Një ditë e gjysmë pushim absolut. Kombëtarja shqiptare ka ndier shumë lodhjen e një ndeshjeje të sforcuar ndaj Francës. Vetëm dje pasdite skuadra ka dalë në terren për të zhvilluar stërvitjen e parë në prag të takimit të së dielës me Rumaninë. Që në mesnatën e së mërkurës, duke parë intensitetin e sfidës me "gjelat", mësohet se trajneri Xhani De Biazi vendosi që ekipi të ketë më shumë kohë rikuperimi për të qenë gati në përballjen e fundit në grup.
Lojtarët u mjaftuan me masazhe gjatë së enjtes, ndërsa edhe dje e vetmja stërvitje ka qenë më shumë shkrythëse.Vetëm në fundin e seancës italiani i ka kushtuar rëndësi taktikës. Gjithsesi, burime pranë Kombëtares tregojnë se De Biazi nuk ka dashur të zbulojë asgjë sa i përket formacionit. Trajneri ka përzier grupin, në një kohë që dihet tashmë se ndaj Rumanisë do të mungoj vetëm mesfushori Burim Kukeli, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
Në seancën e djeshme ra në sy mosprezenca me grupin e mesfushorit Ledian Memushaj, i cili zhvilloi stërvitje i diferencuar për shkak të një kontraktimi muskulor. Stafi mjekësor i Kombëtares konfirmon për "Panorama Sport" se vlonjati nuk ka ndonjë problem serioz që mund ta lërë jashtë takimit me rumunët, por thjesht lodhje prej ndeshjes me Francën, ku vrapoi 10.72 kilometra.
Titullarët
De Biazi pritet të bëjë ndryshime ndaj Rumanisë. I sigurtë është rikthimi titullar në qendër të mbrojtjes i Lorik Canës. Burime pranë stafit bëjnë të ditur për gazetën trajneri nuk mendon të lërë në stol kapitenin, edhe pse Ajeti bëri një paraqitje të mirë me Francën. Me Etrit Berishën të sigurtë në portë, edhe pozicionet e tjera të mbrojtjes, Hysaj në të djathtë e Agolli në majtë, si dhe Mavraj në qendër, janë të konfirmuar.
Dilema më e madhe është qendra e mesfushës, aty ku Kaçe dhe Xhaka luftojnë për një vend. Më i avantazhuar duket korçari, por nuk ka asgjë të sigurtë, në një kohë që Abrashi dhe Memushaj me shumë mundësi do ta nisin sërish si titullarë. Në krahun e djathtë të mesfushës do të rikthehet Roshi, ndërsa në të majtë rikonfirmohet Lenjani. Dilema për trajnerin ka në sulm, por gjasat janë që Sadiku të ulet në stol dhe Cikalleshi ta nisë nga minuta e parë.
Jorgis Memo