Komiteti i ri i Sigurise do te kontrolloje Keshillin Mbikeqyres

Komiteti i ri i Sigurise do te kontrolloje Keshillin Mbikeqyres

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, do të pushojë së qeni një "këshill suprem" mbi gjithçka, por tashmë edhe një komitet tjetër sigurie dhe kontrolli mbi të. Ky fakt është konfirmuar nëpërmjet një vendimi të publikuar nga Banka e Shqipërisë, në Fletoren Zyrtare. Komiteti pritet të ketë kompetencë marrjen e vendimeve dhe hartojë rregullore të reja për Bankën e Shqipërisë, që do të kërkohen nga vetë ky institucion dhe të publikuara në Fletoren Zyrtare. Vendimet kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave si dhe minimumi i rezervës së detyruar të mbajtur në Bankën e Shqipërisë nga bankat e nivelit të dytë. Vendim tjetër, i publikuar po në Fletoren Zyrtare, gjatë ditës së djeshme ka të bëjë me raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit. Të tre këto vendime janë pasqyruar me listë rregullore, ku secila prej tyre shpjegon organigramën, qëllimin, funksionin dhe përfitimet. Të gjitha këto vendime mbajnë firmën e Guvernatorit të Bankës Qendrore Ardian Fullani. Për sa i përket organizimit dhe funksionimit të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave përgjegjësinë për zbatimin e tij do ta ketë Departamenti i Sistemeve të Pagesave dhe i Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë. Ndërkohë që ngarkohet Kabineti i Guvernatorit për publikimin e rregullores në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë dhe në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Objekti i rregullores është përcaktimi i qëllimit, funksioneve, detyrave, përbërjes, si dhe rregullave të organizimit dhe funksionimit të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, si organ kolegjial këshillimor.

Qëllimi

Komiteti ka qëllim që nëpërmjet veprimtarisë së tij, të mbështesë dhe të kontribuojë në sigurinë bankare. Komiteti përbëhet nga anëtarët me të drejtë vote, si Zëvendësguvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë, në cilësinë e Kryetarit të Komitetit. Drejtori i Departamentit të Sistemeve të Pagesave dhe i Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, në cilësinë e Zëvendëskryetarit të Komitetit. Po kështu do të ketë një përfaqësues nga Kabineti i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, në cilësinë e anëtari. Ndërsa drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, do të jetë në cilësinë e anëtarit. Në grupin e punës do të ketë edhe një përfaqësues në nivel ekzekutiv nga Ministria e Financave, që do të jenë në cilësinë e anëtarit. Po kështu, do të kenë përfaqësi edhe ministritë e linjës, si Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Inovacionit dhe Administratës, dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Të gjithë përfaqësuesit e këtyre ministrive janë thjesht në cilësinë e anëtarit. Një përfaqësues në nivel drejtues nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në cilësinë e anëtarit si edhe Kryetari i Shoqatës së Bankave dhe Kryetari i Komitetit të Pagesave pranë Shoqatës Shqiptare të Bankave. Mirëfunksionimi i këtij komiteti organizativ  dhe mbikëqyrës do të ketë ekspertë të huaj të fushës së sistemeve apo shërbimeve të pagesave.

Funksionet

Për realizimin e qëllimit të përcaktuar në nenin 3 të rregullores, Komiteti ushtron funksionet e mëposhtme: Këshillon kryesisht organet vendimmarrëse të Bankës së Shqipërisë për çështje të sistemit të pagesave dhe të përdorimit të instrumenteve të pagesave. Ajo ka për detyrë të këshillojë organet vendimmarrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për çështje të licencimit dhe të mbikëqyrjes së sistemit të shlyerjes së titujve dhe të shtëpisë së klerimit të titujve. Gjithashtu, këshillon institucionet pjesëmarrëse për çështje në lidhje me sistemet dhe instrumentet e pagesave. Në lisën e funksioneve të komiteti është edhe të këshillojë institucionet pjesëmarrëse me qëllim promovimin dhe standardizimin e proceduarve dhe sistemeve të pagesave. Harton pozicione të përbashkëta, deklarata dhe udhëzime, me aktorët e tregut, për çështje strategjike të sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes. Nxit dhe lehtëson bashkëpunimin e nevojshëm ndërmjet palëve të interesuara në fushën e sistemit të pagesave dhe infrastrukturës së tregjeve financiare. Ka për detyrë të identifikojë nevojat infrastrukturore dhe juridike në fushën e sistemit të pagesave duke dhënë sugjerime, si dhe sipas rastit ngre grupe pune, të cilat mbështesin procesin vendimmarrës të Komitetit për këto qëllime. Tregu ndërkombëtar dhe përshtatja me realitetin shqiptar, është sërish pjesë e detyrës dhe funksionit të Komitet Kombëtar të Sistemit të Pagesave. Po ky komitet, harton politika dhe strategji me qëllim që të mbështesë rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit kombëtar të pagesave në Shqipëri. Duke përcaktuar kështu objektivat dhe duke monitoruar dhe vlerësuar ndikimin që ata kanë në treg, si dhe zbatimin e tyre.      

50 milion lekë për nivelin minimal të rezervës bankare

Ripërkufizimi i “remunerimit të tepricës në llogaritë rezervë”. Koncepti i ri dhe vlerat minimale në lekë dhe valutë 

Rregullorja për minimumin e rezervës së detyruar të mbajtur në Bankën e Shqipërisë nga Bankat, ka pësuar ndryshime. Këto ndryshime janë propozuar nga Departamentit të Operacioneve Monetare, pranë Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Vendimi për këto ndryshime u bë po në Fletoren Zyrtare nr.131, datë 18 gusht 2014. Në rregulloren “Mbi minimumin e rezervës së detyruar mbajtur në Bankën e Shqipërisë nga bankat”, miratuar me Vendimin e Këshillit Mbikëqyrës nr. 29, datë 16.5.2012, bëhen një sërë ndryshimesh. Ndryshimet kanë pësuar dhe përkufizimet e terminologjisë. Me “Remunerimi i tepricës në llogarinë e rezervës së detyruar” do të kuptohet interesi që paguhet nga bankat e nivelit të dytë për Bankën e Shqipërisë për tepricën e mbajtur në këtë llogari. Teprica e llogarisë rezervë në lekë është diferenca e gjendjes mesatare në llogarinë rezervë së bashku me “cash  në kujdestari”.

Kjo për periudhën e mbajtjes me rezervën e detyruar, në ditën e fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar, por jo më e vogël se niveli minimal i tepricës. Gjithashtu, teprica e llogarisë rezervë në valutë është diferenca e gjendjes në llogarinë rezervë me rezervën e detyruar, e llogaritur çdo ditë, por jo më e vogël se niveli minimal i tepricës. Banka e Shqipërisë remuneron tepricën, në gjithë shumën e saj, vetëm në rastet kur tejkalohet niveli minimal i saj. Ku si i tillë konsiderohet shuma për të cilën bankat nuk remunerohen. Si nivel minimal për rezervën e detyruar në lekë, euro dhe USD konsiderohen përkatësisht shumat 50 milionë lekë, 500 mijë euro dhe 500 mijë dollarë. Norma e remunerimit të tepricave në llogarinë e rezervës së detyrueshme në lekë, euro dhe USD përcaktohet me vendim të Këshillit Mbikëqyrës dhe u komunikohet bankave. Ky vendim hyr në fuqi që dje, menjëherë pas publikimit zyrtar në Fletoren zyrtare. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama