Komunikimi permes germave

Komunikimi permes germave
Cilat janë gërmat më të përdorura në ditët e sotme dhe si kanë ardhur ato tek ne? Historia e tyre që nga shekulli XV. Modelet më të famshme që kanë bërë historinë e tipografisë dhe ndikimi i tyre në zhvillimin grafik. Sekretet e vogla dhe të padukshme të këtyre formave primitive që përbëjnë rrënjët e komunikimit dhe përcaktojnë modalitetin e tij.

Sapo hapim kompjuterin dhe nisim të shkruajmë në dokumentin elektronik, vërejmë se modeli i gërmave që përdorim shpesh është “Times New Roman”. Aq shumë herë e kemi përdorur këtë lloj gërme, kemi eksperimentuar me modelet e tjera që gjenden aty dhe madhësitë e ndryshme apo ngjyrat pa menduar ndonjëherë se pas gjithë këtij manifestimi teknologjik qëndron një histori për të cilën vlen të flitet.

Shpikja e makinës së parë së shtypshkrimit nga Gutenberg në shekullin XV cilësohet nga studiuesit socialë si një pikënisje e zhvillimeve të rëndësishme historike dhe kulturore. Ajo i dha një shtytje të madhe prodhimit të librave në numër më të madh kopjesh si dhe ndihmoi në difuzionin kulturor në Europë por edhe më gjerë.
Përpos shumë ndryshimeve që solli kjo shpikje, një prej tyre ishte edhe zhvillimi i tipografisë si një disiplinë e rëndësishme në artet figurative. Kjo disiplinë merret me teknikën e rregullimit dhe modifikimit të simboleve për të krijuar tekste. Ajo ka të bëjë me përcaktimin e llojit të kompletit të gërmave, madhësinë e tyre, gjatësinë e tyre në rreshta, distancën mes gërmave etj.

Modelet e para

Tipografët e parë në Europë në shekullin XV filluan të stilizojnë gërmat dhe të krijojnë stilet e tyre. Claude Garamond ishte i pari që prodhoi kallëpet për modelin e tij me emrin Garamond që në vitin 1535 sëbashku me një tjetër tipograf po aq të famshëm, Jacques Sabon. Garamond ishte i pari gjithashtu që krijoi edhe një model korsiv për gërmat e tij. Pamja e këtij modeli është plotësisht roman dhe shpalos të gjithë elegancën e stilit të vjetër të gërmave latine. Falë formave të rregullta, ky komplet gërmash na vjen edhe sot edhe në versione të përafërta.

William Caslon ishte britaniku që hodhi rrënjët e prodhimit të gërmave në vendin ishullor në vitin 1720. Ai e quajti modelin sipas mbiemrit të tij. Modeli kishte pamje romane dhe dhëmbëzat e tij ishin mjaft të dukshme dhe është përdorur gjerësisht për më shumë se dy shekuj nga shtypshkronja e Oksfordit, vendi i punës së vetë Caslon.

John Baskerville ishte një tipograf holandez i cili krijoi një model gërmash më afër pamjes së sotme të tyre. Në modelin e tij raportet gjeometrike respektoheshin më shumë dhe rrumbullakësia e tyre, të krijonte idenë e shkrimit të dorës. Edhe këtu dhëmbëzat ishin të dukshme shumë mirë.

Në këtë “garë” nuk mund të mbeteshin mbrapa edhe mjeshtrat e dizenjimit, italianët. Gianbattista Bodoni arriti të sillte një model tepër avantgard për kohën në shekullin e XVIII. Modeli Bodoni kishte kontrast të madh mes vijave horizontale dhe vertikale të gërmave, ku këto të dytat ishin shumë më të trasha. Vizioni i tij ishte tepër modern për kohën dhe versione të modelit Bodoni janë edhe sot tepër të përdorur në revistat e modës. Dhëmbëzat tek Bodoni ndryshojnë nga ato të mëparshmet pasi tek këmbët e gërmave dhe koka ato janë thjesht vijë horizontale.

Duke kaluar në shekullin e shkuar, revolucionin e nisi Gazeta britanike “The Times”. Pasi kishte marrë shumë vërejtje nga auditori i saj për vjetërsinë e stilit të gërmës së përdorur në artikujt e përditshëm, drejtuesit vendosën të sillnin një model të përmirësuar. Ata i qëndruan besnik stilit roman por duke ridefinuar pjesët e përdredhura të gërmave. Modeli që ne njohim të gjithë me emrin “Times New Roman” është përdorur për herë të parë në vitin 1931 pikërisht nga gazeta e famshme britanike. Mori emrin New Roman pasi ishte i ripunuar. Qëllimi ishte që gërma të kishte një lexueshmëri të lartë pasi edhe madhësia në gazetë e kufizonte së tepërmi. Është pikërisht ky model, ai që ka sjellë më pas një ndryshim të madh në të gjithë shtypin e shkuar.

