Komandot shqiptare dy muaj pa pagese ne frontin e luftes

Komandot shqiptare, dy muaj pa pagese ne frontin e luftes

Ushtarakët e misionit paqeruajtës, të cilët po shërbejnë në zonën e ashpër të Spin Boldakut nuk marrin shpërblimet prej dy muajsh. Ministria e Mbrojtjes: Po procedojmë me pagesat. Morali i ulët i kontingjentit elitë që na afron me NATO-n 

Në ceremoni publike, politika i quan ata krenari kombëtare, që bëjnë të mundur rreshtimin e një vendi të vogël si Shqipëria përkrah aleatëve të mëdhenj të NATO-s. Por ushtarakët e misionit paqeruajtës në Afganistan po përballen përveç vështirësive në terren, edhe me vonesën e pagesave. Kontingjenti “Eagle 9”, që ndodhet prej janarit në Afganistan, është aktualisht i papaguar në kohë dhe jashtë vëmendjes së shtetit.

 

Misioni shqiptar prej 50 vetash ndodhet në zonën e ashpër të Spin Boldakut, në kufi me Pakistanin, ku rreziku është i vazhdueshëm. E megjithatë, trupat shqiptare atje do të duhet të mendojnë përveç detyrave të përditshme, edhe për vështirësitë financiare. Një burim i tha MAPO-s se, përveç vonesave në pagesë, ata janë të shqetësuar edhe për rrudhjen e shpërblimit nga taksimi progresiv. Çdo ushtarak që ndodhet në mision paqeruajtës, sipas një vendimi të qeverisë “Berisha” paguhet me 12 mijë lekë të reja në ditë. Me taksimin e sheshtë, pagesa e shënuar si dietë shkonte në 10 mijë e 800 lekë. Ndërsa sot, specialët e “Eagle” marrin në dorë 9 mijë e 200 lekë të reja në ditë. Vetë ushtarakët pohojnë se kur u nisën drejt Afganistanit në janar të këtij viti, nuk u ishte bërë me dije ky fakt. Shqetësimi është përcjellë në Ministrinë e Mbrojtjes, por vetë ata nuk kanë ende një përgjigje.

 

Të kontaktuar nga MAPO, burime zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes thanë se “misioni paqeruajtës në Afganistan ka marrë paradhënie shpërblimin e një muaji. Aktualisht po procedohet me pagesat e tjera”. Situata në bazën e ushtarakëve shqiptarë në Afganistan është megjithatë e nderë. “Morali është përtokë, ndërsa rreziku është i madh, sepse sapo kanë përfunduar zgjedhjet. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga gjeneralët në Tiranë dhe kjo na mërzit”, – i tha MAPO-s njëri prej ushtarakëve, në kushtet e ruajtjes së anonimatit. Shpërblimi financiar, përveç sistemit të karrierës, është një motivim i madh për Batalionin e Forcave Speciale që merr pjesë në misionet paqeruajtëse në kuadër të operacioneve të NATO-s.

 

Për këtë arsye, edhe komandot që kanë parë vdekjen t’u kalojë pranë, janë kthyer sërish në tokën e luftës. Njëri prej tyre është edhe Aleksandër Peci, që mbeti i plagosur në sulmin ku vdiq komandanti Feti Vogli. Peci ndodhet sot në Afganistan, në misionin “Eagle 9”, edhe pse ende nuk ka marrë dëmshpërblimin e akorduar për plagosjen e tij. Kontingjenti “Eagle-9” zëvendësoi kontingjentin “Eagle-8” që veproi me mision në operacione luftarake në zonën e Kandaharit. Ky kontingjent i përbërë nga 50 ushtarakë të mirëtrajnuar realizon detyra në zonën operacionale Spin Boldak dhe Kandahar të Afganistanit, nën komandën e forcave amerikane.

60 dollarë amerikanë në ditë merrnin ushtarakët shqiptarë në misionet paqeruajtëse, sipas një vendimi të vitit 2002, të qeverisë “Rama”. Për shkak të diferencës me ushtarakët e huaj, ky vendim u ndryshua në vitin 201012 000 lekë në ditë paguhen që prej vitit 2010, forcat speciale paqeruajtëse shqiptare. Por kjo pagesë zbret në vlerën 9 mijë e 200 lekë, pas hyrjes në fuqi në janar të taksës progresive, që prek pagat e larta


Historia e Bramatit, që vrau veten pas misionit

Ushtarakët shqiptarë nuk i kanë shpëtuar fenomenit të stresit traumatik, me të cilin po përballen në masë ushtarakët e forcave paqeruajtëse që kanë shërbyer gjatë në Afganistan. Vetëvrasja e Marenglen Bramatit, i cili qëlloi veten pas kthimit nga Afganistani, nxiti mjaft debat në vend. Familjarët u shprehën për median se ai nuk kishte asnjë arsye tjetër, përveç presionit të përballur në zonën e luftës. Ndërsa komandoja i plagosur tha asokohe për mediat se misionet kanë ndikim në jetën e tyre. “Dhe besoj se edhe tek Marengleni misionet jashtë vendit kanë ndikuar, aq më tepër që ai ka parë gjithë skenën e vrasjes së kapitenit dhe plagosjes sime. Por, ndikon dhe shërbimi në Afganistan, sepse Marengleni ka qenë në front të luftës. Detyrat ishin të ndryshme, bënim kontrolle në autostradë, patrulla në këmbë nëpër qytet, shoqërim të personave të lartë amerikanë që ishin në bazë, si dhe personave të tjerë VIP që vinin në bazë, takime me popullsinë afgane, detyra nga më të ndryshmet që kryhen nga forcat speciale shqiptare”, – tha Peci për mikun e tij që i dha fund jetës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama