Tashmë ata përbëjnë strukturën e rregullt të Akademisë së Shkencave në vend të 17 të tjerëve që e kanë mbushur moshën 75-vjeçare. Edhe pse në kufijtë e lejuar, listës së anëtarëve të rregullt i janë hequr emrat e Rexhep Meidanit dhe Skënder Gjinushit, për shkak të impenjimeve të tyre në politikë, gjë që është e ndaluar në ligjin “Për Akademinë e Shkencave”. Pavarësisht janë apo jo në radhët e akademikëve të rregullt, atyre që nuk figurojmë më në të, për shkak të moshës, apo të detyrimeve të tjera, nuk iu hiqet asnjë privilegj. Emrin akademik, ata do të vazhdojnë ta mbajnë gjatë gjithë jetës së tyre dhe përpos kësaj edhe shpërblimin që shteti u jep për këtë “gradë”.
Kur u shpall reforma në Akademi dhe u përcaktua mosha maksimale e të qënurit akademik “aktiv” në ASH, u bë gjullurdi e madhe. Akademikët nuk reaguan mirë ndaj daljes në pension. Megjithatë mësohet se ata do të vazhdojnë të kenë privilegjet e mëparshme. Që do të thotë se përveç pensionit do të vazhdojnë të marrin edhe shpërblimin për titullin. Kështu që të jesh akademik, nuk do të thotë vetëm të kesh një emër të nderuar, komoditetin që të zhvillosh pa pengesa punën kërkimore e shkencore, por edhe të shpërblehesh financiarisht. Këtë e tregon numri i madh i kandidatëve, plot 83, që lakmonin institucionin më të lartë shkencor në vend.
Me këtë numër akademikësh që kemi tashmë, i bie që shteti të shpenzojë një shumë të mirë parash çdo vit vetëm për rrogat e tyre. Madje, tanimë që ASH, nuk merret me kërkime të mirëfillta (institutet kaluan në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës), por kryesisht me botime, do të thotë që pjesa më e madhe e buxhetit të shkojë për këto pagesa mujore.
Prej zgjedhjeve të zhvilluara më 26-27 korrik, në Akademinë e Shkencave u shtuan si anëtarë të rinj: Floresha Dado, Kolec Topalli, Bahri Beci në fushën e gjuhë-letërsisë; Apollon Baçe, Beqir Meta dhe Muzafer Korkuti në fushat histori-arkeologji-gjeografi; Albert Doja në fushën e antropologjisë; Artan Fuga në fushën e filozofisë, Vaso Tole, në të arteve; Neki Frashëri në matematikë-informatikë; Floran Vila, Arben Merkoçi në kimi-fizikë; Adnan Kastrati, Bashim Resuli dhe Besim Elezi në mjekësi; Jorgaq Kaçani dhe Salvatore Bushati në shkencat inxhinierike; Jani Vangjeli në shkencat bujqësore dhe ekologjike. Këtyre emrave i shtohen edhe dy të tjerë që i përkasin fushës së letrave. Bëhet fjalë për shkrimtarin Fatos Kongoli dhe poetin Xhevair Spahiu, të përzgjedhur mbi bazën e veprimtarisë së tyre letrare gjatë viteve të fundit.
Sipas kryetarit të komisionit përzgjedhës, Gudar Beqiraj, një nga kriteret kryesore ishte mosha e kandidatëve dhe me këto hyrje të reja, Akademia e Shkencave do të marrë formën që i takon. Mes të zgjedhurve ka nga ata që janë tek të 70-at, po ka edhe 45-vjeçarë si në rastin e muzikologut Vaso Tole. Të 20-tët që u shpallën dje i shtohen listës prej 7 akademikësh aktualë, nën moshën 75 vjeç. Ata janë Ismail Kadare, Farudin Hoxha, Gudar Beqiraj, Eduard Sulstarova, Jani Thomai, Jorgo Bulo dhe Dhimitër Haxhimihali. Mes atyre mbi 75 vjeç, në mbledhjen e parë të Akademisë, që do të zhvillohet në shtator do të zgjidhen 3, që do të jenë të përhershëm. Pas plotësimit të numrit priten zgjedhjet për kryesinë dhe më tej për postet drejtuese. Kryetari aktual, Teki Biçoku, i takon listës së mbi 75-vjeçarëve, bashkë me kryetarin e mëparshëm Ylli Popa. Vendosja e tij në krye të Akademisë nuk kishte të bënte me moshën, por si një zgjidhje provizore nga një stad në tjetrin.
Më i riu
Vasil Tole është akademiku më i ri. Së shpejti mbush 45 vjeç dhe përfaqëson artin në institucionin më të lartë shkencor. Për të marrë pjesë në garë i mjaftoi të shihte emrat e jurisë, shumica e së cilës përbëhej nga akademikë të huaj. I besoi garës së hapur dhe i vjen mirë që mes shumë emrash u mor në konsideratë një etnomuzikolog. “Vite më parë u hodh ideja e përfshirjes së arteve në Akademinë e Shkencave. Ishte ide e hedhur nga Tish Daija dhe përvoja e tij më shërbeu si nxitje për të kandiduar e për ta çuar më tej”, - thotë Vaso Tole. Ai e pranon se të jesh akademik ka disa privilegje. Nuk është shumë në dijeni për të mirat financiare, por vlerëson mundësitë që të jepen për të vijuar kërkimet shkencore. “Mund të finalizosh dhe të drejtosh interesa shkencore në institucionin më të lartë të këtij lloji në vend dhe ke mundësinë të interferosh në zhvillimet e vendit. Nga ana tjetër, ke komoditetin e një karriere si shkencëtar në këtë institucion”. E përgëzon faktin që Akademia hapi dyert për shkencëtarët e rinj, pasi, sipas tij, shumë syresh i kapin arritjet më të mira shkencore në moshë të re. Sa për të ardhmen e Akademisë, ai thotë se sa të mundet do të ndikojë në rritjen e peshës së këtij institucioni në jetën e vendit. Sipas tij Akademia duhet të shfrytëzojë atë përvojë që ka për të ngritur edhe më tej nivelin e kërkimit shkencor, sipas standardeve evropiane.
Kongoli, akademiku në studio
Akademikët i kishte menduar gjithnjë si njerëz me mjekra të gjata, të bardha. I kishte nderuar në distancë dhe asnjëherë nuk e kishte menduar se do të radhitej ndër ta, edhe pse formimi i tij arsimor është në fushën e matematikës. Fatos Kongoli është një nga personalitetet në fushën e letrave, i zgjedhur në radhët e akademikëve. “Nuk mendoj se ky titull do të ndryshojë ndonjë gjë në jetën time. E kam kaluar gjithë jetën në studion time të thjeshtë, i kërrusur mbi letra dhe mendoj se do të vazhdoj të merrem me punët e mija, nëse do të kem ende fuqi”, - thotë shkrimtari Fatos Kongoli, i cili e quan përzgjedhjen akademik si një vlerësim shumë të madh që i bëhet punës së tij. Duke u marrë tërë kohës me letërsi, Kongoli nuk është shumë në brendësi të zhvillimeve të Akademisë së Shkencave, por thotë se tanimë do t’i duhet të jetë më i informuar.
Alma Mile : Gazeta Shekulli