Komunizmi dhe e ardhmja

Komunizmi dhe e ardhmja
Ku është sot Shqipëria? Në cilën pikë të udhëtimit të saj ndodhet, kur nga një gardiane e ashpër e mentalitetit komunist, besohet se është kthyer në tokën e lirisë dhe shpresave të mëdha? Në mes të baticës. Pikërisht, "Në mes të baticës. Udhëtim nëpër Shqipëri, nga komunizmi në të ardhmen", është titulli i librit në të cilin shkrimtari italian Antonio Kaiaca përshkruan një vend që synon të rendë drejt së ardhmes edhe pse ka ngecur në të kaluarën antike, më antike edhe se 50 vitet e kaluara në sistemin komunist, ku e reja dhe bota që ndryshon duket se e ka të vështirë të depërtojë nga njëra anë, dhe nga tjetra një vend i gatshëm të themelojë nga e para gjithë sa i ka munguar. Shqipëria e ditëve të sotme shfaqet gjithnjë ndryshe, ajo lëviz shpejt, e përditshmja e saj në kontrast kohërash. Dhe është thuajse e panjohur për pjesën tjetër përtej detit, e panjohur ndaj atyre që janë mësuar t‘i shohin shqiptarët vetëm si emigrantë dhe që nuk u shkon ndonjëherë ndër mend se edhe ata e kanë një atdhe, një vend nga vijnë, një vend gjithë jetë e tërheqës, aq sa nuk mund t‘u besosh dot syve. Kështu është parë Shqipëria nga Antonio Kaiaca. Gazetari dhe shkrimtari italian ka jetuar gjatë në tokën e shqipeve, ka njohur nga afër vendin tonë dhe në fund ka arritur të gjejë edhe ai një varkë shpëtimi (edhe pse me shenja dhe ngjarje pa fund), të cilën të gjithë e shohin si të vetmen shpresë për të dalë jashtë botës së tyre të vogël, për të kuptuar e për t‘u çliruar më në fund nga çdo lloj paragjykimi.

Në këtë libër kushtuar shqiptarëve, autori Antonio Kaiaca rrëfen të përditshmen e shqiptarëve të thjeshtë, ai takon politikanë, interviston shkrimtarë dhe intelektualë, jeton me të gjitha këto ditë pas dite... Ai përshkruan të gjitha ngjarjet, skenarët politikë dhe socialë që kanë lënë shenjë në Shqipëri, sidomos në 15 vitet e fundit. Për Antonio Kaiacën rrëfimi është njohje nga afër, përjetimi i gjithçkaje i ofron vendi i huaj, e në këtë rast Shqipëria, duke përcjellë gjithçka nëpërmjet reportazheve dhe intervistave. Kaiaca ka jetuar për një kohë të gjatë në Shqipëri, e në këtë mënyrë ai ka pasur mundësi të takojë e të njohë personazhe të rëndësishëm, si dhe të mësojë informacione të cilat një gazetar i huaj nuk do ta kishte të lehtë t‘i njihte. Në libër spikat intervista dhe tregimi për takimin me ish-presidentin e Shqipërisë, me të fundmin e dinastisë komuniste, Ramiz Alia. Ai analizon faktet, gabimet dhe arsyet e rënies së regjimit komunist. "Në mes të baticës" është metafora për një vend që ka parë popullin t‘i largohet drejt botëve të reja, por është një metaforë edhe për gjendjen aktuale të një kombi që po provon të njohë vetveten për të qenë sërish zot i historisë së vet. Kaiaca ka takuar edhe shkrimtarin Dritëro Agolli, i cili analizon politikën shqiptare, atë të sotmen, por edhe të shkuarën. E nuk mund të mos përmendë shkrimtari i madh edhe bashkëshorten e tij ruse, të cilën e kthyen në vend për arsye politike, një fenomen që ka prekur thellë elitën shqiptare të pas luftës. Autori i librit, Antonio Kaiaca, është gazetar profesionist. Ai jeton dhe punon në Trieste të Italisë. Kaiaca ka bashkëpunuar me gazeta si "Il Mattino" e Napolit, "TriesteOggi", "L‘Adige". Ai ka qenë korrespondent për Italinë i "RadioCapodistria" dhe "TeleCapodistria" (RTV Sllovenia). Aktualisht ai është redaktor i Rai-t Friuli-Venecia Xhulia. Libri është i përshtatshëm për të gjithë ata që kanë dëshirë të njohin nga afër një vend edhe të njohur shumë pak, por është shumë i përshtatshëm edhe për të gjithë shqiptarët që kanë nevojë të njohin vendin e tyre në sytë e një të huaji. "Në mes të baticës. Udhëtim nëpër Shqipëri, nga komunizmi në të ardhmen", është një lloj ditari që gazetari italian ka mbajtur gjatë kohës që qëndronte në Shqipëri. Është një lloj tregimi tredimensional mes Shqipërisë së ditëve tona, në të cilën shfaqet e shkuara e saj. Kaiaca eksploron gjerë e gjatë nëpër Shqipërinë që ndryshon dhe u tregon miqve të tij se ka parë njerëz që qajnë e qeshin, që ka intervistuar personalitete të rëndësishme të kulturës e politikës shqiptare të ditëve të sotme, por edhe të së shkuarës, duke e përfunduar librin me një Shqipëri që ndryshon çdo moment me ritme të jashtëzakonshme.

Antonio Kaiaca është ndër shqiptarët e vetëm që ka mundur të vizitojë Shqipërinë në vitet ‘85, sipas itinerareve të vendosura nga shteti. Ai ka qenë pjesë e njërit prej dy autobusëve me turistë që në ato kohë shëtisnin nëpër Shqipëri. Por për atë periudhë ai nuk ka shumë për të thënë, pasi turistët dhe shqiptarët jetonin në dy botë paralele, ku ishte totalisht e ndaluar të përballeshin. Por ai ka për të folur shumë më shumë, akoma sidomos për Shqipërinë e fillim viteve ‘90, kur vendi fillon të njihet në skenën ndërkombëtare, me gjithë dëshpërimin dhe urrejtjen kolektive. Kaiaca takohet me protagonistët e atyre ditëve që ndryshuan historinë e vendit, të rinjtë që shpërthyen muret e ambasadave për të kërkuar shpëtim. Ishin ditë të një tensioni dhe të një kaosi të madh, për të cilin Shqipëria ende nuk ka përfunduar së foluri. Flitet edhe për identitete të reja për Tiranën me pallate gjithë ngjyra. Por flitet edhe për abuzimet me ndërtesat gjasme moderne, dhe rikthimin edhe pse modest të atyre pak hapësirave të gjelbra. Ai prek dhe flet edhe për migrimin nga veriu i vendit drejt kryeqytetit...

Janë këto fenomenet e Shqipërisë bashkëkohore. Por kjo është Shqipëria, parë në syrin e një gazetari, mes mijëra problemeve me dëshirën e madhe për të fituar një identitet evropian.

Iliri shkruan:

Para disa vitesh njoha një djalë turk, klandestin, i cili prej tre vjetësh nuk kthehej në shtëpi, pasi jetonte ilegalisht në Itali. Herë pas here i thosha se kisha takuar një zotëri, i cili pasi kishte shkuar në Stamboll, ishte mrekulluar nga bukuritë e këtij vendi, "ishte qyteti më i bukur që kishte parë ndonjëherë", i thosha. Djaloshi turk habitej e ndihej shumë i lumtur për këtë fakt dhe shpesh më kërkonte ta njihte zotërinë. Por ky ishte vetëm një njeri imagjinar, që unë e kisha shpikur për djalin nga Turqia. Ishte e vemja gjë e bukur që mund t‘i jepja... edhe për ne shqiptarët është kështu. Një fjalë e mirë... Na mjafton kaq!


Antonio Kaiaca shkruan:

I nderuar Ilir, tregimi imagjinar që ju i keni dhuruar djalit turk është sa i bukur, aq edhe i trishtë. Nuk e di nëse me librin tim kam thënë "një fjalë të mirë" për Shqipërinë. Unë e di që kam folur mirë, por kam folur edhe keq, kam shkruar edhe me zemëratë, sepse kështu të ndodh për çdo vend të cilin të ndodh ta njohësh, më ndodhi edhe mua me Italinë. Megjithatë, gjithë sa unë kam shkruar, janë përvoja që i kam jetuar dhe njohur nga afër në Shqipëri.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama