Kompania ku te gjithe do te donim te punonim

Kompania ku të gjithë do të donim të punonim
Reforma shëndetësore që Barak Obama kërkon, por që Kongresi ende nuk po e aprovon, nuk përbën asnjë problem për SAS-in, një shoqëri që prodhon softuere në Karolinën e Veriut e që renditet mes lidereve botërore në treg. Burrat dhe gratë që punojnë për SAS-in mbulohen nga një sigurim, ku 90 për qind e tij paguhet nga vetë kompania. Por kjo nuk mjafton: sa herë që punonjësit e saj kanë një problem, grip apo dhimbje shpine, një analizë gjaku apo një dhimbje e papritur dhëmballe, vetëm dy hapa larg zyrës së tyre gjendet një qendër ku janë gati për të vepruar 4 mjekë, 10 infermierë, fizioterapistë, laborantë dhe psikologë.

 Gjithsej 56 persona në shërbim të 4200 punëtorëve dhe drejtuesve të kompanisë SAS. Shërbimi është tërësisht falas, me një përjashtim të vetëm: kush lë takim dhe më pas nuk paraqitet duhet të paguajë një “gjobë” prej dhjetë dollarësh. E gjitha kjo i kushton kësaj kompanie rreth 4.5 milionë dollarë në vit, por në të njëjtën kohë një kursim prej 5 milionë dollarësh, llogaritur në bazë të orëve të harxhuara në dëm të punës për të takuar mjekun personal. Në krye të SAS-it ndodhet themeluesi i saj, James Goodnight. Miqtë e thërrasin Jim, ndërsa për gjithë të tjerë ai është “Doctor Goodnight”.

Një njeri shumë i mirë, Jim e ka modeluar kompaninë e tij duke ndjekur një filozofi jete dhe marrëdhëniesh njerëzore shumë të qarta. “Nëse dikush duhet të bëjë pjesë në sfidën e krijimit të një softueri duhen krijuar kushtet që ai të mos mërzitet kurrë. Duhet të ndihet i sigurt dhe të mos e ndjejë peshën e të shkuarit në punë, të ndihet i mbrojtur nga problemet që jeta të nxjerr dhe i lirë për t’u organizuar në kohë e hapësirë për t’i dhënë mundësi kreativiteti”, shpjegon Jim nga zyra e tij madhështore me mure prej kristali, ku spikat një koleksion me minerale të ardhura nga pesë kontinentet, por edhe nga hapësira, ku një meteor i zi i ndritshëm nuk mund t’i shpëtojë syrit të askujt. Jim Goodnight, njeriu më i pasur i Karolinës së Veriut, dhe ndër më të pasurit në botë me 9 miliardë dollarë, e ka ndërtuar hap pas hapi SAS-in. Sot, 34 vjet pas fillimit të kësaj aventure, në një pyll me rreth 170 hektarë të kuruar në çdo detaj ndodhen rreth 20 ndërtesa: me çelik dhe kristal të zi për drejtorinë e ndërmarrjes dhe krejtësisht të bardha me çati transparente dhe palma që rriten brenda tyre për magjistarët e algoritmeve.

Të tjerat, ku gjenden pishina, palestra, kopshti për fëmijët e punëtorëve dhe kinemaja, janë të ndërtuara thjesht dhe me rregullsi absolute. Në këtë mrekulli ndodhet edhe një kopsht gjigant i hapur gjithmonë për ata që duan të meditojnë. SAS, motoja e të cilit është “The Power to Know”, nuk është një shoqëri e kuotuar në bursë. Ajo siguron fitime të mëdha vit pas viti: nga disa qindra milionë dollarë në vitet ’70, në 2 miliardë e 300 milionë për 2009-n, në vitin më të zi të ekonomisë amerikane dhe botërore. Sot forca e SAS-it në tregun e punës dhe në garën me konkurrentët qëndron edhe në lajmërimin që shefi i madh ka bërë në kohën kur vala e krizës kishte pushtuar Amerikën: “Po ju komunikoj se kompania nuk ka pushuar asnjë nga puna, as në Amerikë dhe as në vendet e tjera ku kemi selitë tona. Përkundrazi, në vitin 2009 punësuam rreth 264 punëtorë të rinj”.

 Ja se ç’tregon inxhinieri Steve Nenfield që erdhi te SAS-i pasi ishte pushuar nga “Nortel”, në një moment të zi për kompaninë: “Qetësia më bën të punoj më mirë. Pastaj këtu e di që mund t’i besoj këtij ekipi të mrekullueshëm për të zgjidhur çdo lloj problemi”. Edhe Johnny Sterling, ekspert i bazës së të dhënave, ka të njëjtin mendim me të: “Kjo është kompania e tretë në jetën time me të cilën kam punuar, por e vetmja që më ka ofruar mundësinë të merrem me gjashtë projekte të ndryshme pa ndier vështirësi”. Publicitet për ndërmarrjen? Dëshirë për të treguar me çdo kusht një filozofi ekonomike dhe një ndërmarrje që funksionon për mrekulli? Megjithatë është një e dhënë historike e padiskutueshme për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje: kush bëhet pjesë e SAS-it nuk ka dëshirë të dalë më, aq sa njerëzit që largohen me dëshirë janë vetëm 2 për qind në vit, ndryshe nga shoqëritë e tjera të softuereve në Amerikë, ku kjo shifër shkon në 22. Me siguri që sjellja e bërë gjatë kohës së krizës e ka bindur revistën “Fortune” ta vendosë SAS-in në vendin e parë të klasifikimit të përvitshëm, ku tregohen “100 kompanitë më të mira për të cilat duhet të punosh”.

Në vitin 2008 ishte në vendin e 20, ndërsa tani është në podium, duke lënë pas gjigantë si “Google”, “Dreamworks” dhe “Cisko”, që mbështeten në një sistem marrëdhëniesh që synon të bëjë të lumtur kë punon. Jim Goodnight nuk e pëlqen aspak filozofinë që dominon në botën e biznesit, sipas së cilës pasi i ke dhënë një pagë pak a shumë të mirë dhe një vend pune e ndoshta edhe ndonjë shpërblim më të zotëve, gjithçka përfundon aty. Ai shqetësohet për portofolin e atyre që punojnë me të, por edhe për diçka tjetër: është i bindur se qetësia ekonomike e atyre që punojnë në SAS nuk mjafton, e rëndësishme është edhe qetësia intelektuale si në vendin e punës ashtu edhe jashtë saj. Nëse në familje ka probleme, nëse ke një fëmijë adoleshent që krijon raporte të komplikuara, nëse ke prindër për t’u kujdesur, mendjen e ke diku tjetër gjatë orarit të punës. Kështu SAS-i që prej 34 vjetësh po përpiqet të reduktojë në zero çdo problem. Çdo dollari rrogë i shton 40 cent në formën e fitimit.

Në orën gjashtë të mëngjesit punëtorët e parë hyjnë në pishinën e ndërtuar në “Campus SAS”, para se të nisin punën dhe mes tyre është thuajse gjithmonë edhe John Sall, bashkëthemelues dhe zëvendëspresident. Nga ora shtatë në nëntë gratë me fëmijë të vegjël ndalen në dy prej kopshteve që gjenden aty: njëri për ata nën 3 vjeç, ndërsa tjetri për ata nga 3 në 5 vjeç. Me një kapacitet prej 600 vendesh, fakti se mund të shkojnë t’i takojnë kur të duan gjatë ditës i bën nënat të ndihen të sigurta. Në të njëjtën orë hapen edhe 3 bar-restorantet që çdo ditë shërbejnë 500 vakte për mëngjes dhe 3 mijë për drekën. Në fund, në pushimin e drekës, palestra shndërrohet në një vend për të ushtruar jogën dhe për t’u qetësuar plotësisht para se të fillosh sërish me punën. Por kompania ofron konsulencë edhe për problemet familjare. Në zyrë gjenden këshilltarë për të gjitha problemet, nga ato ligjoret tek ato psikologjike.

Edhe ndihma financiare nuk ndihmon për të zgjidhur problemet. Natyrisht nëse je nënë dhe ke lënë në shtëpi fëmijën e sëmurë, nuk ke pse të shqetësohesh për punën nëse duhet të shkosh në shtëpi dhe të kujdesesh për të: punën mund ta përfundosh në shtëpi përmes kompjuterit. Java e punës është 35 orë me 5 ditë në javë, ndërsa kontrollet e hyrjes dhe daljes s’i kontrollon njeri, mjafton që ta bësh mirë punën tënde. Me doktoraturë në statistikë Goodnight e di se ajo që ka krijuar i kënaq të gjithë. Ai e di se jeta në kampusin SAS rrjedh më e qetë se në kompanitë e tjera të ndodhura nën presionin e krizës.




Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama