Për sa u takon historianëve që reagojnë, duhet të themi se peticioni jo vetëm nuk kufizon dhe nuk ndërhyn në kompetencat e tyre për ta shkruar e rishikuar historinë por, përkundrazi, është kundër censurimit të tyre nga një komision shtetëror, aq më tepër me përfaqësues të një shteti tjetër, në rastin konkret turk. Por duke përmendur vetëm Serbinë nënkuptohet që asnjë shtet tjetër, qoftë grek, gjerman a italian, nuk mund të ndërhyjë dhe të censurojë tekstet e historisë së Shqipërisë në emër të vëllazërimit të popujve, apo të forcimit të marrëdhënieve bilaterale.
Ballkani po edhe bota gjatë shekujve janë përfshirë në luftëra dhe konflikte të ashpra, por historia është histori dhe realpolitika është tjetër gjë. Se në popujt e qytetëruar kush bën luftën, di të bëjë dhe paqen. Ç’do të ndodhte sikur amerikanët dhe japonezët të krijonin komisione shtetërore për të censuruar historianët e artistët e tyre për bombën në Hiroshima ose për sulmin japonez në Pearl Harbor, ose shteti gjerman të kërkonte të censuronte tekstet europiane të historisë. Sigurisht që historia rishikohet, por jo nën censurën shtetërore, madje sepse koniunkturat e politikës e marrëdhënieve ndërkombëtare ndryshojnë shpesh dhe nuk mund të vihet shkenca e historisë nën lëkundjet e këtyre politikave. Këto kam menduar kur pa hezitime kam firmosur peticionin dhe as më ka shkuar mendja që në ndonjë rresht të tij të jetë fshehur ndonjë përpjekje për t’u hyrë në hise historianëve e, aq më tepër, me naivitet të mendohej që të marrë përsipër të ndikojë në nivelin e marrëdhënieve Shqipëri-Turqi.
Unë mendoj se integriteti i historianëve tanë si në të gjithë botën është i mjaftueshëm për të mos e përdorur historinë për luftënxitje, paragjykime racore etj. Organizmat shkencorë, por edhe historianët si individë janë të lirë të bashkëpunojnë pa censurën e shteteve me institucionet shkencore të Turqisë dhe me historianët turq njëlloj si me ata europianë, por kjo është tjetër gjë dhe censurimi nga një komision bishtetëror dhe nën trysninë e marrëdhënieve diplomatike.
Prandaj më është dukur i pakuptueshëm reagimi i disa historianëve kundër këtij peticioni, madje edhe spekulativ; se e ritheksoj që peticioni nuk është kundër rishkrimit të historisë, sikundër spekulohet në media, por “kundër rishkrimit të historisë nën kontrollin e një komisioni shtetëror shqiptaro-turk”. Më paradoksal është fakti që, kur Kryeministri Berisha ka bërë thjesht sugjerime për rishkrimin e historisë, disa nga këta historianë janë ngritur me ulërima se po na ndërhyn dhe parafytyroni sikur ai të krijonte një komision shtetëror të mvarur prej tij dhe sigurisht do të kishin të drejtë të protestonin se kjo do të ishte formë e mirëfilltë censure dhe, në këtë rast, unë nuk e kuptoj përse këta protestojnë kur Kryeministri shqiptar u ndërhyn dhe revoltohen e thonë se nuk ka ndonjë të keqe, nuk ka ndonjë rrezik nga ndërhyrja e shtetit turk.
Dhe ajo që bëri të shpërthejë gati një histeri mediatike në shtypin tonë dhe në Kosovë, ishte pjesa e dytë e peticionit që ka të bëjë me cilësimin e pushtimit turk si barbar, gropë e zezë etj. Kjo metaforë nuk është vetëm punë stili, por mbështetet në një të vërtetë historike dhe një vizion mbarëkombëtar të rilindësve. Sigurisht metaforat kanë dhe subjektivitetin e hartuesit dhe janë dhe çështje stili se personalisht unë do ta quaja “humnerë”, “greminë” të thellë; Se po të ishte vetëm një gropë e vogël, do të ishte mbyllur tashmë. Sami Frashëri, enciklopedist i shquar turk, por dhe truri i rilindjes tonë kombëtare, e dinte mirë historinë kur shkruante se ky ishte një pushtim barbar, që erdhi nga thellësitë e shkretëtirave aziatike dhe na shkëputi dhunshëm nga qytetërimi europian, që i përkisnim politikisht.
Perandoria otomane, edhe kur pas pushtimit të Kostandinopolit u vetëshpall vazhduese e perandorisë romake-bizantine dhe ndërmori reforma ligjvënëse latino-bizantine për të stabilizuar sundimin e saj dhe bashkëjetesën e besimeve e popujve, prapëseprapë në thelb ngeli një qytetërim aziatiko-europian, sepse të gjitha reformat dhe të gjitha ligjet bëheshin në kuadraturën e sheriatit. Shkurt kjo perandori shumëshekullore i la popujt në një prapambetje të madhe në krahasim me vendet europiane.
Nga problemet e pasojat e trashëguara nga perandoria otomane vuajtën veçanërisht jo vetëm shqiptarët dhe popujt e tjerë, por edhe vetë Turqia e sotme, të cilën një burrë i madh shteti e ktheu me reforma drastike në një republikë europiane. Në administrimin me sistemin milet dhe ligjet e sheriatit, shqiptarët qenë humbësit më të mëdhenj në Ballkan, sepse politika fanariote (patriku grek i Stambollit kishte kompetenca administrative dhe merrte pjesë në mbledhjet e Divanit) na vuri në shekuj nën diktatin e kishës greke, por edhe sepse administrativisht shqiptarët, ndryshe nga grekët, ishin të ndarë në katër sanxhaqe. Nuk po përmendim këtu prapambetjen arsimore, kulturore, ekonomike. Faktet janë fakte, asnjë shkollë e as një shtypshkronjë për të shtypur libra nuk u lejua. As një fabrikë a hekurudhë, një tregti anemike dhe një bujqësi me parmendë e blegtori të prapambetur të mvarur nga bishti i dhisë.
Çdo pushtim është një fatkeqësi në kuptimin kombëtar dhe, si rregull, por jo gjithmonë është njëkohësisht dhe fatkeqësi sociale, ekonomike dhe kulturore. Mjafton të imagjinojmë se si do të ishte Shkodra e sotme po të kish qenë zotërim i Venedikut. Por sigurisht ndonjë analisti shkodran që bën gili-vili e gili-bili duke u tallur me peticionin, do t’i mungonte kafja turke apo bakllavaja. Nuk e ka firmosur atë se e ka parë si një marifet të Jozefinës, që dikur e futi dhe e nxori nga politika pa asnjë meritë, por në fakt tërbimin e vërtetë e ka pikërisht me metaforën e gropës së zezë.
Një histori dhe bashkëjetesë e gjatë e imponuar qindravjeçare sigurisht nuk është gjithmonë luftë e zi se shqiptarët do të përshtateshin e do të konvertoheshin e nuk mund të bënin ata kamikazin. Por në total dhe në rezultatin final ky ka qenë gati një fatalitet për ne. Dhe nëse ka që tërbohen nga këto metafora dhe thonë që pushtimi otoman na solli përparimin, krahas sharjeve e histerisë ndaj peticionistëve, duhet t’i sulen me tërbim dhe të denoncojnë te ky komision i Jahjagës Sami Frashërin, Naim Frashërin e shumë rilindës të tjerë, madje nëpunës të lartë të perandorisë se nuk e paskan ditur fare historinë, kur që nga Stambolli në Bukuresht e Paris janë në konsensus që ky pushtim ka qenë një fatkeqësi tragjike.
N.Frashëri një vit para se të vdiste botoi poemën “Histori e Skënderbeut” (1899), këndoi këngën e mjellmës ku shkruan vargjet e famshme për ardhjen e Skënderbeut në Krujë “…të shpëtonjë Shqipërinë nga zgjedhë e keqe e Turqisë”. Të heqin nga kjo histori pjesën kur Vojsava sheh ëndërr sikur një kuçedër kanibale shqyen njerëz dhe tre bijtë e saj dhe veçanërisht ku “Kanani që ish burrë dhe s’trembej syri kurrë” i thotë Skënderbeut: “…tjetër përgjigje Turqia nuk do përveçse me pallë”. Dhe janë shumë shkrimtarë myslimanë, katolikë që duhet t’i fshijnë e ti censurojnë dhe kot tërbohen me Kadarenë, se në këtë çështje të historisë, pavarësisht nga dallimet dhe veçanësitë që ka dhe të identitetit kombëtar, ai nuk bën gjë tjetër, veçse vazhdon frymën e etërve të tij që nga Naimi e deri te Konica, Mjeda, Lasgushi e të tjerë. Është një plejadë e ndritur e historisë së letërsisë shqipe, që ndrit rreth këtij qiriri dhe yllit të Skënderbeut që nuk e zhbëjnë dot, sado të mbushë qitapet e defterët e gazetave ndonjë analist a shkrimtar i Shkupit, Prishtinës a Tiranës, duke i shërbyer tezës serbe që përpiqet ndër vite e sponsorizon teorira se shqiptarët janë mbetje të perandorisë osmane, se kosovarët janë kolonë turq të shqiptarizuar, prandaj Kosova është djepi historik i Serbisë etj.
Dhe, kur një analist bën dhe kërcënimin e çuditshëm sikur të ish-zëdhënës i qeverisë turke “…mos i detyroni turqit të hapin arkivat e tyre…”, duke nënkuptuar që do të dalim turq, kjo më bën për të qeshur se arkivat turke të perandorisë otomane janë të hapura dhe janë të domosdoshme për përditësimin e historisë sonë, madje ka dhe botime volume dokumentesh osmane, por askund nuk mund të dalë ajo që nënkupton analisti nga Kosova a shkrimtari nga Shkupi dhe që pikësynon e sponsorizon Beogradi. Madje, edhe të sharat e shpifjet kundër jo asaj që thotë peticioni, por kundër atyre që e kanë nënshkruar atë, nuk janë argument. Sepse ai që shan dhe na quan “qurravecë”, nuk ka dyshim që nuk i rrjedhin hundët si gjithë njerëzve normalë, por i rrjedh vetë truri qurra në vend të mendimeve.
Dhe kështu peticioni tregoi se kjo puna e komisionit të përbashkët të zonjës Atifete nuk qenka dhe aq pa rrezik dhe një lajthitje, por më tepër sesa këta dy turqit e komisionit që kërkojnë heqjen e ndonjë epiteti e metafore, ne problemet i paskemi “mes vedi” me turkomanët shqiptarë, që janë më turq se turqit. Kështu hesht zoti Bujar e zonja Atifete, por komisioni i saj dhe peticioni kundër tij zbuloi shumë marifete, që na u bëkan për të propaganduar dhe për të krijuar një imazh turko-islamik të shqiptarëve.