madona". Ikona e Marisë me Jezusin foshnjë në krah, është puna më e vjetër që gjendet në koleksionin 30-vjeçar të Maksim Mitrojorgjit, arkitektit që sot drejton Departamentin e Arkitekturës në Universitetin Amerikan të Tiranës. Kjo punë sipas Mitrojorgjit daton në vitet '20, pra duhet të jetë e periudhës së fundit të krijimtarisë së Idromenos, babait të pikturës shqiptare.
Puna mban firmën e Kolë Idromenos dhe rri në këndin e antikuarëve në koleksionin e Mitrojorgjit, bashkë: me peizazhe të Vangjush Mios; portret djaloshi të Zef Kolombit; portret plakut të Vangjush Tushit dhe Foto Stamos, dy autorë që kanë studiuar në Akademitë Italiane të Pikturës; natyrë e qetë të Abdurrahim Buzës dhe portret malësori të Sadik Kacelit. Kjo pasuri e vyer është qëmtuar nëpër galeri private dhe në "treg të lirë".
Pjesën e dytë të koleksionit që përbëhet nga 120 autorë dhe 500 punë, e zë piktura e kavaletit, monumentale, bocetet skulpturë, grafikat, akuarelet, skica të thjeshta, e zënë pikturat e viteve '60, që vetë koleksionisti i ndan sipas metodës: pikturë e realizmit dhe e realizmit socialit.
Një kënd i këtij koleksioni i është lënë jetës dhe punës në atë kohë. Kemi aty pikturat "Montatorët në Metalurgjik" të Isuf Sulovarit, "Kooperativistët në Pushim" të Dhimitraq Trebickës, portreti i "Partizanit" punë e viteve '60 e Foto Stamos, pllakate të Festivalit të Rinisë së vendeve të Kampit Socialist e realizuar nga Fatbardha Shkupi. Maksim Mitrojorgji e ka për zemër artin e realizuar ndërmjet viteve të pas luftës deri më 1990.
Vlerëson nivelin artistik dhe përkushtimin me të cilin artistët punonin asokohe. Ai për Mitrojorgjin ka qenë "art serioz". Jo si ky i sotmi, që i duket një "art komercial, shumë abstrakt, shpesh pa misionin që duhet të ketë arti, për të edukuar edhe vetëm estetikisht njerëzit". Edhe pse i rri besnik shijeve të tij që nuk ndryshojnë me kohën, kjo nuk do të thotë se arti i pas 90-ës, nuk shfaq interes për koleksionistin. Mjaft që puna të ketë vlerë dhe ai të jetë në gjendje ta kuptojë dhe ta zbërtheje vlerën e saj. "Siç janë punët e Pandi Meles, të viteve 2000, ilustrimet që ai ka realizuar mbi motive nga vepra e Ismail Kadaresë.
Në paraqitjen grafike dhe në konceptim janë moderne, por ama kanë vlera të elementëve artistikë. Ose punët e Anastas Kostandinit, peizazhet e Mustafa Arapit, veçanërisht peizazhet e Adrian Devollit, që janë peizazhe që unë i kam cilësuar portrete të peizazhit. Autori arrin t'i stilizojë në mënyrë të tillë që marrin vlerën e një portreti të një peizazhi, jo të një peizazhi thjesht fotografik." Arkitekti e vlerëson një punë në bazë të ndjesive që ajo i jep në moment. Ajo t'i komunikojë diçka dhe ai të jetë i zoti të flasë për atë punë, ta komentojë. Kjo është garancia. Nëse disa të tjera "ca njolla të bukura" e lënë gojëkyçur, ato nuk mund të futen në koleksionin e tij
Koleksionisti preferon si gjini kompozimin dhe portretin në krahasim me peizazhin i cili i duket "një tablo informative e realitetit, kurse të tjerat kanë një botë psikologjike". Që të hyjë në koleksionin e tij, vepra e artit duhet të përmbushë "kriterin e cilësisë, të jetë e realizuara me një teknikë të lartë".
Të tjera duhet të paraqesin vlera historike, të jenë pasqyra të së kaluarës historike dhe për rrjedhojë edhe të artit të kohës. Prandaj ai ka përfshirë një seri punësh që i kushtohen periudhës së revolucionarizimit të Shqipërisë, periudhës së pas viteve '70. Në vepra dallohet qartë fryma ideologjike. Pastaj "ka punë që kompletojnë krijimtarinë e një autori. Një autor ka punë të mira, ka punë të dobëta, por ti nuk mund t'i shmangesh dot, duhet t'i kesh në koleksion", thotë Mitrojorgji dhe ai vlerën e një koleksioni këtu e shikon: te paraqitja e veprës së plotë të një autori, ku mund të dallohet nivelin e tij artistik në një kohë të caktuar dhe për të bërë krahasime me të tjerë, për të vënë re ndikimet.
Të dish t'i mbash
Ka bërë blerje në "tregun e lirë" pasi ka konfirmuar autorësinë dhe autenticitetin. Një burim janë galeritë private të artit, sigurisht edhe kontaktet e drejtpërdrejta me autorët. Dihet që vlera e një vepre arti pjesë e një koleksioni rritet në rrjedhë të viteve. Sot Mitrojorgji nuk e blen dot një Zef Kolombi në vlerën 2000 euro, siç e ka blerë dikur në një galeri private. Peizazhe të një liriku si Vangjush Mio, ndoshta më i shquari i pikturës shqiptare, koleksionisti ynë i ka gjurmuar në "tregun e lirë" në Korçë, vendlindja e Mios.
Nuk dihet prejardhja e tyre, "por më mirë, këto vlera le të jenë në koleksionin tim sesa të kishin humbur, ose do të ishin dëmtuar lart e poshtë", thotë Mitrojorgji.
Kohë e artë për koleksionistët ka qenë periudha e viteve '90. "Shumë prej pikturave kanë shëtitur lart e poshtë në periudhën e turbullt të pas 90-ës, të tjera janë dëmtuar, të tjera kanë humbur, vetë piktorët kanë patur dëme të mëdha, shumë artistë i kanë shitur veprat e tyre shumë lirë, sepse donin të jetonin edhe ata". Ndryshon puna tani "që është bërë gjithmonë e më e vështirë për t'i gërmuar, për t'i gjetur, edhe për t'i blerë, sepse kushtojnë shumë më shtrenjtë".
Është hobi shumë i kushtueshëm pasja në koleksion e punëve të rralla dhe të shtrenjta. Para të tjera shpenzohen për t'i restauruar e mirëmbajtur. Në shtëpinë time gjithë muret janë të veshur me piktura. Pastaj ka edhe mbi dollap, mbrapa dollapit, poshtë krevatit, nëpër dosje të futura të sistemuara". Një studio për sëmbari me 200 m2, ku punët të ajrosen, të katalogohen dhe të ekspozohen kërkon jo pak para. Gjithçka e mbledhur dhe e futur në koleksion qysh nga vitet '80, ka rëndësi njëlloj. Nuk ka konkurrencë midis punëve, "një pikturë në telajo ka të njëjtën vlerë me një grafikë, ose vizatim të thjeshtë të një autori të njohur".
Pastaj koleksionisti është i vetëdijshëm që në mozaikun e punëve ka "punë shumë të mira, të rralla, ka edhe punë më pak të mira, edhe punë të dobëta, që në mënyrë ose në tjetrën ka zënë një vend në koleksion, nuk shikohesh shpesh, por janë pjesët e koleksionit sepse lidhen siç thashë, ose me vlerën estetike, ose me emrin e autorin, ose me vlerën historike".
Mund të ndodhë të bëhen shkëmbime mes koleksionistëve, për të kompletuar koleksionet, por asnjëherë vepra nuk del jashtë këtij rrethi, ose të dalë në treg.
Për Maksim Mitrojorgjin, mbledhja e koleksionit është më shumë se një hobi. Burri 63- vjeçar ushtron shpesh vizatimin dhe akuarelin.
Po krijohet një traditë
Koleksionistët janë bërë më të hapur me publikun dhe po e prezantojnë dhe ballafaqojnë me njerëzit këtë pasuri që deri vonë e mbanin me fanatizëm vetëm brenda mureve të shtëpisë. Nëse dikur mundësisht i fshihnin dhe i rezervonin për sytë e një rrethi të vogël artistësh dhe koleksionistësh, sot është ndryshe. Ka prezantime të koleksioneve që janë trashëgimi kombëtare dhe të koleksioneve private. Dy prezantime të tilla janë bërë këto kohë në Universitetin Amerikan të Tiranës. Pikërisht aty u takuam me koleksionistin Maksim Mitrojorgji.
Çfarë ka mbetur në vend?
"Nuk ka një treg që të përcaktojë vlerën e vërtetë të veprave të artit, nuk ka një ankand, por gjithkush që ka një vepër i vë vlerën që do. Nuk ka një vlerësim të saktë, si kalkulohet vlera e një pikture, brenda cilëve parametrave artistikë dhe historikë".
Diçitura
Vangjush Tushi, Portreti i Plakut, 1941
Piktori i talentuar, karriera e të cilit u pre në mes për shkak të burgut politik
Sali Shijaku, Portret i Malësorit
Niko Progri Po ka edhe kështu! Një tablo për udhëheqësit.
Spiro Kristo: Paradat e Majit, punë e viteve '70
Kolë Idromeno: Madona, mendohet të jetë realizuar në vitet '20
Abdurrahim Buza: Natyrë e qetë
Zef Kolombi: Portret djaloshi