Kompania Folie Marine ndertime abuzive ne Jale

Kompania 'Folie Marine', ndertime abuzive ne Jale

Nisma për ta rikthyer bregdetin e Himarës dhe fshatrave përrreth në një zonë me shtëpi dhe ndërtime autentike, ku do të mbizotërojë stili i vjetër i shtëpive dhe godinave, po has në vështirësi të mëdha sa i përket ruajtjes së asaj pjese të padëmtuar të arkitektures së vjetër, por edhe restaurimin e kthimin e ndërtimeve të reja në linjën e ndërtimeve të vjetra karakteristike. Shkak për këtë po behen ndërtimet pa leje, pa uniformitet dhe arkitekture të përshtatshme me projektin e qeverisë për këtë zonë nga individë, kompani ndërtimi dhe investitorë të ndryshëm, të cilët po shfrytëzojnë cdo centimetër tokë të lënë bosh afër dhe në plazhet e zonës së Bregdetit të Himarës. Konkretisht gjiri dhe plazhi i Jalës në Himarë po përjeton një dyndje ndërtimesh pa leje ditët e fundit, në prag të fluksit të madh të turistëve dhe pushuesve në muajt në vijim.

Ndërtimet pa leje tek “Folie Marine”

Gjiri i Jalit dhe ku ndodhet dhe kompleksi i “Folie Marine” ditët e fundit është kthyer në kantier ndërtimi nga kompania që zotëron këtë kompleks në gjirin e Jalit. Nëse shkon në Jalë për të pushuar ose bërë plazh do të vëresh lehtësisht që punërorët, makineritë dhe betonierat punojnë natë e ditë. Madje sipas punonjësve të INUV-së dhe policisë së Himarës, kjo kompani ka punuar për ndërtimin e dy vilave dy katëshe luksoze dhe një rezervuari gjigand uji, gjatë gjithë kësaj kohe kryesisht në fundjavë dhe natën. Kujtojmë se ndërtimet e vilave të këtij kompleksi kanë filluar vitin e kaluar në pjesën më të madhe nga prilli i 2013 deri në korrik të këtij viti.

Inspektimi

Të interesuar për ndërtimet e vazhdueshme në Jalë nga kompania që zotëron “Folie Marine”, shkuam dhe morëm informacion në policinë e Himarës dhe Bashkinë e këtij qyteti, të cilët na shpjeguan se atje nuk kanë mundur të ndërhyjnë madje as të inspektojnë pasi shpesh janë kërcënuar dhe përdorur edhe dhunë psikologjike, nga administratorët e “Folie Marine”, por edhe nga punonjës dhe bodigardë të saj. Ditët e fundit madje ky plazh gjiri i Jalit është inspektuar dhe nga INUK-u madje dhe në orët e natës, por edhe këta të fundit janë kërcënuar si nga administratorët, por edhe nga individë të paidentifikuar, të cilët kanë nxjerrë edhe armë zjarri ndaj inspektorëve të INUK-ut. Burime nga INUK-u thane per “Shekulli”- n se po pergatitin nje nderhyrje per te bllokuar ndertimet pa leje ne “Folie Marine”.

Shkatërrimi i mjedisit dhe ekosistemit në Jalë

Ndërtimet pa leje në zonën e bregdetit të Himarës dhe fshatrave përreth edhe pse aksionet e INUK-ut i kanë pushuar, në gjithë vijën bregdetare. Madje nëse shkon në këtë zonë vëren se punohet gjithe naten, ndersa ditën nuk gjen asnjë në këto objekte. Ndërtimet në gjirin e Jalës këto dy vitet e fundit kanë marrë një hop të madh, duke demtuar florën dhe faunën, ku inerte të shumta janë hedhur në pjesën veriore të plazhit për të krijuar artificialisht një tjetër plazh, ngjitur me gjirin, kjo ka bërë që kompania “Folie Marine” të shkatërrojë dhe dëmtojë kodrat, pemët e ekosistemin përreth dhe sipër gjirit të Jalit. Madje per gjetjen e hapesirave dhe ndërtimin e këtyre objekteve janë prerë edhe pemë ulliri. 

Taksat dhe Tatimet

Sipas Bashkisë së Himarës, kompania qe zotëron kompleksin “Folie Marine”, i ndarë në disa kafe bar-restorante dhe plazhin e vilat mbi gji, nuk ka paguar asnjë taksë-tatim dhe detyrim si për vitin 2013 ashtu edhe për këtë vit. Burime brenda kësaj bashkie bënë te ditur se edhe pse Policia Bashkiake dhe inspektorët e tatim-taksave në këtë bashi kanë shkuar disa herë dhe i kanë njoftuar administratorët e “Folie Marine” qe të paraqiten për shlyerjen e detyrimeve, por këta të fundit jo vetem që nuk janë paraqitur, por edhe kur është shkuar në Jalë për inspektim dhe njoftim dhe gjobitje nga organet kompetente te Bashkisë së Himarës, ata janë kërcënuar dhe dëbuar nga individë të ndryshëm.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama