Organizatori dhe ideatori i vjedhjes në Bankën e Shqipërisë ka pranuar se ka marrë nga Thesari rreth 7 milionë USD, ndërsa ka pohuar se paratë i ka lënë në kumar. Por, prokuroria dyshon se këto para janë transferuar jashtë vendit, duke e akuzuar edhe për pastrim parash. Paralelisht me çështjen penale, Prokuroria e Tiranës pohon se ka nisur edhe hetimet pasurore, ku po verifikohen familjarët e të arrestuarve, kryesisht të Bitrajt dhe të bashkëpunëtores së tij, Mimoza Bruzia. Akuza ka kërkuar informacione në Hipotekë, banka dhe në QKR, për prona në emër të të arrestuarve, apo edhe familjarëve. Deri më tani janë bllokuar dhjetëra llogari bankare, megjithëse në to kishte vetëm shuma të vogla parash. Ditët e fundit, në Prokurorinë e Tiranës ka mbërritur një informacion nga QKR-ja, i cili flet se në emër të kunatit të Ardian Bitrajt është edhe një kompani private. Madje, kompania është në emër të Kujtim Bejtjas, i cili është babai i të arrestuarit, Kleves Bejtaj. Kompania merrej me ndërtim, madje kishte edhe marrëdhënie financiare me firma apo individë jashtë vendit, ku dhe transferonte apo i transferonin miliona lekë.
Transfertat e “Eurostar”
Disa ditë më parë, në prokurori ka mbërritur informacioni për kompaninë “Eurostar”, ndërsa prokuroria ka urdhëruar bllokimin e saj, të paktën për veprime financiare apo për shitjen e aksioneve, deri në përfundim të verifikimeve. Mësohet se kompania ka një kapital prej 335 milionë lekësh të vjetra. “Kjo kompani rezulton e regjistruar në QKR dhe ka si ortak të vetëm biznesmenin Kujtim Bejtaj”, – pohojnë burimet nga akuza, ndërsa saktësojnë se pronari është kunati i Bitrajt. Kompania ka si objekt të saj zbatimin në fushën e ndërtimeve, montimit, projektimit, prodhimin e materialeve të ndërtimit, import-eksport të materialeve të ndërtimit. Madje, importon makineri e mjete transporti në fushën e ndërtimit. Në historikun e saj, kompania është themeluar në datën 29 maj 1993 dhe se prej kësaj kohe ka shtrirë aktivitet e saj në disa zona të Shqipërisë. Mësohet se në vitet e fundit, kompania ka importuar dhe jahte. Tashmë prokuroria ka nisur hetimet, ndërkohë që është në pritje dhe të disa përgjigjeve të tjera nga disa institucione lidhur me pasurinë e familjes Bejtaj dhe familjarëve të Ardian Bitraj. Pas këtij informacioni, hetuesit kanë shpejtuar që t’i kërkojnë bankave që të ngrijnë edhe llogaritë bankare në emër të firmës apo edhe të pronarëve, deri në përfundim të hetimeve. Ka dyshime se kjo firmë ka transferuar miliona lekë jashtë vendit, të cilat shkonin për të blerë makineri të ndryshme. Akuza thotë se do të kërkojë edhe ndihmën e doganave, për të parë se çfarë makinerish sillte në Shqipëri kjo firmë dhe a korrespondonin me sasinë e parave që transferohej jashtë vendit. Gjithashtu, kërkesë do t’u bëhet edhe Drejtorisë së Tatimeve për të parë tatimet e paguara.
Hetimet ndërkombëtare
Prokuroria ka dyshime të forta se një pjesë e parave të vjedhura në Thesarin e Shtetit janë transferuar jashtë Shqipërisë. Grupi hetimor i akuzës së kryeqytetit i ka kërkuar zyrtarisht Europolit (policisë europiane) të hetojë për rrugën që kanë ndjekur këto para, ndoshta të depozituara në ndonjë bankë të huaj. Kërkesa është bërë disa ditë më parë, pas dyshimeve të forta se familjarët e të hetuarve kishin bërë disa transaksione. Por, ka informacione në rrugë operative se një pjesë e të hollave të vjedhura në Thesarin e Shtetit janë transferuar jashtë vendit, ndoshta me pretekstin për të blerë pajisje për firmën në pronësi të babait të një prej të arrestuarve. Për të hetuar të gjithë rrugën, apo edhe depozitat që mendohet se janë miliona USD, prokuroria ka kërkuar ndihmë edhe nga Europoli.