Koncert madheshtor ngjiten ne skene yjet e muzikes lirike

Koncert madheshtor, ngjiten ne skene yjet e muzikes lirike
Emrat më të mëdhenj të muzikës lirike shqiptare u ngjitën  në skenën e Pallatit të Kongreseve. Inva Mula, Saimir Pirgu, Gëzim Myshketa, Enkelejda Shkoza, Dëshira Ahmeti, Riad Ymeri, Marjana leka, Vikena Kamenica, Eva Golemi, Armando Likaj etj, ishin vetëm disa nga artistët që u bënë pjesë e koncertit “Rrugëtimi i Kombit”, i zhvilluar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Një koncert madhështor, i cili ngjiti në skenë këngëtarë me një karrierë të shkëlqyer në skenat e mëdha botërore, të cilët kishin ardhur në Tiranë për të sjellë urimin e tyre me këngë. Surprizë e kësaj mbrëmjeje ishte prezantimi i koncertit nga sopranoja Inva Mula, e cila sapo ka hedhur në treg albumin e saj më të ri të titulluar “Për ty atdhe”, me këngët më të bukura shqiptare kushtuar atdheut. E veshur me një fustan të stiluar me ngjyrat kombëtare e motive popullore, sopranoja e madhe erdhi shumë natyrshëm për publikun e zgjedhur edhe në pozicionin e prezantueses. Në sallën e koncertit ishin të pranishëm krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

Programi

I gjithë programi, ashtu si edhe skena, kishin ngjyrat kuq e zi. Këtij përvjetori Pavarësie nuk mund t’i shkonin veçse këngë me frymë patriotike dhe festive. Kështu, sopranoja Inva Mula këndoi këngët “Unë biri yt Kosovë” mbështetur mbi vargjet e Ali Podrimjes, këngën “Shqipëri o vendi im” apo “Globi rrotullohet”. Tenori Saimir Pirgu solli nën muzikën e Limoz Dizdarit “Fjalët e qiririt” të Naim Frashërit dhe këngën-simbol “Rrjedh në këngë e ligjërime”, mexosopranoja Enkelejda Shkoza arien e Marës nga opera “Mrika”, për të vijuar me të tjerë zëra e të tjera vepra, të përzgjedhura kryesisht nga repertori i muzikës shqiptare.

Nën drejtimin e dirigjentëve Ermir Krantja, Zhani Ciko, Eno Koço, Bujar Llapaj e Arbër Dhomi, një orkestër prej 100 vetash, ku ishin bashkuar ajo e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe e Radio Televizionit Shqiptar, interpretoi vepra si “Uvertura festive”, “Agimet Shqiptare”, Simfonia nr 9 dhe shoqëroi këngëtarët në interpretimet e këngëve “Për ty atdhe”, “Goca e Kaçanikut”, “Alfabeti shqip”, “Botës i përkas”, kushtuar Nënë Terezës, “O moj e bukura More”, “Për mëmëdhenë”, “Shqipëri o vendi im” etj. Orkestrës madhështore i shtohej edhe një kor prej 100 vetash, ku ishin bashkuar kori i TKOB-së, Ansambli Popullor dhe ai i Universitetit të Arteve. Të pranishëm gjithashtu nxënës të Liceut Artistik “Jordan Misja” e, pa dyshim, trupa e baletit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Skena, e cila ishte konceptuar në formën e një ballkoni, duke evokuar ballkonin ku u ngrit flamuri në Vlorë, është realizuar nga skenografi italian Gaetano Kasteli dhe regjia televizive nga Bojken Lako. Koncerti u transmetua “live” nga disa televizione kombëtare e lokale.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama