Konferenca me kreret e komisioneve te Integrimit MetaTe pershpejtojme ritmet e reformave

TIRANË, 23 Tetor/ATSH/.- Kryetarët e Komisioneve parlamentare të Integrimit të Shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asocimit të Evropës Juglindore janë mbledhur në Tiranë në Konferencën e 11-të të radhës.

Konferenca u çel nga kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Majlinda Bregu, e cila vuri në dukje ecurinë pozitive të vendeve të Evropës Juglindore drejt BE-së, ndërsa shtoi se Ballkani ka ende probleme të demokracisë dhe funksionimit të ligjit.

"Asnjë nga ne nuk ka dyshim se zgjerimi është rruga e duhur. Procesi i integrimit ka sfida të shumta që nuk duhet të qëndrojnë pezull", tha Bregu.
Meta:Të përshpejtojmë reformat që lidhen me sundimin e ligjit

Në fjalën e tij, përshëndetëse kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se rajoni ynë ndodhet në një moment historik dhe në një fazë intensive të marrëdhënies kontraktuale me BE-në.
"Qëllimi është anëtarësimi i plotë në BE për të rritur standardet e jetesës së qytetarëve tanë. Por, mbarëvajtja në procesin e integrimit në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor lidhet ngushtë me shpejtësinë e reformave, e cila do të garantonte çeljen e negociatave me BE-në", tha Meta.
"Vendet tona duhet të përshpejtojnë ritmet e reformave, sidomos ato që lidhen me forcimin dhe sundimin e ligjit, pasi fenomene si krimi dhe korrupsioni ende janë barriera serioze për një zhvillim të shpejtë. Projekti i reformave të qëndrueshme duhet të përshpejtohet nga secili vend i rajonit tonë, duke bashkëpunuar ngushtë dhe me grupet e interesit dhe shoqërinë civile", u shpreh kreu i Kuvendit në përshëndetjen e tij drejtuar të pranishmëve në Konferencë.
Në fokus të bashkëpunimit parlamentar rajonal, theksoi Meta, duhet të jetë dhe forcimi i parametrave të sigurisë, për të përballuar sfidat që dikton lufta kundër ekstremizmit, radikalizmit apo populizmit.

Fleckenstein:Reforma në drejtësi do të nxisë luftën kundër korrupsionit

Në përshëndetjen e tij, raportuesi për Shqipërinë pranë Parlamentit Europian, Knut Fleckenstein, duke folur për sfidat e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, veçoi rëndësinë e reformës në drejtësi, që sipas tij do të nxisë, sidomos luftën kundër korrupsionit, tha ai.
"Reforma në drejtësi do të ndihmojë vendin tuaj në përparësi të tjera si luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e klimës së biznesit në vend, funksionimin e institucioneve gjyqësore në mënyrë të pavarur dhe të shkëputur nga politika, etj. Të gjitha këto do të ndihmonin Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE", tha Fleckenstein.
Ai konfirmoi gadishmërinë e vendeve europiane për të mbështetur shtetet e Ballkanit Perëndimor, në rrugën drejt
anëtarësimit, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, në qasjen drejt perspektivës europiane.
Raporteri i PE-së, nënvizoi rëndësinë e procesit të Berlinit, i cili tha ai, duhet të përfshijë dhe parlamentet kombëtare të secilit vend për të përmirësuar rrugëtimin e tyre drejt BE-së.

Bushati: Vendet e rajonit qasje strategjike për integrimin

konferenca e 11 e intergrimit.Foto Flor Abazaj (2)Në përshëndetjen e tij, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, pasi vlerësoi rolin e parlamentit shqiptar në procesin e integrimit, tha se në Shqipëri është një lajm i mirë se pavarësisht polarizimit të skenës politike, që të gjitha palët janë në mbështetje të këtij procesi.
Duke vlerësuar bashkëpunimin rajonal dhe nevojën e një qasje strategjike në këtë drejtim, ministri u ndal tek çështja e azilantëve, duke theksuar se vendimi i Gjermanisë për t'i shpallur tre vende të rajonit tonë si 'vende të sigurta të origjinës', jo vetëm do të reduktojë procedurat, por do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e këtij fenomeni. Nga shifrat e muajit shtator konstatohet një ulje drastike e numrit të azilkërkuesve, shtoi Bushati.
Më pas në përshëndetjen e tij, ministri i Jashtëm shqiptar u ndal tek axhenda e takimeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në vijim të Procesit të Berlinit. "Shqipëria dhe vendet e rajonit e mirëpresin këtë proces, si një mundësi për zhvillimin e lidhjeve më të mira politike dhe ekonomike. Aktualisht, ne po punojmë për Konferencën e Parisit, ku dimensioni parlamentar duhet të jetë një vlerë e shtuar, por duhet të fokusohemi dhe tek ato projekte për të cilat kemi rëndë dakord në Vjenë. Në pranverën e vitit të ardhshëm, në Shqipëri, do të organizojmë takimin e ministrave të Jashtëm, ku do të jetë i pranishëm dhe Komisioneri për Zgjerimin, Johhanes Hahn. Ky takim do të jetë një mundësi e mirë në përgatitjen e takimit të Parisit", tha ministri Bushati në fjalën e tij.
/a.s/a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama