Evazioni fiskal nga kompanitë e karburanteve në sektorin e hidrokarbureve ka rritur ankesat jo vetëm nga qytetarët por edhe nga vetë administrata tatimore, e cila ka ndryshuar edhe protokollin në inspektimin e tyre. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka gjobitur vetëm njërën nga kompanitë e hidrokarbureve me 50 milionë lekë, pasi abuzimet e gjetura në kasat fiskale janë të shumta. Sipas drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj, kasat fiskale që përdornin kompanitë e karburanteve kishin aktive vetëm 680 kasa që transmetonin të dhënat e tyre në Drejtorinë e Tatimeve, ndërsa për vitin 2014 ato kanë shkuar në 1442 kasa. Shehaj deklaroi dje në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave se nga kasat fiskale që përdorte ky sektor, 300 prej tyre nuk plotësonin kushtet. Ndërsa për muajin shtator janë mbledhur 1 milion kuponë tatimorë. Nga 5 kompanitë e kasave fiskale, njëra prej tyre në marrëveshje me pikat e karburanteve bënin deklarime të rreme. Në diskutimin në komisionin e Ekonomisë dhe Financave deklarimet financiare të kompanive të hidrokarbureve me humbje apo edhe me fitime shumë të ulëta, kanë qenë edhe baza e diskutimeve nga ana e deputetëve.
Sipas statistikave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vetëm për karburantet gjatë 9 mujorit të këtij viti janë regjistruar 3.8 milionë kuponë tatimorë, ndërkohë që të njëjtën periudhë të një viti më parë janë regjistruar 2.9 milion kuponë tatimorë. Evazioni fiskal i ka kushtuar një dëm buxhetit të shtetit në masën e 100 milionë dollarëve. Një shifër e tillë u bë e ditur dje nga Briseida Shehaj, drejtore e Përgjithshme e Tatimeve dje në seancë në Komisionin e Ekonomisë. Shehaj tha se dëmi i është shkaktuar buxhetit më së shumti nga KESH-i dhe CEZ-i. Sipas saj, kompanitë buxhetore nuk kanë paguar asnjë qindarkë tatimfitim për vitin 2014 në buxhetin e shtetit. Shehaj tha: “Edhe administrata tatimore, ashtu si administrata doganore, ka një realizim 100 për qind me një tejkalim 2 për qind të planit. Zërat kryesorë në të ardhurat tatimore janë kontributet e sigurimeve shoqërore. Ka një rritje krahasuar me vitin 2013 prej gati 16 për qind. TVSH-ja është zëri kryesor, ka një rritje prej 13 për qind, duke përfshirë këtu ndryshimet që ndodhën në paketën fiskale 2013. Tani biznesi ka një “facilitim” të procedurave dhe nuk paguan më kontrollet e ushtruara nga administrata tatimore, por paraqet garanci bankare pranë tyre.
Kjo është “facilitim” për biznesin, e para dhe së dyti, heqja e një mentaliteti në administratën tatimore ku ushtroheshin kontrolle dhe viheshin gjoba thjesht për të mbushur buxhetin e shtetit dhe realizuar planin.” Në diskutimet mes deputetëve, Ministrit të Financave Shkëlqim Cani, drejtoreshës së Tatimeve Briseida Shehaj dhe asaj të doganave Elisa Spiropali, u pohua se 86 për qind e të ardhurave janë nga tatimet. Të ardhurat nga ndihmat janë 8 për qind dhe 6 për qind të ardhura jotatimore. Të ardhurat në tatime janë 13.8 për qind dhe të ardhurat nga doganat 15.1 për qind më shumë se 2013. Drejtoresha e Doganave tha se në vitin që 2014, deri më tani janë rreth 10 miliardë lekë më shumë të futura në buxhetin e shtetit. E pranishme në Komision, Elisa Spiropali u shpreh se arritjet në dy vitet e fundit ishin më të larta për strukturën e doganave. “Shihet një rritje me 56 për qind të kallëzimeve penale që janë bërë në drejtim të kompanive shkelëse të ligjit”, deklaroi Spiropali, duke forcuar edhe synimin kundër informalitetit në këtë sektor.