Një re e dendur tymi mbulon qytetin çdo mëngjes, aq sa ndonjëherë nga një distancë jo e largët është e vështirë të dallosh edhe ndërtesat më të larta. Një gjë të tillë ambientalistët e shpjegojnë me ndotjen që shkaktojnë gjatë natës kompanitë industriale. “Duke filluar nga ora 18.00-19.00 ka një shkelje flagrante të ligjit shqiptar. Siç duket bëhet edhe në fundjavë me qëllim shpëtimit nga kontrolli i ligjit dhe që të shpenzojnë sa më pak nga energjia që kërkohet për funksionimin e filtrave. Kjo është më e shpeshtë te ‘Kurum’”, thotë Ahmet Mehmeti drejtues i Klubit Ekologjik. Drejtuesit e kompanisë “Kurum” e mohojnë këtë fakt. Ata thonë se në ajër shkarkohet avull dhe jo tymra toksike.
“Në momentin e ftohjes së skorjes, nxehtësia e së cilës arrin në 1000, 1200 gradë Celsius, krijohet një re avulli. Dhe kjo perceptohet sikur është tym apo ndotje që nxjerr Fabrika e Çelikut. Madje, pluhuri që nxjerr fabrika po paketohet dhe eksportohet në Maqedoni. Ndërsa në Fabrikën e Petëzimit, nga viti 2011, me investimet e kryera atje kemi filluar përdorimin e gazit të lëngshëm. Më përpara përdorej solari që blihej në tregun vendas dhe me një investim prej 1.5 milionë eurosh u sigurua gazi. Qoftë në Fabrikën e Çelikut, qoftë në atë të Petëzimit, çdo gjë është e monitoruar dhe absolutisht nuk ka asnjë lëndë të çliruar, që mund të ndotë ambientin. Stafi ynë janë familje që jetojnë në Elbasan dhe në lidhje me këtë çështje dhe ne jemi po aq të interesuar sa qytetarët e Elbasanit”, thotë Melih Guven, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i “Kurum”.