Hartimi, miratimi, ndryshimi, shfuqizimi dhe sërish rihartimi, rimiratimi, rindryshimi i ligjeve për konçesionet ka qenë një ndër preokupimet dhe aktivitetet kryesore legjislative të politikës qeverive dhe Kuvendit, gjatë 10 viteve të fundit. Gjatë kësaj periudhe, janë hartuar e miratuar 3 ligje integrale për konçesionet dhe të paktën 11 ligje të tjera që plotësojnë rregullimin e fushës së koncesioneve.
Shumica e ndryshimeve në legjislacionin e konçesioneve kanë patur si synim kryesor zgjerimin e fushave ku mund të aplikohen konçesionet, lehtësimin e proçedurave për dhënien e tyre, dhe përcaktimin e ripërcaktimin e institucioneve përgjegjëse për zbatimin dhe monitorimin e konçesioneve.
Në të gjithë rastet, ndryshimet ligjore janë shoqëruar nga një bum në numrin e kontratave konçesionare, por jo në një kontroll më të mirë të efekteve të tyre.
Nga pikëpamja ligjore e teorike, konçesionet nuk përbëjnë problem në vetvete pasi objektivi i këtyre kontratave është nxitja dhe përthithja e investimeve private në shërbime dhe investime publike, duke krijuar një bashkëveprim nga i cili duhet të përfitojnë publiku, private, dhe ekonomia në tërësi.
Por, ashtu si dhe në fusha të tjera, në Shqipëri problemi nuk është ligji i konçesioneve por aplikimi i tij. Ne kemi dhënë me konçesion aeroportin e Rinasit, ndërsa qytetarët kanë përfituar çmimin e biletave më të lartë në rajon; kemi dhënë me konçesion shënjimin e karburantëve dhe shërbimin e pullave fiskale, por kontrabanda në karburante e cigare vazhdon në nivele të mëdha; kemi dhënë me konçesion pasuritë nëntokësore të vendit, por prej tyre përfitimet në buxhet prej tyre janë qesharake, ndërsa shumica e këtyre kompanive nuk paguajnë fare tatim mbi fitimin dhe kanë rentë minimale; është dhënë me konçesion kontrolli i përgjithshëm mjekësor, por në vitin e parë të shërbimit numri i personave që kanë përfituar është disa herë më i ulët se ai që ishte parashikuar.
Këta shembuj ngjallin dyshime se kontratat konçesionare mund të kënë patur çdo lloj interesi veç atij publik.
Objektivi i konçesioneve tashmë ka ndryshuar: nga përthithja e investimeve private në shërbime dhe investime publike, nga i cili duhet të përfitojë e gjithë ekonomia, në transferimin e pasurive kombëtare dhe të shërbimeve për të cilat paguajmë me taksat tona tek privati me qëllim përfitimet korruptive nga private dhe fshehjen e borxhit publik.
Pikërisht loja me borxhin publik dhe rreziqet që këto konçesione sjellin, ngritën shqetësimin e institucionit më të rëndësishëm që monitoron dhe mbështet financat tona publike, Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në raportin e janarit të FMN-së mbi vlerësimin e transaparencës fiskale në Shqipëri, u nfritën disa shqetësime për konçesionet apo partneritetet private-publike të cilat aktualisht përbëjnë mbi 7 për qind të prodhimit tonë kombëtar (PPB), ndër të tjerat:
Pas këtij alarmi dhe ndërsa po planifikohet dhënia me konçesion e TVSH-së që përbën 9,1 për qind të prdhimit kombëtar, duket sikur qeveria, më në fund, reagoi.
Në marrëveshjen e fundit të bashkëpunimit me FMN-në, arritur në muajin shkurt, qeveria mori zotimin se do të përfshijë në të dhënat zyrtare vlerësimin e riskut për çdo konçesion, do të përfshijë detyrimet që lindin nga koncesionet në borxhin zyrtar, dhe se, në rastin e TVSH-së do të kryejë një analizë të detajuar të kostove dhe përfitimeve si dhe vlerësimin e mënyrave jokonçesionare të realizmit të tij.
Nga të njejtën kohë, Lëvizja Socialite për Integrim paraqiti para pak javësh një nisëm e cila vendos në ligj konceptin e vlerësimit të alternativës, pra të analizës konkuruese të opsionit të konçesionit me atë të prokurimi publik. Propozimi i LSI-së parashikon gjithashtu që detyrimin për miratimin në parlament të të gjitha kontratave konçesionare më të gjata 4 vjet.
Ndryshimet e dakordësuara me FMN-në janë kërkesa legjitime e huadhënësit ndaj huamarrësit për të qënë transaprent në lidhje me riskun që ai mbart.
Ndërsa koncepti i vlerësimit të alternativës, në propozimin e LSI-së, është një proçedurë e ndjekur nga çdo agjent që ndërmer një vendim financiar.
Propozimi i fundit, që kërkon miratimin parlamentar për konçesionet me shtrirje të gjatë kohore synon forcimin e kontrollit dhe transparencës.
Propozimet e mësipërme janë pozitive, por siç ka treguar eksperienca problemi tek ne nuk është ligji por zbatimi i tij. Miratimi nga parlamenti i kontratës konçesionare për skanimin e kontenierëve nuk parandaloi që kompania konçesionare të shiste për 490 lekë, 49 për qind të një aktiviteti që parashikohet të ketë të ardhura rreth 200 milion dollarë, dhe as të pengojë kalimin e drogës me kamion nëpër doganat tona (1,6 ton drogë vetëm në një rast në nëntorin e kaluar të kapura në Itali).
Precedenti i kalimit në parlament nuk jep garanci për funksionimin e kontratave konçesionare pasi nuk është shtimi i strukturave që përfshihen në një proçes ajo që garanton ndershmërinë dhe rendimentin e proçesit, por është përqafimi i interesit publik në proçesin e dhënies së konçesioneve dhe harmonizimi i politikave konçesionare me objektivat strategjike për zhvillimin ekonomik afatgjatë.
Pyetja që lind në këtë rast është nëse kërkësa e Lëvizjes Socialistë për Intergrim ka për synim forcimin e kontrollit dhe transparencës apo thjesht përfshirjen e saj në tortën korruptive konçesionare.
Ish-kryeministri italian Giulio Andreoti thoshte se të mendosh keq është mëkat, por shpesh herë është mendimi i saktë. E për fat të keq ndër vite jemi mësuar se realiteti është më i hidhur edhe se mendimi më i keq.