Komisioni i Jashtem miraton ne parim pr/buxhetin 2016

TIRANË, 23 Nëntor/ATSH-Anila Struga/.- Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme miratoi të hënën në parim me votat e maxhorancës projektbuxhetin e vitit 2016.

Të pranishëm në komision për të prezantuar draftin, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe zëvendësministri i Financave, Erion Luçi folën mbi prioritetet kryesore të ligjit më të rëndësishëm financiar të vitit, duke u ndalur tek fusha e diplomacisë.
Mbledhja u shoqërua me përplasje dhe debate të forta mes përfaqësuesve të qeverisë dhe deputetëve të opozitës "për shifrat e pamjaftueshme për MPJ-në", por dhe për çështje të tjera të aktualitetit politik që lidhen me diplomacinë.

Ministri Bushati, duke folur për buxhetin e dikasterit të jashtëm tha se fushat kryesore të zbatimit të tij gjatë 2016-s, do të jenë integrimi, me fokus kryesor plotësimin e rekomandimeve të BE-së për çeljen e negociatave, fushë tjetër është zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe përmes jetësimit të plan veprimit me SHBA-në, bashkëpunimi rajonal, që do të kurorëzohet me çeljen në Tiranë në 2016-n të zyrës së Fondit të Ballkanit Perëndimor.

Fonde të buxhetit të MPJ-së do të shkojnë dhe për sigurinë, ku gjatë vitit në vazhdim, në kuadër të luftës kundër terrorizmit, parashikohet ngritja në Tiranë e Qendrës Rajonale kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Një tjetër projekt me rëndësi është dhe puna për ngritjen e Konsullatës Dixhitale, një projekt me vlerë pej rreth 120 milionë lekësh që do të ofrojë shërbime konsullore.

Debate të ashpra Dade-Bumçi

Mbledhja e sotme e komisionit pati momente tensioni dhe debate të forta mes palëve. Deputetët e opozitës e kundërshtuan pr/buxhetin duke denoncuar shifrat e ulëta në sektorë bazë si arsimi, shëndetësia, mbrojtja, etj.

Deputeti Kastriot Islami u ankua për fondet e ulëta në buxhet akorduar diplomacisë, të cilat sipas tij, janë të njëjta përgjatë tre viteve. Sipas Islamit, shifrat e ulëta në investime në shërbimin e jashtëm nuk e përligjin angazhimin e qeverisë për procesin e integrimit, me në fokus çeljen e negociatave. Gjithashtu, Islami tha se buxheti i ri nuk parashikon rritje pagash dhe pensionesh, por vetëm indeksim të tyre për kategori të caktuara

Më i ashpër në fjalën e tij, nënkryetari demokrat i komisionit, Aldo Bumçi akuzoi drejtuesit e ministrisë së Jashtme 'për paaftësi' në thithjen e fondeve për projekte në kuadër të Procesit të Berlinit, ndërsa sulmoi dhe kryeministrin Edi Rama që sipas tij, "po e bën vendin qesharak dhe pa dinjitet".

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetares së komisionit Arta Dade, e cila e konsideroi të papranueshëm qëndrimin e deputetit Bumçi, ish-ministër i Jashtëm. "Jeni përgjegjës edhe ju për vendin dhe të luftojmë së bashku që ta bëjmë me dinjitet, ndaj tërhiqini mbrapsht fjalët që thatë. Ju po kërkoni të devijoni kahun e mbledhjes", tha kryetarja Dade.

Blushi: Kemi nivelin më të lartë të borxhit në rajon

Gjatë diskutimit në parim të pr/buxhetit në komisionin e Jashtëm, deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi i kërkoi zv/ministrit të Financave një informacion për shifrën e borxhit të marrë nga qeveria e majtë në këto dy vite të drejtimit të vendit.

Blushi replikoi ashpër me zyrtarin e financave, i cili, pas insistimit të deputetit për shifrën e saktë të borxhit të marrë në dy vitet e fundit, pohoi se ai (borxhi) kap shifrën e një miliardë eurove.

Zv/ministri Luçi tha se aktualisht borxhi publik është në nivelin e 72% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. "Me këtë shifër e gjetëm borxhin në vitin 2013 pasi këtu përfshiheshin dhe detyrimet e prapambetura, që tashmë janë ezauruar.

Por, i ashpër ishte komenti i deputetit Blushi, që pasoi përgjigjen e zv/ministrit. "Është aq shumë borxh sa nuk e paguani dot. Keni marrë borxhe më shumë se çdo vend tjetër në rajon, duke treguar papërgjegjshmëri. Çfarë po bëhet në Shqipëri me këto borxhe që po merren? Vetëm sa po paguhen rroga dhe pensione. Dy vjet që nuk po bëhet asnjë punë, po na falimentoni. Ata (opozita e sotme) dështuan se morën borxh, duke e kaluar normën europiane prej 60% të borxhit publik. Po merrni borxh për pishina, për kulla e stadiume. Kjo është lluksokraci, që merr borxh për rroba e jo për ushqime", deklaroi Blushi. /m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama