Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur sot ndryshimin e strukturave të kampionateve kombëtare, në mënryë që të rritet më shumë rivaliteti.
Kategoria Superiore mbetet e pandryshuar, ndërsa do të fillojë zyrtarisht më datë 7 shtator, pasi Kombëtarja shqiptare të ketë luajtur ndeshjen e saj në eliminatoret e Boërorit. Por një vendim i tillë nuk shqetëson Kombëtaren, ku numri i futbollistëve nga kampionati shqiptar është zakonisht shumë i vogël.
Ato që kanë pësuar një ndryshim strukturor janë Kategoria e Parë dhe e Dytë, ku gjithsesi nuk është prekur numri i skuadrave pjesëmarrëse. Por ato tashmë do të luajnë kampionatin e tyre me tre faza.
Në fazën e tretë, skuadrat do të ndahen në dy grupime në bazë të renditjes, me nga pesë skuadra në Kategorinë e Parë dhe me nga gjashtë skuadra në Kategorinë e Dytë. Të parat do të luajnë për të përcaktuar ekipet që ngjitet një kategori më lart, ndërsa grupimi i dytë për të përcaktuar skuadrat që do të zbresin një kategori më poshtë. Pikët e grumbulluara në dy fazat e para, do të përgjysmohen në fazën e tretë, duke i dhënë mundësinë ekipeve që të ngjishen në renditje.
Sipas FSHF-së, ky ndryshim bëhet që kampionati të ketë sa më shumë rivalitet dhe gara të jetë e ndezur deri në javën e fundit, duke ulur mundësinë e tolerimeve.