Koleksioniste apo trafikante? Thesari prej 1077 veprash shkon ne Galeri

Koleksioniste apo trafikante? Thesari prej 1077 veprash shkon ne Galeri

Kryeministri Edi Rama dhe dy ministra të kabinetit të tij u shfaqën dje përballëthesari një thesari të vërtetë ikonash, pikturash murale dhe antikuarësh të çmuar, të cilat iu dorëzuan Galerisë Kombëtare pas sekuestrimit gjatë operacionit policor. Përkrah ministrit të Brendshëm, Tahiri dhe asaj të Kulturës, Mirela Kumbaro, Rama tha se trashëgimia kulturore në Shqipëri është në gjendje alarmante. “Fakti që një thesar i këtyre përmasave, i barabartë me një muze, deri mbrëmë ishte në duart e keqbërësve dhe rrezikonte fatin e shumë thesareve të tjera, që tanimë kanë dalë nga kufijtë e Shqipërisë, flet vetë për gjendjen alarmante, skandaloze dhe të papranueshme të sigurisë në vend, jo vetëm për jetën e njerëzve, por për këtë pasuri të paçmuar që nuk zëvendësohet dot me asgjë”, – tha Rama në fjalën e tij. Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit tha se 1077 objektet me vlerë janë gjetur në shtëpitë e Arben Spahos dhe Gjergji Thimos, të cilët kanë përfunduar në pranga gjatë operacionit të koduar “Ikona”.

 

“Thesari” prej 223 ikonash, 4 pikturash murale, 522 pikturash bronzi dhe 322 objektesh të periudhës mesjetare janë sekuestruar në Kamëz, ku banonte Spaho dhe në një apartament në rrugën “Don Bosko”, i marrë me qira nga Gjergji Thimo. Por kush janë të arrestuarit, në shtëpitë e të cilëve u gjetën ikona me vlerë të pallogaritshme? “Baza sekrete” e të arrestuarit Gjergji Thimo ishte një studio ku hynin e dilnin gazetarë, për të përcjellë në media shqetësimin e tij për ngritjen e një muzeu të ikonografisë shqiptare. Në një intervistë të dhënë për MAPO-n në mars të vitit 2012, Gjergji Thimo fliste me krenari për koleksionin e tij, ku kishte vepra të Onufrit, Kostandin Shpatarakut apo vëllezërve Zografi, për të cilat thoshte se i kishte shpëtuar nga duart e trafikantëve. “Që prej viti 1996 po luftoj për të ngritur të parin muze të ikonografisë shqiptare, me qëllim ekspozimin por dhe ruajtjen e këtyre vlerave”, – pohonte në atë intervistë Gjergji Thimo, që në 100-vjetorin e Pavarësisë kërkoi ndihmën e dhjetëra intelektualëve për të realizuar këtë projekt. 43-vjeçari korçar Thimo pretendonte se të gjitha objektet ishin të regjistruara në Qendrën e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, dokumente të cilat MAPO i fotografoi, ndërsa vetë ai pretendoi se kishte shkuar në zyrat e pushtetarëve vendorë e deri tek ish-kryeministri Nano, por askush nuk e ndihmoi në këtë projekt.

 

Gjergji Thimo mohoi gjatë dëshmisë në polici se ishte pjesë e trafikut të veprave të artit, por hetuesit pretendojnë se kanë prova të mjaftueshme për ta vënë atë nën akuzë. I arrestuari i dytë, Arben Spaho, në shtëpinë e së cilit u gjet pjesa më e madhe e thesarit, ka përfunduar shpesh në dyert e policisë për vjedhje. Vetëm në fillim të këtij viti ai ra në prangat e policisë së Elbasanit për bastisjen e një lokali, prej nga u largua me 4 televizorë plazma. Policia tha dje se kishte bllokuar edhe një mobilieri, ku ikonat e rralla paketoheshin mes mobiliesh dhe niseshin në drejtim të Italisë apo vendeve të tjera të BE-së. Megjithatë, pritet që policia dhe më pas Prokuroria e Tiranës të gjejnë provat për të ndarë dilemën nëse Gjergji Thimo është koleksionist që ka shpëtuar ikona, apo një trafikant i tyre.

223

Ikona të kishave të përmasave të ndryshme (disa prej të cilave dyshohet se janë të vjedhura në Maqedoni).

6

Ikona, të cilat dyshohet se janë vjedhur në Shqipëri dhe Maqedoni me synim trafikimin e tyre me destinacion vendet e BE.

4

Piktura murale të konservuara, të dyshuara si të vjedhura në Kishën e Voskopojës dhe qytetin e Korçës.

522

Piktura bronzi, të cilat i përkasin periudhës së mesjetës.

322

Objekte të ndryshme, të cilat i përkasin periudhës mesjetare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama