Koncensionarët që operojnë në Shqipëri në sektorin e naftës kanë deklaruar se kanë kryer 1.5 miliardë dollarë shpenzime, të cilat nuk i kanë të argumentuara me fatura tatimore. Burime zyrtare nga 'Albpetrol', kompania përmes të cilës shteti mbikëqyr koncesionet e naftës, bëjnë të ditur se gjatë kësaj periudhe kompanitë koncesionare kanë deklaruar mbi 1.5 miliardë dollarë shpenzime pa dorëzuar faturat përkatëse.
Dëmi Shkelja ka përmasa galoponte, është sa 12 % e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Ky fakt tregon se shteti shqiptar nuk i ka kontrolluar asnjëherë koncesionarët edhe pse ky është një nga kushtet më të forta ligjore. Sipas kontratave të koncesionit, të gjitha kompanitë janë të detyruara që të vërtetojnë shpenzimet për investime, por edhe ato operative përmes faturave, të cilat duhet të dorëzohen në 'Albpetrol'.
Kjo pasi shpenzimet janë zëri kyç që përcakton detyrimet, të cilat kompanitë private duhet t'i paguajnë shtetit për shfrytëzimin e pasurive natyrore. Në të gjitha marrëveshjet koncesionare, është përcaktuar se kompanitë private fillojnë të paguajnë tatim mbi fitimin në masën 50 për qind vetëm pasi të kenë sh lyer investimet, por edhe shpenzimet e përditshme që ato kryejnë në aktivitetin e tyre.
Detyrimet
Asnjë prej kompanive që operojnë në fushën e naftës nuk ka paguar tatim fitimi. Argumenti që kanë përdorur kompanitë është fakti se kanë dalë me humbje. Për shkak të deklarimit të shpenzimeve marramendëse, të cilat siç po tregojnë faktet nuk janë verifikuar asnjëherë nga 'Albpetrol', deri më sot asnjëra prej kompanive koncesionare nuk ka paguar qoftë edhe një lekë tatim fitimi në buxhet. Edhe pse që nga viti 2005, vetëm eksportet e kromit dhe të naftës kanë qenë mbi 1.6 miliardë dollarë. Por, në buxhet, qeveria ka arkëtuar vetëm detyrimet minimale nga renta, pasi tatimi mbi fitimin, sipas 'Albpetrol', është zhdukur përmes shpenzimeve pa fatura, një skemë që mund t'i ketë marrë padrejtësisht arkës publike dhe qytetarëve qindra milionë dollarë në këto tetë vjet.
Pezullimi
Kompania “Albpetrol” sh.a ka pezulluar nga puna të gjithë punonjësit e drejtorive që kanë për detyrë të monitorojnë dhe kontrollojnë marrëveshjet e hidrokarbureve me palët e treta. Në total janë pezulluar rreth 35 punonjës, pasi gjatë kontrollit janë gjetur shkelje që lidhen kryesisht me mungesën e monitorimit të kontratave. Kompanitë me të cilat ishin lidhur këto kontrata janë: Bankers Petroleum; Stream Oil; Sherwood; Transoil dhe Phoenix. Katër nga kompanitë e sipërcituara kanë deklaruar shpenzime që arrijnë deri në vlerën 1.5 miliardë dollarë, por nuk kanë dorëzuar asnjë faturë në Albpetrol për të justifikuar shpenzimet në fjalë.
Të gjitha këto janë kontrata koncesionare të lidhura me shtetin shqiptar. Rreth 20 nga punonjësit e pezulluar janë supervizorë që kanë si detyrë monitorimin në terren të kontratave dhe investimet e kompanive. Nga kontrolli ka rezultuar se ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Madje nuk ishin as të pajisur me rroba pune për të bërë kontrollin në terren, veshje të posaçme për të hyrë në kantier.