Shqipëria ka pasur një mision të ndry shëm pasimesh, krahasuar me ndeshjen e parë kundër Zvicrës. Ndërkohë që në duelin debutues të Europianit, futbollistët kuqezinj tentuan që të luajnë më tepër në qendër dhe të depërtojnë në këtë mënyrë, kundër Francës ka ndodhur e kundërta.
Burim Kukeli ka qenë "kontrollori" i të gjitha aksioneve, si futbollisti që ka dhuruar dhe marrë më tepër pasimet. Gjithsesi, nuk ka bashkëpunuar me lojtarët e repartit të tij, por pjesën më të madhe të topave janë furnizuar për Elsid Hysajn dhe Ansi Agollin.
Nga ana tjetër, këta kanë tentuar të dhurojnë topa të infiltruar për Armando Sadikun, i cili së bashku me Ermir Lenjanin kanë qenë lojtarët më "të diskriminuar".
Për plot 97 minuta në fushë, atyre u është dhënë topi në total vetëm 14 herë. Gjithsesi, sa u përket aksioneve individuale, bie në sy që asnjë inkursion drejt zonës së rreptësisë franceze, nuk ka qenë i suksesshëm.
Pasimet
Në ndryshim nga ndeshja e parë, ku dalja me karton të kuq prishi disi planet e Shqipërisë, kundër Francës "kontrollori" i pasimeve ishte Burim Kukeli. Prej këmbëve të mesfushorit janë dhënë më shumë topa, por edhe ka pasur një saktësi relativisht të lartë.
Ajo që bie në sy prej statistikave të pasimeve, është detyra e dhënë nga De Biazi. Përveç Kukelit, që do ishte referim në qendër, ndryshe nga sfida me Zvicrën, nuk është luajtur në qendër, por nga krahët. Madje, nga dy mbrojtësit e krahut, Ansi Agolli dhe Elseid Hysaj.
Ata kanë edhe një diferencë shumë të madhe me shokët e skuadrës, sa u përket topave të marrë. Për të qenë më të saktë, lojtari që ka marrë më tepër pasime ka qenë kapiteni Agolli (33), i ndjekur nga Kukeli (32) dhe Hysaj (30).
Ndërkohë, ai që ka qenë "distributor" është mesfushori që aktivizohet në Zvicër me Zyrihun. Në total ka dhuruar 46 pasime, 40 prej të cilëve kanë shkuar në destinacionin (87% saktësia). Pas tij, me nga 39 pasime të dhuruara janë Agolli me Hysajn, që kanë saktësi prej respektivisht 85% dhe 69%.
Sulmi
Për të kuptuar se si kanë tentuar kuqezinjtë për të sulmuar, vërehet mungesa e guximit të tepruar. Armando Sadiku, që udhëhiqte i vetëm repartin e avancuar, në plot 97 minuta e 25 sekonda që ka qëndruar në fushë, ka marrë në total 14 pasime, vetëm tre më shumë se Xhaka që luajti 22 minuta.
Madje, edhe pasimet nuk i ka marrë prej atyre që pritej, si Lila, Lenjami apo Memushaj. "Misioni" ka qenë me topa të infiltruar, ku me nga tri herë e kanë furnizuar Hysaj me Ajetin dhe nga dy herë Kukeli, Mavraj dhe Agolli.
Ermir Lenjani gjithashtu nuk ka qenë pikë referimi në lojë, sepse i janë dhënë gjithsej vetëm 14 pasime, pesë prej të cilave nga partneri i krahut, Agolli, dhe katër nga Memushaj. Sa u përket topave të shkëmbyer, bashkëpunimi më i madh ka qenë mes Kukelit dhe Mavrajt, me mbrojtësin që ia ka dërguar topin në tetë raste, ndërsa mesfushori ia ka kthyer në gjashtë.
Portieri
Etrit Berisha ka gabuar plot 50% të pasimeve, çka është një tregues negativ. Në 38 tentativa për të dërguar topin në destinacion, vetëm 19 herë ka qenë i saktë.
Ajo që është e veçantë, është fakti se më së shumti ka pasuar tek Andi Lila, që ka pasur rolin e mesfushorit të djathtë.
Karakteri i pasimeve
Kuqezinjtë sërish kanë luajtur më tepër me pasime të distancave mesatare. Janë tentuar 190 topa të këtij karakteri, ku plot 165 kanë qenë të saktë. Ndërkohë, 104 kanë qenë tentativa pasimesh të shkurtra dhe 64 topa të gjatë, prej të cilëve 32 herë kanë rezultuar të saktë. Në total, Shqipëria ka tentuar të realizojë 358 pasime, me një saktësi prej 76%.
Depërtimet individuale
Shqipëria nuk ka arritur të depërtojë asnjëherë në brendësi të zonës kundërshtare, falë aksioneve personale. Sigurisht që ky mision ishte "autorizuar kryesisht për Armando Sadikun, por ai e pati të pamundur, që t'ia dalë mbanë. Kjo, e ndikuar edhe nga mungesa e furnizimit me topa, prej shokëve të skuadrës.
Në tri tentativa për t'u futur në brendësi të zonës së rreptësisë së Francës me aksione individuale, futbollistët kuqezinj nuk ia dolën dot në asnjë rast. Në perimetrin afër zonës kundërshtare, pati gjithsej tetë aksione, prej të cilave pesë patën rezultat pozitiv, duke shkuar deri në atë distancë, ku në pjesën më të madhe u realizuan prej Odise Roshit.
Ndërkohë, në gjysmëfushën kundërshtare, pati në total 20 inkursione personale nga ana e futbollistëve të De Biazit, prej të cilave vetëm gjysma ishin të suksesshme. Kryesit u realizuan nga lojtarët e qendrës së mesfushës.
Ndërhyrjet
Lojtari që ka pësuar më tepër ndërhyrje të gabuara prej shqiptarëve është Ledian Memushaj, me tri raste të tilla.
Ndërkohë, ai që ka shkaktuar më tepër faulle është Burim Kukeli, po tre. Armando Sadiku gjithashtu ka shkaktuar më tepër faulla (2), se sa ka pësuar (1), edhe pse ka pasur si detyrë që të fitojë sa më tepër goditje standarte në afërsi të zonës kundërshtare.