Koleksionistet hapin thesaret shteti s’ka stenda t’i ekspozoje

Koleksionistet hapin 'thesaret', shteti s’ka stenda t’i ekspozoje
Shoqata e Koleksionistëve Shqiptarë prej më shumë se dy vjetësh përgatitet për një ekspozitë të madhe për 100-vjetorin e Pavarësisë, por rrezikon të dështojë. Me letra të njëpasnjëshme i kanë kërkuar institucioneve shtetërore mundësimin e disa stendave vertikale, të domosdoshme për ekspozimin e materialeve filatelike dhe të kartëmonedhave. Nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Përballë kësaj situate qesharake, kanë zgjedhur të tërhiqen

Prej mëse dy vitesh, koleksionistët shqiptarë kanë trokitur vazhdimisht në institucionet e shtetit shqiptar për të organizuar një ekspozitë të madhe e të denjë në 100-vjetorin e Pavarësisë. Letra të vazhdueshme, takime dhe në fund asnjë përgjigje. E vetmja gjë që kërkojnë: stenda vertikale për të ekspozuar. Shoqata e Koleksionistëve të Shqipërisë është gati të hapë “thesaret”, por shteti nuk ka disa stenda ku ata të mund të ekspozojnë për publikun e gjerë vlerat e rralla. Ekspozita, për të cilën koleksionistët kishin menduar edhe një program të detajuar, është thuajse e dështuar.

Për ca stenda. Nuk i ka as Muzeu Historik Kombëtar, as Ministria e Kulturës dhe as Galeria Kombëtare e Arteve. Janë stenda vertikale, të krijuara posaçërisht për të ekspozuar materiale filatelike dhe kartëmonedha. Në vendet fqinje prodhohen dhe përdoren normalisht. Të tilla i janë ofruar Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë në çdo ekspozitë ndërkombëtare ku kanë qenë të ftuar a në konkurrim e ku janë vlerësuar me çmime. Përveçse në Shqipëri. Përballë një parodie të tillë, çdokush mendon për një çmim marramendës të tyre. “Kushtojnë sa makina e një nëpunësi të administratës së ulët”, thotë Bajram Peçi, kryetar i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë. Nuk kanë kërkuar fond për shpërblim (siç ndodh në vendet e qytetëruara), por vetëm mundësimin e disa stendave ekspozimi, që në fund i mbeten sërish inventarit të ministrisë.

Në fakt, nuk është një problem rishtar. Sa herë që gjenden para nevojës së një ekspozite, ata tundin kokën në formë zhgënjimi: “Nuk kemi ku t’i ekspozojmë”. E janë po ata që në koleksionet e tyre disponojnë vlera që nuk gjenden në arkivat e institucioneve shtetërore, përfshi këtu Postën Shqiptare apo Bankën Kombëtare, kur bëhet fjalë për kartëmonedhat. Mjafton të përmendim se në ekspozitën e realizuar më 31 mars të 2011-ës, në rastin e 85-vjetorit të monedhës kombëtare, pjesa dërmuese e materialit ekspozues ishte ofruar nga koleksionistët. Por le të kthehemi te 100-vjetori i Pavarësisë.

Ndonëse në një terr informativ(2 muaj para datës së shënuar nuk ka ende një kalendar të përcaktuar aktivitetesh), nuk dimë të shënohet ndonjë ekspozitë e rëndësishme me këtë rast. Koleksionistët kanë ofruar pullat e hershme postare, zarfet që firmosen nga Ismail Qemali e të tjerë, figura historike të kohës, monedha e kartëmonedha, medalje të hershme, vlera që publikut i ofrohen rrallë në një kronologji 100-vjeçare. Muzeu Historik Kombëtar nuk ka në program e nuk po punon për ndonjë ekspozitë me këtë rast.

Nëse ndodh, do të jetë e rastësishme dhe e sajuar. Në fakt kështu pritet të ndodhë me të gjitha aktivitetet e këtij përvjetori të rëndësishëm historik në mungesë të seriozitetit e vullnetit për t’i organizuar ato. Në dijeninë tonë nuk ka as ndonjë paraqitje të këtij niveli të propozuar nga koleksionistët, të cilët, për të shmangur edhe bezdisjet burokratike e kishin hartuar edhe programin e plotë të paraqitjes së stendave. Justifikimi më i zakonshëm që koha ishte e pamjaftueshme në këtë rast nuk do të qëndronte. Letra e parë e Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë, drejtuar Genc Pollos si Ministër i Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, mban datën 7 tetor 2010.

Ndërsa flitet për ekspozitën, përmbajtjen dhe realizimin, kërkesa e vetme është sigurimi i stendave. “Çfarëdolloj karakteri që do ketë ekspozita, kombëtare apo ndërkombëtare, ajo do kërkojë planifikimin e shpenzimeve, ku në radhën e kërkesave spikat blerja e stendave të ekspozimit të pullës postare, të cilat Shqipërisë i mungojnë”, shkruan Bajram Peçi, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës. Në mungesë të një përgjigjeje, një vit më vonë, më 14 tetor të vitit 2011 fillon komunikimi i njëanshëm me Ministrin e Kulturës, Aldo Bumçin.

Në vazhdim janë disa letra, gjithnjë në pritje të një përgjigjeje që nuk erdhi asnjëherë. Koleksionistët e kanë të qartë se do t’u bjerë telefoni kur të jenë të domosdoshëm për ndonjë aktivitet, ku zyrtarët duhet të bëjnë ngrefosjet e zakonshme. “Asambleja e Shoqatës së Koleksionistëve, vendosi që të përgatitet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë me ekspozimin e një pjese të kulturës shqiptare që ruhet e shfaqet në filateli, numizmatikë e medalistikë. Në programin e Ministrisë së Kulturës, që me siguri do të dalë shumë shpejt, gjykojmë që do të duhet të parashikohen edhe ekspozita filatelike, të monedhës e kartëmonedhës, si dhe të medaljeve.

Në stendat e ekspozimit, ne do të vendosim ato rrallësi emetimesh që nuk i ka as posta, as Banka Kombëtare, por dhe as Presidenca… Ndonëse koleksionistët filatelistë të Shqipërisë, prej 20 vjetësh marrin pjesë pa reshtur në ekspozitat e konkurrimet ndërkombëtare, ku janë vlerësuar me medalje Vermei, Argjend i madh dhe Argjend-Bronz, në Shqipëri ka qenë e pamundur të bëhen ekspozita të tilla, sepse, si institucionet që varen nga Ministria e Kulturës, ashtu dhe Posta Shqiptare, nuk kanë stenda ekspozimi.

Ekspozitat filatelike, që ka bërë e bën shoqata jonë në Tiranë, Korçë e Shkodër, bëhen me mjete rrethanore e krejt të papërshtatshme. Së dyti, nëse për ekspozimin e monedhave e medaljeve me qëndrim horizontal, Muzeu Historik Kombëtar ka stenda pothuajse të mjaftueshme, për ekspozimin e materialeve filatelike dhe të kartëmonedhave, kërkohen stenda ekspozimi me vendosje vertikale të objekteve, të cilat Shqipërisë i mungojnë. Për këtë, është e nevojshme që të mbështetet financiarisht kjo nismë kulturore, duke blerë një sasi stendash ekspozimi, të cilat i prodhojnë e i shesin të gjithë fqinjët tanë. Stendat mendojmë se duhet të jenë në inventarin e një prej institucioneve të vartësisë Suaj dhe t’i jepen Shoqatës të Koleksionistëve të Shqipërisë, herë pas here për përdorim në ekspozita, në funksion e interes të publikut të gjerë në Tiranë e në qytete të tjera të Shqipërisë.

Shoqata e Koleksionistëve të Shqipërisë, ku janë të anëtarësuar dhe koleksionistët shqiptarë të Republikës së Kosovës dhe koleksionistë shqiptarë të Maqedonisë, ndonëse në përbërje të saj përfshin në shumicë intelektualë, si: arsimtarë, inxhinierë, juristë, artistë, punonjës të kulturës, mjekë, gazetarë e ushtarakë, nuk i ka mundësitë financiare për ndërmarrje të këtyre përmasave”, theksohet në letrën e disatë që Shoqata i dërgon ministrit Bumçi, më 28 shkurt të vitit 2012. Mund të duket qesharake, por në mungesë të stendave kjo ekspozitë nuk do të organizohet. Në një situatë kur fondet rrjedhin për një sërë aktivitetesh, shumica të dyshimta për vlerën që përcjellin, e kur 100-vjetori i Pavarësisë futet në axhendën e minutës së fundit(pavarësisht njoftimeve të hershme të këtij lloji), kur bëhen konkurse turravrap e pastaj dështojnë, situata të tilla bëhen normale në botën shqiptare. Pyetja është: Edhe sa do të durojmë!?

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama