Kolonat e gurit simbol i qytetit te Korces

Kolonat e gurit, simbol i qytetit te Korçes
Korça ruajti dhe kultivoi karakteristika krejtësisht të veçanta në konceptet urbanistike dhe në zgjidhjet arkitekturore të banesës qytetare dhe fshatare. Në praktikën qindravjeçare u arrit në sintezën dhe shumëllojshmërinë e këtyre elementeve dekorativo-konstruktive. Tri javët e fundit sa herë kam shkuar në Korçë kam ndjekur me vëmendje punën në një banesë që po ndërtohet në Bulevardin Republika. Më saktë, më ka interesuar pjesa e parë e saj, muri rrethues dhe kolonat. Takova mjeshtrin gurgdhendës Jorgaq Bandillin, i cili vazhdon traditën e të atit, Pandi, gjyshit, Sotir dhe stërgjyshit, Kristaq Bandilli.

Të gjithë jemi marrë me gurin, më tha.

Blloqet e gurit janë marrë nga gurorja e qytetit afër Barçit, është mademi i vjetër nga janë nxjerrë gjithë blloqet për kolonat e shtëpive të qytetit. Mademi ka një gur gri mat, pa damarë, që nga koha ndërron pak ngjyrë, bëhet më i pjekur. Sidoqoftë pata kënaqësinë të shoh ngjyrën e parë akoma të pavrarë nga dielli dhe nga shiu. Kolona mu duk si fustan nusërie.
Guri është material fisnik ashtu si edhe druri.

Malet e qytetit kanë qenë bujare me korçarët, u kanë dhënë mbrojtjen, bukurinë dhe forcën. Nuk ka si malet e Korçës, ato janë ngulitur brenda meje që në fëmijëri.

Dhe Mioja prandaj u bë piktor i Korçës, ngaqë kuptoi malet.

Ai në sfondin e maleve vendosi çdo gjë, por malet në pikturat e tij ama janë magjike.

Asnjë mbas Mios nuk mundi t'i pikturojë ashtu.

Kolonat që punoi Jorgaqi janë 140 me diametër 31 cm., kapiteli është 37 cm., bazamenti 70 plus 25 cm. E pyeta për kapitelin, e kam bërë vetë sipas qejfit, me mendjen time, më tha.

Pragu është 160 X 42 cm.

Nuk më kish rënë rasti të shoh në punim e sipër një kompleks, qoftë edhe aq të vogël. Dhe kënaqësinë dhe vlerësimin tim të madh nuk ia shpreha dot sa duhet, as pronarit dhe as mjeshtër Jorgaqit.

Kjo e tëra është në harmoni me Bulevardin Republika që është zonë e mbrojtur.

Njëqind metra më lart është duke përfunduar një objekt i veshur i tëri në granit të zi, që ngjan si ato varret familjare.

Ç'është, e ç'do kjo gjë e zezë në bulevard ??? Në bulevardin dritëshumë të Korçës?

Çfarë drite rrezatojnë pragu, kolonat, muri rrethues me blloqe të mëdhenj të nxjerrë nga mali i qytetit dhe çfarë disakordi, çfarë stonimi është kjo nxirosje! Si e ka lejuar K.R.T.-ja e Korçës këtë gjë?


Korça kolonat e gurit i ka simbol. Ato, simbas mendimit tim, janë simboli i tij i veçantë. Janë vula e tij e thatë. Simbol i mirëqenies, kulturës, qytetarisë. I mirëqenies që rrjedh nga puna, i kulturës së krishterë, i qytetarisë së formuar në mijëvjeçarë.

Në mendimin dhe praktikën qindravjeçare u arrit në sintezën dhe shumëllojshmërinë e këtyre elementeve dekorativo-konstruktive. Dua të theksoj se Korça është i vetmi qytet në Shqipëri që nuk ka dukuri të arkitekturës otomane si Gjirokastra, Berati, Shkodra, Tirana, Elbasani etj. Megjithëse aty për herë të parë u ndërtua një xhami, ajo e Mirahorit. Kultura e të jetuarit dhe qenia e disa qendrave të forta të krishterimit si Voskopoja dhe Vithkuqi, afërsia me Patrikanën e Ohrit dhe Selanikut, bënë që Korça të ruajë në shekuj vlerat autoktone.

Korça ruajti dhe kultivoi karakteristika krejtësisht të veçanta në konceptet urbanistike dhe në zgjidhjet arkitekturore të banesës qytetare dhe fshatare (Dardhë, Mborje, Drenovë, Boboshticë, Voskopojë, Vithkuq, Hoçisht etj.) Arkitektura në këtë rast ishte një shfaqje e rezistencës antiosmane në mënyrën e të jetuarit.

Dhe thelbi i kësaj ishte thjeshtëzimi.
Dhe thjeshtimi më i vështirë vjen në gur.
Dhe guri u mishërua në kolona.

Deri tani kam gjetur 30 variante të kapiteleve në qytet.

Një pjesë i kam botuar (shih Dekoart në Korçë, 21 dhe 28 Shtator 2003. Gazeta "55").
Aty kam botuar 10 variante të kolonave në gur.

Disa të tjera po i botoj sot.

Në kohën e një arkitekture me sherbet (otomane), Korça ruajti disa parime të një thjeshtësie të admirueshme, që mund të vijë vetëm nga një popull tepër racional, me vetëpërmbajtje, që respekton ligjin dhe shumë punëtor.
Vetëm puna thjeshton çdo gjë.

Arkitektura më afër modernitetit evropian (në Arkitekturën Popullore Shqiptare), është realizuar në Korçë. Koleksioni i kolonave e vërteton këtë. Kolonat ishin edhe dekorative edhe statike, ato vazhdonin traditën e traut të tempullit antik grek. Shkonin në harmoni të plotë me zgjidhjen planimetrike të banesës dhe formulimin e fasadave. Urbanistika e qytetit me prerjet drejtkëndore të rrugëve, ishte e mirëmenduar me madhësinë e parcelave dhe bashkëjetesën e qytetarëve.

Ajo lloj zgjidhje urbanistike ishte reflektim i një koncepti demokratik të të jetuarit. Çdo gjë ishte transparente dhe kishte një marrëdhënie të hapur midis banorit, komshiut dhe kalimtarit në rrugë. Kjo gjë duhet ruajtur sepse është një mënyrë e të jetuarit në harmoni me natyrën, qytetin dhe vetveten.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama