Por, a është me të vërtetë i drejtë ky konkluzion?
Personalisht, mendoj se Konferenca e Mukjes duhet parë të paktën nga historianët e sotëm në disa këndvështrime dhe kurrsesi nga pozita ideologjike, bardhë e zi, pro apo anti Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Të përpiqesh të interpretosh historiografinë sot, nga pikëvështrimi ideologjik i palës së humbur, apo fituese, është njësoj si të kesh ecur në gjurmët e atyre që falsifikuan historinë tonë për 50 vitet e pushtetit komunist. Ngjarje të tilla, të cilat pretendohen se janë ngjarje të rëndësishme, duhen interpretuar në bazë të fakteve dhe dokumentave historike. Shfletimi i arkivave vendase dhe të huaja, me siguri që do të sillte materiale të reja dhe do të ndriçonte sado pak prapaskenat e zhvillimit të ngjarjeve të asaj periudhe, duke ndihmuar realisht në ndriçimin e këtyre fakteve historike. Mendoj se Sesioni Shkencor i organizuar me këtë rast ( përsëri sipas shtypit) nuk solli fakte të reja për të interpretuar Konferencën e Mukjes në një këndvështrim të ri.
Fatkeqësisht, kohët e fundit janë bërë përpjekje nga disa historianë për të riinterpretuar personazhe, apo ngjarje historike në një "këndvështrim të ri", duke harruar se rreshtimi i këtyre personazheve në rradhët e forcave naziste (me gjithë të kaluarën e tyre patriotike) është një fakt i pamohueshëm dhe i dënueshem nga bota demokratike.
Megjithatë, le t’i kthehemi temës së Konferencës se Mukjes, e cila sipas titujve të botuara në shtypin e përditshëm, është quajtur"Parlamenti i Parë Pluralist".
Po, a e meriton këtë emër me të vërtetë Konferenca e Mukjes?
Organizimi i Konferencës dhe rezultatet e saj tashmë janë të njohura nga historia dhe të gjithë ata që janë të interesuar mbi këtë çështje. Gjithsesi, çfarë mungon mendoj unë, është informacioni që studiuesit e kësaj ngjarjeje kanë mbi prapaskenat që sollën këtë takim midis palëve të Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Deri më sot studiuesit nuk e kanë të qartë se kush e inicioi këtë takim dhe çfarë konkretisht kërkohej në të vërtetë prej tij. A ishte me të vërtetë një përpjekje e sinqertë e dy forcave kryesore ideologjike për t’u bashkuar në të mirë të fateve të Shqipërisë? Apo ky takim bëhej me iniciativën e Shërbimeve Sekrete Britanike, të cilët kërkonin të krijonin një Komitet Drejtues, i cili të ishte tërësisht në kontrollin e këtyre shërbimeve me të ardhur në pushtet?
Nga dokumente të pabotuara asnjëherë, të dala nga arkivi i Shërbimit Sekret Britanik, kuptohet qartë, se në fakt Konferenca e Mukjes nuk është një përpjekje e sinqertë e palëve kundërshtare për fatet e Shqipërisë së pas luftës. Dokumenti i firmosur nga Misioni Britanik më 1. Nëntor.1944, Tepër Sekret me Titull "MEMORANDUM MBI PROPOZIMIN PER EVAKUMIN E MAJORIT ABAZ KUPI" del qartë, se kjo Konferencë është nisur dhe përgatitur nga Shërbimet Sekrete Britanike me ndihmën e disa prej bashkëpunëtorëve të tyre të rekrutuar, që në Beograd në verën e 1940-ës.Këta bashkëpunëtorë në këtë periudhë kishin mundur të ishin në udhëheqjen e lëvizjes Nacional Çlirimtare, ashtu edhe të rreshtuar në rradhët e Ballit Kombetar dhe Levizjes se Legalitetit.
Nga dokumentacioni i Shërbimit Sekret Britanik del qartë se në fakt, lëvizja antiitaliane, e cila i parapriu Konferencës së Mukjes e filluar papritur në Shqipëri, në vitin 1941 ishte pjesë e një plani strategjik për Ballkanin, të ideuar nga qendra e Shërbimeve Sekrete në Londer dhe e vënë në zbatim nga Zyrat e S.I.S në Beograd. Deri me sot, historiografia shqiptare e pas 1992 nuk ka mundur të shpjegojë se përse në vitin 1941 papritmas në Shqipëri filloi levizja antiitaliane. Historiografia komuniste e ideologjizuar në maksimum pretendonte se levizja antifashiste në Shqipëri ishte zhvilluar si rezultat i urrejtjes popullore ndaj fashizmit dhe kulmoi me krijimin e Partisë komuniste Shqiptare.
A është i drejtë ky konkluzion? Personalisht mendoj se e vërteta është krejt ndryshe dhe lëvizja antifashiste në Shqipëri e ka zanafillën e saj në planet e Shërbimit Sekret Britanik, i cili kërkonte me çdo kusht krijimin e një prapavije sa më problematike për ushtrinë italiane, e cila përgatitej të pushtonte Ballkanin. Deri më sot askush nga historianët shqiptarë nuk ka lexuar arkivat e Shërbimit Sekret Anglez, për të mësuar se për gati dy vjet ky Sherbim ideoi, përgatiti dhe financoi lëvizjen anti italiane në Shqipëri me dijeninë e plotë të Shërbimit Jugosllav, i cili sugjeronte edhe emrat për këtë levizje. Nga këto arkiva del qartë se lideret e parë të lëvizjes antiitaliane janë infiltruar në Shqipëri nga këto shërbime, duke krijuar edhe çetat e para antifashiste në vend.
Gjithashtu interesant është fakti që emrat e 4 prej nënshkruesve të Deklaratës së Konferencës së Mukjes, janë bashkëpunëtorë të Shërbimeve Britanike, të rekrutuar në Beograd, me ndihmën e Shërbimit Jugosllav.
Po kështu, interesant është fakti që kjo Konferencë u administrua dhe u mbajt në ambientet e Ifsan Toptanit, një bashkëpunëtor i Shërbimeve Britanike si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj. Ifsan Toptani sigurisht ka raportuar mbi të gjitha bisedimet, që janë bërë gjatë kësaj Konference, duke vënë në dijeni britanikët mbi ecurinë e punimeve. Megjithëse duhet thënë se Ifsan Toptani mbante marrëdhënie shumë të mira, si me Nacionalistët, si dhe me anëtarët e Frontit Nacional Çlirimtar.
A është Konferenca e Mukjes, Parlamenti i parë pluralist?
Mendoj se ky konstatim është i nxituar dhe nuk i përshtatet realitetit. Përsëri theksoj se kjo Konferencë nuk u mblodh si rezultat i kërkesës së kohës, apo një realiteti të ndryshëm në Shqipëri.
Prapa organizimit të kësaj Konference janë direktivat e Shërbimit Anglez, i cili kërkonte të krijonte një Komitet drejtues të përbashket, i cili në të ardhmen do të merrte fatet e vendit në dorë. Anglezët, përpjekje të tilla i bënë edhe në Greqi ndërmjet forcave ideologjikisht të kundërta, por edhe në Jugosllavi ndërmjet Titos dhe Mihailoviç. Pra, Konferenca e Mukjes duhet parë në kontekstin e saj historik dhe jo si një ngjarje e shkëputur shqiptare. Sigurisht, që në këtë Konferencë u hodhën edhe teza dhe ide nacionaliste, të cilat fatkeqësisht nuk kishin koherencë dhe dilnin jashtë realitetit të asaj periudhe. Si kërkesa për Kosovën, si ajo për Çamërinë, ishin teza të cilat në kanceleritë europiane nuk do t’i mernin seriozisht, e aq më tepër kur fatet e vendeve të pasluftës do të vendoseshin nga “Të Mëdhenjtë” e dalë nga kjo Luftë. Duhet të jemi të qartë, se Konferenca e Mukjes nuk do të kishte asnjë rol në zhvillimet e pasluftës si në Kosovë, si në Çamëri.
Pra nëse do të kemi parasysh prapaskenat e zhvillimit të kësaj Konference, personalisht mendoj se Enver Hoxha i hodhi poshtë vendimet e dala prej saj, për faktin e thjeshtë se ai kuptoi që një Komitet Drejtues i Luftës me elementë jashtë lëvizjes Nacional Çlirimtare nën ndikimin anglez do ta nxirrte atë nga kontrolli i tij dhe kësisoj do t’i mbyllte dyert e pushtetit, të cilin ai tashmë kishte filluar ta shikonte në horizont. Gjithashtu, mendoj se Enver Hoxha kishte dyshime për disa prej pjesëmarrësve në këtë Konferencë si bashkëpunëtorë të Shërbimeve angleze dhe kësisoj, reagimi i tij ishte shumë i fortë për të shfuqizuar të gjitha ato vendime që u morën pa miratimin e tij. Reagimi i ashpër ndaj shokëve të armëve ishte si për t’iu hequr atyre çdo iluzion mbi rolin e tij drejtues në lëvizjen Nacional Çlirimtare, ashtu edhe për të rivendosur kontrollin e humbur nga kjo Mbledhje, e cila më së shumti kërcënonte personalisht atë, por edhe lëvizjen komuniste për të ardhur në pushtet. Gjithashtu, duke përfituar nga rasti do të doja të theksoja edhe një fakt shumë interesant, i cili mendoj se është manipuluar nga historiografia komuniste. Krijimi i Çetës së Pezës nga komunistët dhe në veçanti nga Enver Hoxha.
Nëse do të shikojmë dokumentacionin e Shërbimit Inteligjent Anglez, kuptohet qartë se Lëvizja e parë antifashiste në Pezë është përgatitur dhe financuar nga Shërbimi Sekret Britanik, në bashkëpunim me atë Jugosllav. Miti i krijuar nga historiografia komuniste, se ishin ata që ndezën pishtarin e rezistencës antifashiste në Pezë, nuk është aspak i vërtetë, nëse shikon se agjenti anglez A/H 76, i rekrutuar në Jugosllavi nga S.I.S ishte dërguar me misionin e krijimit të kësaj levizjeje muaj më parë se të krijohej Partia Komuniste Shqiptare. Po kështu, nga dokumentacioni britanik shikohet qartë se financuesit e A/H 76 dërgonin çdo muaj korrierë në Pezë për të paguar liderët e Çetës së Pezës, e cila deri më sot konsiderohet si një prej formacioneve më të hershme të Luftës Antifashiste në Europe.
Gazeta: Shekulli