Shkolla zvicerane krijoi me Max Miedinger në vitin 1957 modelin Helvetica, një ndër më të përdorurit në shekullin e shkuar por edhe në ditët e sotme. Format e gërmave ishin tepër besnike ndaj një tjetër modeli më të vjetër, Berthold. Por në ndryshim nga ky, Helvetica, në pjesën ku gërmat përfundojnë pa mbyllje, (c,e,g,s) ka tendencë të jetë më rrethor dhe i hapur. Modeli zviceran mund të jetë më i famshmi përsa i përket gërmave pa dhëmbëza. Helvetica i hapi rrugën shumë modeleve të përafërta dhe përdorimi i tyre në forma të ndryshme komunikimi, i ka dhënë një vend në historinë e tipografisë shkollës së Bazelit.

Rëndësia e tipografisë

Njohja e modelit të gërmave është shumë e rëndësishme në çdo lloj projekti grafik, qoftë ky edhe një dokument i thjeshtë formal që mund të përdorim, një ese, një festë që jemi duke organizuar dhe duke shkuar deri në përdorimin komercial, i cili është më i rëndësishmi. Struktura logjike e gërmave, ritmi i tyre, tonaliteti apo përmasat fizike janë ato që i japin formën çdo lloj produkti grafik i cili në bazë të ngjizjes ka tipografinë. Gjithmonë është e rëndësishme të merret parasysh mesazhi që duhet të komunikohet. Kjo përbën edhe kriterin e parë përzgjedhës.
Modelet romane të gërmave kanë të veçantë se lartësia e tyre nuk është e njëjtë. Gërmat kapitale “B”, “L”, “C”, “D” etj. kur përdoren në madhësinë normale për një artikull mediatik, duken sikur kanë lartësi të njëjtë. Kjo vlen edhe për lartësinë e gërmave të vogla si “s”, “v”, “m” etj. Përveç ndryshimeve në lartësi, këto gërma kanë ndryshime edhe në dhëmbëzat e tyre, pjesët ku vijat nuk janë më të drejta por marrin harqe. Gjenialiteti i tipografëve qëndron në faktin se këto ndryshime nuk vihen re në madhësi të vogla por nga ana tjetër ndihmojnë për diferencim më të mirë për shikueshmërinë dhe asociimin e tyre nga ana e lexuesit.

Përzgjedhja

Kur duhet përzgjedhur një model gërmash, gjithmonë merren parasysh edhe detajet teknike të secilës prej kandidatëve. Distanca optike është shumë e rëndësishmeve. Çdo model gërmash ka një ritm të përcaktuar hapësirash boshe mes gërmave. Sa më linear të jetë ky ritm, aq më e lehtë bëhet për lexuesin përthithja e informacionit. Kjo pasi distancat boshe dhe ato të plotësuara nga gërmat krijojnë harmoni. Zakonisht kjo testohet duke marrë një paragraf dhe e parë fillimisht sesi duket në shikim të parë dhe më pas duke e lexuar për të testuar lexueshmërinë. Nëse distanca është e madhe mes gërmave, gërmat duken si entitete të vetmuara dhe është e vështirë të lidhen së bashku që lexuesi të krijojë konceptet. Nga ana tjetër, nëse gërmat janë shumë afër me njëra tjetrën, ato bëhen të paidentifikueshme.

Jozef Brokman në librin e tij “Sistemet e rrjetave grafike” shkruante “Çdo gërmë ka personalitetin e saj dhe nuk mund të ngatërrohet kurrësesi me atë të dikujt tjetër”. Kjo mund të kuptohet shumë lehtë nëse shkruani emrin tuaj në një dokument elektronik në modelin “Times New Roman” dhe filloni zmadhimin e tij. Fillimisht gërmat nuk do të duken shumë të ndryshme, por me zmadhimin gradual secila prej tyre do të shpalosë tiparet individuale. Mundohuni t’i imagjinoni ato jo si modele të njohura prej shumë kohësh nga ju por si simbole unike grafike, pra duke ja zbrazur kuptimin që ato mbartin për ju. Eleganca e çdo gërme do të konkurrojë dukshëm me atë të tjetrës. Nëse arrini të ndjeni këtë elegancë, atëherë “Times New Roman” do të ketë bërë tek ju efektin që pati bërë rreth një shekulli më parë tek botuesit e gazetës britanike “Times”. Në fund të fundit, një qind vjet nuk janë keq për një grup vizash dhe harqesh grafikë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama